E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula,
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Kosovës, shumë e dashur Albulenë,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të kabinetit qeveritar,
deputete e deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
përfaqësues të institucioneve qendrore dhe komunale, vendore dhe ndërkombëtare, ju ambasadorë të pranishëm
Shumë të nderuar përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës, Qendrave për Punë Sociale dhe mekanizmave për mbrojtjen e viktimave,
të gjithë ju përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe të mediave,
shumë të dashur të pranishëm,
Në momentin kur një grua vendos ta raportojë dhunën, ajo shpesh ka kaluar një kohë të gjatë në frikë. Ka menduar për fëmijët, ka menduar për vendin ku do të strehohet, për mënyrën se si do të jetojë. Ka menduar nëse dikush do ta besojë atë cfarë thotë dhe çfarë do të ndodhë pasi të kërkojë ndihmë.
Prandaj, kur i themi “Raporto dhunën”, duhet ta kuptojmë peshën e këtyre fjalëve. Po i kërkojmë thjesht të na besojë. T’i besojë Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të viktimave, prokurorisë, gjykatës dhe të gjitha instancave tjera. T’i besojë se shtetit se do ta mbrojë. Dhe këtë besim, zonja dhe zotërinj, duhet ta meritojmë.
Sot, kur po hapim 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, këtë përgjegjësi dua edhe ta vendos në qendër të fjalës sime.
Gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti, në Kosovë janë vrarë tetë gra, familjet e të cilave këtë humbje e ndiejnë çdo ditë.
Për institucionet, secili rast kërkon përgjigje: çfarë dinim, si vepruam dhe a u bë gjithçka që ishte e mundur për ta mbrojtur jetën e tyre?
Rasti i znj. Arlinda Zekajt na përball me këto pyetje. Si Ministre e Drejtësisë, e konsideroj detyrim që ato të marrin përgjigje të plota. Duhet të shqyrtohet çdo vendim dhe çdo mosveprim që mund të ketë ndikuar në mbrojtjen e saj.
Ky shqyrtim kërkon seriozitet, paanshmëri dhe gatishmëri për t’i pranuar dështimet aty ku ato konstatohen. Familja e saj meriton përgjigje, djali i saj meriton përgjigje. Gratë që sot jetojnë në rrezik kanë nevojë që nga këto përgjigje të dalin ndryshimet e nevojshme.
Të nderuar të pranishëm,
Gjatë periudhës janar–tetor 2026 janë evidentuar 2 303 raste të dhunës në familje, me 2 361 viktima. Prej tyre, 1 797 janë gra dhe vajza.
Për një grua që kërkon ndihmë, rëndësi vendimtare ka ajo që ndodh pas raportimit. A dëgjohet? A vlerësohet rreziku? A ka një vend të sigurt ku mund të shkojë me fëmijët? A zbatohen masat mbrojtëse?
Pikërisht aty edhe provohet puna jonë.
Policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale, mbrojtësit e viktimave dhe strehimoret kanë përgjegjësi të ndryshme, por të gjitha së bashku punojnë për sigurinë e të njëjtit person. Informacioni që ka një institucion mund të jetë vendimtar për veprimin e institucionit tjetër.
Një grua që është duke u përpjekur të dalë nga dhuna nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve tona. Këtë detyrë e kemi ne, na takon neve.
Në rastet me rrezik të lartë, vonesat mund të kenë pasoja të rënda. Prandaj, vlerësimi i rrezikut, shkëmbimi i informacionit dhe zbatimi i masave mbrojtëse kërkojnë vëmendje të përditshme. Një kërcënim i përsëritur duhet të ndikojë në reagimin institucional.
Kështu e shoh edhe punën për Strategjinë e re Kombëtare 2027–2031, e cila do të adresojë problemet konkrete: ku vonohet reagimi, ku mungojnë shërbimet dhe ku mbetet e paqartë përgjegjësia. Për çdo masë duhet të dihet kush përgjigjet dhe si do të vlerësohet rezultati.
Mbështetja duhet të vazhdojë edhe pas raportimit. Një grua mund të ketë nevojë për strehim, ndihmë juridike dhe mbështetje psikologjike. Mund të ketë nevojë për mundësi ekonomike që të rindërtojë jetën e saj, një perspektivë profesionale, të cilën nuk do të mund ta arrijë pa mbështetje institucionale.
Ndihma juridike falas dhe kompensimi i viktimave janë pjesë e kësaj përgjigjeje. Edhe trajtimi psikosocial i kryerësve të dhunës ka rëndësi për parandalimin e përsëritjes së saj, krahas përgjegjësisë për veprimet e tyre.
Të dashur të pranishëm,
Nga fjalimet e natës së sotme, 3 gratë, Presidentja, Kryetarja e Kuvendit, Koordinatorja për Dhunë në Familje, mund të krijohet përshtypja edhe sonte që kjo është çështje e grave. Por pa ju të nderuar vëllezër, pa ju të nderuar zotërinj, nuk do të mund ta fitojmë betejën kundër dhunës ndaj grave.
Prandaj, ju ftoj që me të gjithë fuqinë që keni, me gjithë dijen që keni të na përkrahni në këtë rrugë të gjatë, të vështirë, por secili sukses që arrijmë është një sukes me shumë.
Të nderuar të pranishëm,
Parandalimi kërkon të kundërshtojmë mendësitë që e ushqejnë dhunën: bindjen se dikush ka të drejtë të kontrollojë jetën e një gruaje dhe presionin që ajo të heshtë, me qëllim që gjoja, për ta mbajtur familjen bashkë.
Grave dhe vajzave që përballen me dhunë dua t’u them: dhuna nuk është faji juaj, nuk është përgjegjësia juaj. Kur kërkoni mbrojtje dhe jetë të sigurtë, ju kërkoni vetëm atë që ju takon.
Dua të shpeh mirënjohje të thellë për të gjithë profesionistët dhe organizatat që qëndrojnë pranë viktimave çdo ditë. Përvoja juaj duhet të dëgjohet dhe puna juaj duhet të mbështetet edhe më shumë.
Thirrja jonë “Raporto dhunën” na ngarkon
edhe neve me një detyrim: ta meritojmë besimin që kërkojmë, duke vepruar në kohë.
Kjo është puna jonë 16 ditë, por përtej tyre, çdo ditë të vitit.
Më lejoni te ju njoftoj gjithashtu që ushqimet të cilat do t’i shijojmë pas pak, por edhe të gjitha këto lule të bukura dhe shallat ngjyrë portokalli janë përgatitur nga gratë të cilat vuajnë dënimin në burgun e Lipjanit dhe në Prishtinë, prandaj ato në shenjë solidariteti me Arlindën dhe me të gjitha gratë që përballen me dhunë në familje dhe në shoqëri kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për natën e sotme.
I falënderoj ato përzemërsisht dhe juve të gjithëve ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj dhe për kontributin tuaj që jepni çdo ditë.