Gjatë takimit, u diskutua për progresin në reformën në drejtësi, implementimin e marrëveshjeve të lidhura në këtë fushë mes dy vendeve, bashkëpunimin ndërkombëtar në çështje penale dhe hapat drejt finalizimit të marrëveshjeve teknike për profesionet e lira.
Sa i përket marrëveshjeve në fushën e profesionet e lira, është lajm i mirë që marrëveshja teknike për ndërmjetësimin është finalizuar dhe do të nënshkruhet më 26 nëntor. Ndërsa, marrëveshja teknike për noterinë është në proces finalizimi dhe pritet të përfundojë së shpejti.
Fatkeqësisht, progres nuk është arritur në fushën e avokatisë për shkak të mosbashkëpunimit të Odës së Avokatëve të Kosovës me institucionet përgjegjëse dhe Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Në këtë takim, u theksua se zbatimi i marrëveshjes është detyrim dhe duhet finalizuar sa më parë, në mënyrë që avokatët e Kosovës të mund të ushtrojnë profesionin në Shqipëri dhe anasjelltas.
Bashkëpunimi frytdhënës, konstruktiv dhe profesional mes Ministrive të Drejtësisë së Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë shembull për institucionet e tjera të drejtësisë në të dy vendet dhe për Odat e profesionet e lira.