
Sot është bërë hapja solemne e Qendrës Regjionale të Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) në Ferizaj. Në hapjen e kësaj qendre kanë marrë pjesë Zëvendësministrat e Drejtësisë, Daut Xhemajli e Abdyl Ymeri, krerët politik dhe të drejtësisë të Ferizajt, ndërsa është mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Me këtë rast, Zëvendësministri Xhemajli tha se, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë mbështetjen e Shërbimit Sprovues duke u krijuar atyre kushte më të mira për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në përmbushjen e detyrave të tyre, sidomos në drejtim të ri-socializimit dhe ri-integrimit të personave që kanë rënë ndesh me ligjin. “Përmes këtij shërbimi plotësohen edhe disa standarde ndërkombëtare për trajtimin e personave të dënuar, si dhe ndihmon qendrat korrektuese nga mbingarkimi me të dënuar”, tha Xhemajli.
Drejtoresha e Shërbimit Sprovues, Metije Ademi tha se, Ministria e Drejtësisë, është shumë e përkushtuar duke i kushtuar një rëndësi të veçantë fuqizimit të sistemit penal të Kosovës, ku bënë pjesë edhe Shërbimi Sprovues. ”Ministria e Drejtësisë është duke e inkurajuar zhvillimin e mëtejmë të këtij institucioni për të mundësuar shqiptimin më të madh të masave dhe dënimeve alternative”, tha Ademi.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetari i Gjykatës Themelore, Bashkim Hyseni, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Agron Qelaja dhe përfaqësuesja e UNDP-së, Virxhina Dumnica, përshëndetën punën e Ministrisë së Drejtësisë në fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe ofruan përkrahjen e tyre për të gjitha këto institucione.