Skip to content
E Drejta Pronësore, shtyllë e sundimit të ligjit në një vend demokratik

E Drejta Pronësore, shtyllë e sundimit të ligjit në një vend demokratik

Prishtinë, 02/03/2015

Në një tryezë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID, në të cilën ka marrë pjesë, Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, është bërë prezantimi i programit për të Drejtat Pronësore, program ky i krijuar për të përmirësuar regjimin e të drejtave pronësore, për të forcuar sundimin e ligjit si dhe për të shtuar rritjen ekonomike dhe investimet në Kosovë. 

Me këtë rast, Ministri Kuçi në fjalën e tij, ka thënë se gjatë këtij mandati prioritet do të jenë çështjet civile, respektivisht çështjet pronësore si dhe hartimi dhe finalizimi i Kodit Civil të Republikës së Kosovës, me ç’rast, me këtë aktivitet  po bëhet një hap konkret në themelimin e grupit punues sektorial për të drejtat pronësore.

Ministri Kuçi, tha se rregullimi i  së drejtës pronësore është çështje e ndjeshme, që prek secilin qytetar të Republikës së Kosovës. “E drejta pronësore është shtylla e sundimit të ligjit. Regjim i drejtë i së drejtës pronësore, nënkupton që shteti ka hartuar ligje që mbrojnë të drejtën pronësore, dhe se shteti ka arritur një shkallë të kënaqshme të zbatimit të këtyre ligjeve. Zbatimi i suksesshëm i ligjeve kërkon bashkërendim dhe menaxhim të mirë mes akterëve përbërës të regjimit të së drejtës pronësore” ka thënë Ministri Kuçi.

Kuçi tha se, do të punojnë për krijimin e parakushteve ligjore për të drejta të barabarta në trashëgimi, qoftë e nevojshme edhe ndryshimi i dispozitave ligjore për të parandaluar që femrat të heqin dorë nga e drejta trashëgimore, që është praktikë tek ne. 

“Si Ministër i Drejtësisë, jam i përkushtuar, që ligjërisht të kërkojmë ndarjen e trashëgimisë së prindërve tek të gjithë fëmijët e tyre, pa dallime gjinore. Kur femrat posedojnë pronë, ato posedojnë hipotekë për të marrë kredi për të zhvilluar bizneset e tyre. Ato bëhen të pavarura. Përfshirja më e lartë e femrës në jetën ekonomike është parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë” ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi ka thënë se Ministria e Drejtësisë, si bartëse e këtij procesi, ka fituar përkrahjen e dy partnerëve ndërkombëtar në përmirësimin e regjimit të së drejtës pronësore: USAID-i dhe GIZ-i, me ç’rast është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi për të harmonizuar fushat e veprimit. Përderisa GIZ-i do të përkrahë Ministrinë e Drejtësisë në hartimin e Kodit Civil, duke përfshirë këtu edhe përmirësimin e kornizës ligjore mbi të drejtën pronësore, USAID-i do të përkrahë Ministrinë në përpilimin e një strategjie gjithëpërfshirëse sektoriale për të drejtën pronësore, duke ofruar edhe mbështetje në bashkërendimin e aktiviteteve ndërinstitucionale. 

“Gjatë mandatit të kaluar, në politikat e  Ministrisë së Drejtësisë, prioritet i kemi dhënë çështjeve penale. Gjatë këtij mandati do të punojmë më shumë në fushën civile, si dhe në kthimin e besimit në drejtësi. Do të përkushtohem maksimalisht që, qytetarët e Republikës së Kosovës të gëzojnë një kornizë ligjore, implementimi i të cilit do ta mbrojë pronën e tyre, interesat e tyre’, ka thënë Kuçi.

Në këtë takim kanë marrë pjesë, Drejtori i Misionit të USAID  në Kosovë, James Hope, Drejtori i Programit të USAID për të Drejtat Pronësore, Justin t. Holl, akterë të sektorit të drejtës pronësore, përfaqësues të qeverisë, partner ndërkombëtar si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile në Kosovë. 

Programi për të Drejtat Pronësore do të punojë në partneritet me Qeverinë e Republikës së Kosovës, me komunat e përzgjedhura dhe me palët tjera të interesuara si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.
 

Foto Galeria

Skip to content