Skip to content
Fjala e ministres Haxhiu në Konferencë për media

Fjala e ministres Haxhiu në Konferencë për media

Prishtinë, 28/02/2022

Sipas informacioneve nga Institucionet e sigurisë, personat e dyshuar, kanë hyrë nga Serbia në Kosovë po të njëjtën ditë, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë. Sipas institucioneve të sigurisë, personat në fjalë, nga kamerat, shihen duke u interesuar për të blerë veshmbathje ushtarake uniforma dhe çizme.

Mirëpo për shkak se policia ka rastisur të jetë aty ata kanë blerë vetëm 5 emblema të UÇK-së.

Institucionet e sigurisë, kanë informacione se të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici ka komunikime të shumta me persona nga Federata ruse, individë të strukturave të inteligjencës serbe, prandaj kanë mjaftuar këto informacione për të rritur dyshimin se personat në fjalë bashkë me struktura të Serbisë, të përgatisin ndonjë aktivitet që do të cenonte sigurinë dhe do të shtonte tensionet ndëretnike.

Përkundër këtyre informacioneve, Prokuroria Speciale ka liruar në procedurë të rregullt personat e dyshuar. Ky veprim i Prokurorisë është i befasishëm si për ne si Qeveri ashtu edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Neglizhenca apo moskokëçarja e Prokurorisë është injorim i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Këto janë veprime të çuditshme të Prokurorisë ndaj dyshimeve të rëndësishme që kanë ofruar institucionet e sigurisë.

Ne kërkojmë nga institucionet e vendit, që sidomos gjatë këtyre rrethanave të krijuara pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe rreshtimit të Serbisë krahë Rusisë, të kenë bashkëpunim të fuqishëm dhe jo injorim të rreziqeve të mundshme.

Në të kaluarën, vetëm kur kemi pasur bashkëpunim institucional dhe kujdes të shtuar e profesionalizëm kemi pasur sukses.

Këto veprime të fundit, dëshmojnë që reformat që kemi nisur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë janë të domosdoshme, janë më të nevojshme se kurrë dhe për të cilat do të punojmë pa ndalë.

Skip to content