Skip to content
Finalizohet Koncept Dokumenti për Gjykatën Administrative dhe të Punës

Finalizohet Koncept Dokumenti për Gjykatën Administrative dhe të Punës

Prishtinë, 14/04/2023

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka vlerësuar punën dhe angazhimin e anëtarëve të këtij grupi të cilët tha ai, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme drejt finalizimit të këtij koncept dokumenti shumë të rëndësishëm.

Ministria e Drejtësisë, tha ai, është e përkushtuar në hartimin e legjislacionit përkatës i cili kontribuon në reformën në drejtësi dhe njëherit i mundëson të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës qasje më të lehtë në drejtësinë administrative.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë koncept dokument i cili, tha ai, i kontribuon më tej reformës në sistemin e drejtësisë, qoftë në strukturë, përmbajtje apo edhe sa i përket cilësisë në sistemin e drejtësisë.

Koncept Dokumenti trajton dhe krahason opsione të ndryshime, ndër të cilat edhe ndryshimet organizative ligjore drejt themelimit të Gjykatës së re Administrative dhe divizioneve të veçanta për kontestet e punës, me synim rritjen e efikasitetit, specializimit dhe eliminimit gradual të kontesteve të vjetra administrative dhe atyre të punës, që pa dyshim ngritin besimin e publikut në drejtësi.

Ky Dokument së shpejti do të publikohet për konsultim publik ku pritet përfshirje edhe më e gjerë e organizatave të ndryshme jo-qeveritare dhe palëve tjera të interesuara.

Foto Galeria

Skip to content