
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur në takim z. Ymer Hoxha, të cilit fillimisht i ka uruar zgjedhjen në krye të Bordit të Institutit Gjyqësor të Kosovës (IGJK).
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi ka diskutuar për mundësinë e forcimit të Institutit Gjyqësor të Kosovës, dhe njëherit ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me IGJK-në, në veçanti në projektin për avancimin e këtij Instituti në Akademi të Drejtësisë, ku do të përfshihen të gjitha mekanizmat aktuale të drejtësisë, çka do të mundësojë një trajnim më adekuat të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe profesionet e lira, noterë, ndërmjetësues, përmbarues privat etj.
Ministri Kuçi tha së me anë të këtij projekti kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të Institutit Gjyqësorë të Kosovës, duke shtuar se për këtë projekt bashkëpunimi është i mirëseardhur.
Sipas Ministrit Kuçi, ngritja e kapaciteteve njerëzore siç janë gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe të atyre që janë jashtë sistemit gjyqësor por që pretendojnë për tu bërë pjesë e këtij sistemi, siç janë juristët, avokatët do të ndihmojnë në funksionim sa më të mirë të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Rëndësinë e krijimit dhe rolin që do ta luaj Akademia e Drejtësisë, e ka vlerësuar edhe Kryetari i Bordit të Institutit Gjyqësor të Kosovës, z. Ymeri, i cili ka falënderuar Ministrin Kuçi për mbështetjen që po ofron në avancimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës.