Skip to content
Fillon punën Task Forca e përbashkët për adresimin e sfidave të dala nga Raporti i Progresit 2013 për SHKK

Fillon punën Task Forca e përbashkët për adresimin e sfidave të dala nga Raporti i Progresit 2013 për SHKK

Prishtinë, 25/11/2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka mbajtur takimin e parë me anëtarët e Task Forcës për mbështetjen e institucioneve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), me theks të veçantë Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Shefi i Sektorit të Fuqizimit, Peter Bach dhe Zëvendësshefja e Sektorit Ekzekutiv në EULEX, Jaroslava Novotna. Ministri Kuçi tha se ideja për krijimin e kësaj Task Force të përbashkët me EULEX-in, ka lindur nga nevoja për të adresuar dhe për të marrë masa ndaj të gjitha dukurive negative të raportuara në Raportin e fundit të Progresit 2013. Sipas tij, qëllimi i themelimit të kësaj Task Force është evidentimi dhe ndihma në eliminimin e dukurive negative në qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese të Kosovës, në veçanti për Qendrën Korrektuese në Dubravë, si dhe të paraqes rekomandime për përmirësimin e gjendjes në praktikë.

Kuçi tha se nga Task Forca pret ide, propozime dhe vendime që do të përmirësojnë Shërbimin Korrektues dhe imazhin e drejtësisë në Kosovë, ndërsa sigurojë mbështetjen e tij të plotë për të gjithë anëtarët e Task Forcës dhe në lidhje me çdo sfidë që ata mund të hasin. Ai ftoi anëtarët e Task Forcës për bashkëpunim të ngushtë dhe propozoi të mbahen takime në baza dy-javore në mënyrë që të vlerësohet përparimi i bërë dhe veprimet e mëtutjeshme. Lidhur me këtë, Kuçi deklaroi se të gjitha rekomandimet që do të dalin nga hulumtimet dhe konkludimet e Task Forcës do të përkthen në vendime konkrete që do të ndikojnë në përmirësimin e situatës në praktikë. 

Në anën tjetër edhe përfaqësuesit e EULEX-it, përshëndeten vendimin e Ministrit Kuçi për themelimin e kësaj Task Force, duke e vlerësuar atë si një ndër vendimet më të rëndësishme të marra deri më tani lidhur me Shërbimin Korrektues të Kosovës. Të gjithë u shprehën të përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta. Të gjitha këto u konfirmuan nga udhëheqësit e EULEX-it dhe nga gjithë anëtarët e Task Forcës, përfshirë ata të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës. 

Ushtruesi i Detyrës së SHKK-së, Shemsi Hajrizi tha se themelimi i Task Forcës  ka qenë i mirëseardhur si për stafin menaxhues të qendrave korrektuese e të paraburgimit, ashtu edhe për Shërbimin Korrektues në përgjithësi. Ai tha se Drejtoria e SHKK-së, do të ofrojë bashkëpunim dhe mbështetje të plotë për këtë Task Forcë dhe se atyre do i`u garantohet liri e plotë e veprimit drejt përmbushjes së objektivave të tyre. Më pas, anëtarët e Task Forcës zhvilluan takimin e parë të tyre ku diskutuan për planin e punës, afatet e paraqitjes së rekomandimeve, si dhe përcaktuan modalitet e veprimeve brenda për brenda Task Forcës. 

Task Forca përbëhet nga përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe do të udhëhiqet nga Bajram Bujupi, Zëvendësdrejtor i SHKK-së, ndërsa anëtar janë edhe Agim Maliqi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Fehmi Hoti nga Policia e Kosovës, Besim Kusari, nga Prokuroria e Shtetit, Peter Windsor, Këshilltar për Siguri në EULEX, Robert Kucharski, Prokuror i EULEX-it dhe Nuno Madureira, Gjyqtar në radhët e EULEX-it.

Foto Galeria

Skip to content