
Të nderuar partner nga Ambasada Amerikane, Unioni Evropian, Ambasada Britanike,
Kam kënaqësinë t’ju mirëpres sot në këtë takim virtual në kuadër të Procesit të
Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.
Takimi im i fundit në këtë proces bashkë me ju, ishte në vitin e kaluar, kur së bashku
përmbyllëm fazën e dytë të Rishikimit Funksional dhe morën dritën e gjelbër për të
filluar hartimin e Strategjisë bazuar në ato rekomandime. Ndërkaq sot, kam kënaqësinë
që së bashku me ju të përmbyllim njërën nga proceset më analitike dhe reformuese në
sistemin tonë të drejtësisë.
Siç e dini, Procesi i Rishikimit Funksional ka filluar disa vite më parë, në kuadër të të
cilave janë bërë analiza të thella të sfidave kryesore në sundimin e ligjit në vendin tonë.
Secila prej analizave kishin dalë me rekomandimet e tyre specifike për të adresuar
sfidat që ishin identifikuar. Ato më pas u diskutuan në grupe punuese dhe, pas
diskutimeve të gjata, u përkrahen në takimin e Komitetit Drejtues vitin e kaluar. Pasoi
hartimi i strategjisë, së bashku me juve si anëtarë të grupeve e nën-grupeve punuese
dhe si rezultat i kësaj pune, Drafti i parë i Strategjisë u hap për konsultime publike në
janar deri në shkurt.
Dua të theksoj së ky proces është njëri nga proceset më të detajuara dhe më të
mirëmenduara të planifikimit strategjik në Kosovë. Ky proces, jo vetëm që u ka qëndruar
ndryshimeve të vazhdueshme politike në Kosovë, por gjatë gjithë kohës ka gëzuar edhe
përkrahjen e pakusht të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj unë dhe
bashkëpunëtorët e mi jemi shumë të interesuar që të përmbyllim procesin e miratimit të
kësaj Strategjie dhe të fillojmë sa më shpejtë zbatimin e rekomandimeve të dala nga ai.
Unë jam informuar se para publikimit të draftit të parë të Strategjisë, ekipi i MD-së ka
pasur takime të ngjeshura me partnerët kryesorë të këtij procesi, duke zhvilluar takime
intensive pune me KGjK-në, KPK-në dhe AD-në. Gjatë atyre ditëve, janë shikuar për së
afërmi secili rekomandim dhe janë bërë shumë ndryshime, sipas sugjerimeve të tyre.
Kjo është bërë për t’u siguruar se këto institucione që bartin barrën kryesore në zbatim,
janë të informuara dhe janë të pajtimit me këto aktivitete.
Për gjatë fazës së konsultimeve, ne kemi pranuar mbi 350 komente nga shumë
institucione. Më lejoni që t’ju falënderoj shumë për përkushtimin tuaj dhe për faktin se
secili prej jush keni analizuar për së afërmi tekstin përshkrues të strategjisë si dhe
planin e veprimit:
– Nga Unioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe UNDP bashkë, kemi pranuar komente
shumë specifike, të cilat do të ndihmojnë gjithsesi që të përmirësojmë tutje Strategjinë,
duke ndihmuar shpesh në konkretizimin e shumë rekomandimeve. Një numër i madh i
tyre janë lehtë të adresueshme në përmbajtje, dhe këtë kemi filluar ta bëjmë tash.
Ndërkaq, janë disa të tjera të cilat kërkojnë diskutim të mëtutjeshëm, për ç’arsye edhe
do të kërkojmë që të takohemi me ju;
– Kemi pranuar komente edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për të cilat gjithashtu
jemi falënderues meqë tregon përkushtimin e tyre ndaj këtij procesi. Me aq sa jam
informuar, thuajse të gjitha këto komente janë adresuar dhe diskutuar para hartimit të
draftit publik, por kemi vërejtur se ende janë disa çështje për të cilat ka dilema. Prandaj,
është e nevojshme që të kemi edhe një takim përfundimtar për të sqaruar edhe këto
dilema të fundit, veçanërisht edhe për t’i diskutuar tash edhe disa ndryshime që janë
propozuar nga komentuesit.
– Në këtë drejtim, është e rëndësishme që të përmenden edhe komentet e dërguara nga
Akademia e Drejtësisë, shumicën e të cilave do t’i adresojmë me ligjin e ri për
Akademinë;
– Jemi gjithashtu shumë falënderues për komentet e OSBE-së të cilët kanë vënë në pah
disa çështje shtesë që kërkojnë konsideratën tonë, dhe të cilat duhet t’i diskutojmë më
afër me KGjK-në;
– Nga komentet që kemi marrë nga Policia, kemi parë se jemi përgjithësisht në vija të
njëjta me idetë për reformat e nevojshme në Polici. Megjithatë, për modalitetet se si të
arrihet tek ato reforma, mendojmë se kemi nevojë të diskutojmë me Policinë, meqë
kemi dallime – jo shumë të mëdha – në to;
– U jemi gjithashtu shumë falënderues organizatave të shoqërisë civile – GLPS, Rrjetit
të Grave të Kosovës dhe Advancing Together, për komentet e tyre dhe të cilat gjithsesi i
kemi shqyrtuar bashkë dhe do të mundohemi t’i reflektojmë maksimalisht.
– Dhe në fund, kemi pranuar komente nga Zyra për Planifikim Strategjik, me të cilët
kemi qenë vazhdimisht në kontakt, komentet e të cilëve më shumë kanë të bëjnë me
formën e strategjisë dhe matjen e rezultatit të implementimit. Natyrisht, do t’i adresojmë
edhe komentet e tyre meqë janë të rëndësishme për qëllimin tonë final – e që është
zbatimi i mirë i strategjisë.
Si rrjedhojë, takimi i sotëm është më shumë me qëllim përditësues mbi atë se cilat kanë
qenë zhvillimet e kohëve të fundit, prej ardhjes sime në Ministri, dhe si po planifikojmë
të vazhdojmë më tej. Institucionet që i përmenda më parë, janë në mesin e atyre me të
cilët ne gjithsesi planifikojmë të mbajmë takime individuale gjatë javëve në vijim.
Megjithatë, mirëpresim edhe takime të tjera apo konsiderata tjera që duhet t’i kemi
parasysh.
Ne jemi të hapur për sugjerimet tuaja të tjera për këtë. Më me rëndësi, unë sot dua që t’i
falënderoj secilin institucion që ka kontribuar në zhvillim të kësaj strategjie dhe uroj që
së bashku të shohim këtë strategji drejtë miratimit dhe implementimit të saj të
suksesshëm nga institucionet tona.
Me shumë kënaqësi sot ua jap fjalën Kryesuesit të KGjK-së, z. Skender Çocaj,
Kryesuesit të KPK-së, z. Jetish Maloku dhe të gjithë përfaqësuesve të institucioneve që
duan të shprehin pikëpamjen e tyre.
Ju faleminderit!