
Gjatë një ceremonie të mbajtur sot në Prishtinë, Drejtoresha e misionit të USAID- it në Kosovë, Maureen A . Shauket dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, shpërndanë certifikatat për përfundimin e trajnimit fillestar për zhvillim të aftësive profesionale të përmbaruesve privat për kandidatët potencial.
Sistem i ri i përmbarimit të vendimeve gjyqësore do të lansohet në janar 2014. Ligji i ri për procedurën përmbarimore, i miratuar gjatë këtij viti, parasheh krijimin e një sistemi të rregullt të përmbaruesve profesionist që do të zëvendëson sistemin e tanishëm që bazohet në shërbyesit civil gjyqësor.
Qytetarët do të mund të zgjedhin në mes të përmbaruesve civil dhe përmbarimit përmes gjykatës deri më 30 qershor 2014. Pas kësaj date, vetëm përmbaruesit privat do të jenë të autorizuar të bëjnë përmbarimin e vendimeve gjyqësore (me përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me të drejtën familjare, të miturit dhe çështjet nga e drejta e punës). Modeli i ri i përmbaruesve privat për Kosovën është i bazuar në eksperiencën e më shumë se 20 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe shumë vendeve të tjera duke përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket, tha se USAID-it dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë një partner i përkushtuar i Kosovës në rrugën kur ne së bashku zgjerojmë sundimin e ligjit dhe përmirësojmë mjedisin për bizneset dhe investime. Roli i përmbaruesve privat është një përgjegjësi e rëndë dhe kërkon një shkallë shumë të lartë të profesionalizmit dhe integritetit. Trajnimi për të cilin jemi mbledhur sot këtu është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe që këto kërkesa të përmbushen.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se arkitektura e drejtësisë dhe reforma e drejtësisë në tërësi po plotësohet edhe me përmbaruesit privat. Zvogëlimi i lëndëve, zgjidhja e shpejt e rasteve dhe qasja me e lehtë e qytetarëve në drejtësi, është një prej prioriteteve tona dhe ky është një veprim konkret në këto prioritete.
Programi i USAID-it për përmbarim dhe legjislacion komercial (CLE) mbështetë Ministrinë e Drejtësisë në implementimin e sistemi të ri të përmbarimit privat dhe organizoi trajnimin fillestar për zhvillim të aftësive profesionale të përmbaruesve privat për kandidatët potencial.