
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Shefin e Operacioneve Civile të BE-së, Hansjorg Haber dhe Shefin e EULEX-it Berndt Borchardt, me të cilët ka biseduar për mandatin e EULEX-it deri në 2014 dhe planin për tranzicionin e tij, si dhe angazhimin e EULEX-it në implementimin e marrëveshjes se arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Takimi kryesisht u përqendrua në tranzicionin e kompetencave nga EULEX-i në organet vendore, mënyrën se si po zhvillohen kapacitetet e vendorëve dhe mënyrën se si do të shkohet drejt përfundimit gradual të mandatit të EULEX-it.
Palët ritheksuan rëndësinë që tranzicioni të bëhet në mënyrë sa me graduale, por me garanci që institucionet e Kosovës të ngrisin kapacitetet në atë shkallë që t’i bëjë ato të gatshme për marrjen e primatit në kryerjen e detyrave të rëndësishme siç janë lufta kundër krimit, korrupsionit dhe gjykimi i tyre, si dhe në shumë sfera tjera me të cilat tani për tani udhëheqë EULEX-i me projekte në ngritje e kapaciteteve.