Marrëveshja thekson rëndësinë e shkëmbimit të informatave mes misionit të EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), duke marrë parasysh përvojën dhe kompetencat ekzekutive të EULEX-it për më shumë se një dekadë në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur. Ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it do të ofrojnë ndihmë të specializuar në të gjitha fushat që lidhen me personat e zhdukur, duke përfshirë antropologjinë dhe arkeologjinë mjeko-ligjore.
Po ashtu, në këtë linjë është arritur edhe një tjetër marrëveshje për vendosjen e zyrave të përkohshme në formë kontejneri në oborrin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Këto zyra të përkohshme do të jenë në shërbim të stafit të EULEX-it dhe të IML-së deri në përfundimin e renovimeve të hapësirave të IML-së.
Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kapaciteteve tona dhe ofrimit të një mjedisi të përshtatshëm pune për stafin e përfshirë në këto procese kritike.