Ministria e Drejtësisë, në partneritet me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe me mbështetjen e UN Women, ka nisur procesin e vlerësimit afatmesëm të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.
Në punëtorinë njëditore morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të shërbimeve sociale dhe familjare. Këshilltarja Nazlie Bala theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe falënderoi institucionet për angazhimin në zbatimin e strategjisë.
Qëllimi i vlerësimit është të identifikohen arritjet, sfidat dhe pengesat, si dhe të nxirren rekomandime për zbatimin e Planit të Veprimit gjatë viteve 2025-2026, duke rritur efikasitetin dhe efektivitetin e Strategjisë.
Në ditët në vijim do të zhvillohen tryeza, takime dhe diskutime të tjera për të forcuar mekanizmat institucionalë, përmirësuar koordinimin ndërinstitucional dhe garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat e dhunës, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.