Skip to content
Fjala e plotë e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë në prezantimin e raportit për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt

Fjala e plotë e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë në prezantimin e raportit për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt

Prishtinë, 30/10/2026
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Më 26 tetor, një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga dy ministritë tona pra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë që brenda kompetencave tona dhe brenda 72 orëve të paraqesim raport të detajuar lidhur me atë cka dinë institucionet tona lidhur me këtë rast tragjik.
Dje, më 29 tetor, Kryeministrit i është dorëzuar raporti i hartuar nga Zyra e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse dhe analizon veprimet dhe mosveprimet e tyre nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt, më 10 korrik, e deri tek vrasja e saj, më 25 tetor 2026.
Raporti është vetëm pjesërisht i plotë, sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre nuk ka marrë madje asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje, presim ende dokumentacion dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale.
Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj.
Çfarë dinin institucionet?
Më 10 korrik 2026, pra sipas dokumentacionit që deri tash e kemi në dispozicion, Arlinda Zekaj raportoi në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj. Pra këtu fillon, më datën 10 korrik nga ajo që dim deri tash.
Ajo raportoi kërcënimet, dorëzoi prova për veprimet e dhunshme dhe informoi Policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.
Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar.
Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë, ajo raportonte se bashkëshorti por edhe familjarë të bashkëshortit të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj.
Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhër mbrojtjeje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë.
Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj.
Pra, rreziku ishte raportuar shprehimisht dhe ishte i dokumentuar.
Gjykata Themelore në Pejë:
Raporti konstaton shkelje të afateve ligjore në trajtimin e kërkesës së Arlinda Zekajt nga Gjykata Themelore në Pejë.
Më 7 shtator, Gjykata miratoi pjesërisht kërkesën për mbrojtje emergjente.
Më 9 shtator, pra 2 ditë më vonë Arlinda Zekaj kundërshtoi vendimin, sepse ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj.
Sipas nenit 48 të Ligjit Nr. 08/L-185, Gjykata ka në dispozicion vetëm shtatë ditë, pra jo një kohë të pafund për të vendosur mbi kundërshtimin, gjë që i binte deri më datën 16 shtator do të duhej të kishte përfunduar procedura në gjykatë.
Por seanca u thirr vetëm më 24 shtator. U shty. Vazhdoi më më 5 tetor, ku zgjati zgjati vetëm 15 minuta. U shty përsëri, edhe për shkak të mungesës së raportit të Qendrës për Punë Sociale, u shty përsëri dhe u mbajt më 13 tetor. Pra, gati me një muaj vonesë.
Vetëm më 16 tetor u nxor aktvendimi për urdhër mbrojtjeje.Më shumë se një muaj jasht afatëve ligjore.
Pra, një procedurë për të cilën ligji parashikon shprehimisht shtatë ditë, zgjati më shumë se një muaj.
Por raporti evidenton edhe një tjetër fakt shqetësues.
Më 17 shtator, një ditë pasi ka kaluar afati ligjor Arlinda Zekaj iu drejtua Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, duke paralajmëruar për vonesat dhe rrezikun ndaj jetës së saj.
Përgjigjja nuk i erdhi me 20 shtator, por i erdhi më 20 tetor, më shumë se një muaj më vonë.
Në këtë përgjigje, Kryetari i Gjykatës konstanton se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve ligjore.
Dokumentacioni ynë dhe ligji tregon dicka krejt tjetër.
Po më 20 tetor, po të njëjtën ditë, Arlinda Zekaj i shkroi përsëri Kryetarit të Gjykatës, duke shprehur zhgënjimin e saj të thellë dhe duke paralajmëruar se do ta vrisnin si pasojë e neglizhencës institucionale.
Pesë ditë më vonë ajo tragjikisht, ajo u vra.
Raporti evidenton gjithashtu se vendimet gjyqësore për kthimin e saj në shtëpi nuk ishin zbatuar.
Më 20 dhe 21 tetor, Qendra për Punë Sociale e njoftoi zyrtarisht gjyqtarin Migjen Kastrati për moszbatimin e urdhrit mbrojtës.
Nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, nuk rezulton se gjyqtari ka ndërmarrë veprime të mëtejshme të parapara me ligj për adresimin e kësaj situate. Deri sot, nuk kemi asnjë sinjal se në cilën formë do të adresohen këto shkelje të gjyqtarit përgjegjës, por edhe të kryetarit të gjykatës në Pejë.
Prokuroria Themelore në Pejë:
Edhe lidhur me veprimet e Prokurorisë, raporti evidenton probleme serioze.
Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt që nga 10 korriku.
Dokumentacioni tregon se për zhvillimet e rastit ishin informuar vazhdimisht prokurorët përgjegjës dhe Kryeprokurorja e atëhershme, Lumturie Vuçetaj.
Veçanërisht shqetësues është edhe një fakt.
Më 23 tetor, pra vetëm dy ditë para vrasjes, edhe Kryeprokurorja ishte informuar me shkrim se Arlinda Zekaj kishte raportuar një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj.
Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje dhe kishte kërkuar nga personi i dyshuar të siguronte pamjet e kamerave të sigurisë.
Nuk kemi dokumentacion që tregon nëse këto pamje janë dorëzuar dhe cilat veprime të mëtejshme janë ndërmarrë.
Dy ditë më vonë, Albert Sylaj dyshohet se vrau Arlinda Zekajn me sëpatë.
Raporti evidenton edhe mosadresimin e vazhdueshëm të kërkesës së saj për t’u kthyer në shtëpinë e vet.
Në vend që të zbatohej vendimi gjyqësor, asaj iu rekomandua ta zgjidhte çështjen e pronës së saj përmes një kontesti civil.
Në disa raste, asaj iu rekomandua të largohej nga shtëpia për arsye sigurie.
Pra, në vend që të largohej rreziku nga viktima, viktimës i kërkohej të largohej nga rreziku, duke hequr dorë nga shtëpia e saj.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime për vlerësimin e rrezikut nga familjarët e bashkëshortit dhe për mosadresimin e shqetësimeve lidhur me qëndrimin e fëmijës te persona të tretë.
Në këtë kontekst, duhet përmendur se tashmë janë suspenduar dy nga prokuroret e përfshira në trajtimin e rastit.
Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e shqyrtimit të përgjegjësive institucionale. Suspendimi, natyrisht, nuk përbën konstatim përfundimtar të përgjegjësisë, por mundëson zhvillimin e procedurave përkatëse pa pengesa.
Presim që sistemi prokurorial të vazhdojë shqyrtimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve, të sqarojë të gjitha rrethanat dhe, aty ku konstatohen shkelje, të ndërmarrë masat e parapara me ligj.
Qendra për Punë Sociale në Pejë:
Nga korriku deri në tetor, Qendra për Punë Sociale kishte komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn.
Megjithatë, raporti evidenton se Qendra nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët.
Po ashtu, Qendra nuk e dorëzoi, ashtu sic ishte kërkuar nga gjykata, brenda afatit raportin e kërkuar.
Më 5 tetor, përfaqësuesi i saj mungoi në seancë dhe raporti nuk ishte dorëzuar, duke kontribuar në shtyrjen e mëtejshme të procedurës.
Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka deklaruar se kishte kërkuar vazhdimisht pra çdo dite, raportin nga zyrtari përgjegjës, Durim Kelmendi, por pa rezultat.
Raporti trajton edhe çështjen e fëmijës së mitur.
Vlerësimi i psikologes klinike përmban të dhëna që kundërshtojnë paraqitjen e thjeshtuar publike se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën e tij.
Për shkak të mbrojtjes së privatësisë dhe interesit në të mirë të fëmijës, nuk do të hyjmë në hollësi sot.
Një tjetër çështje është përgjegjësia e Komunës së Pejës për mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale. Ju e dini që kryetari i Komunës ka kompetenca të veçanta të parapara me Ligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje. Pra siç jam unë Kordinatore Nacionale, kryetari i Komunës është Koordinator lokal.
Deri në përfundimin e raportit, nga Komuna kemi marrë vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, që konfirmon se rasti është diskutuar në Mekanizmin Koordinues Komunal.
Nuk kemi marrë informacion për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara dhe as për planet që ka komuna për ditët e ardhshme.
Për këtë presim sqarime edhe nga Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherri.
Përgjegjësia institucionale dhe hapat e ardhshëm:
Më 26 tetor, një ditë pas vrasjes, në Ministrinë e Drejtësisë së bashku me kolegun Svecla dhe kolegun Andin Hoti kemi mbajtyur një takim i jashtëzakonshëm me institucionet përgjegjëse.
Gjatë këtij takimi u vu re një tendencë shqetësuese të cilën e kemi adresuar gjatë takimit për të relativizuar mosveprimet dhe për të arsyetuar veprimet e institucioneve përgjegjëse dhe për ta bërë viktimën bashkëpërgjegjesë për fundin e saj tragjik.
Nuk është detyra jonë të gjejmë arsyetime për institucionet. Është detyra jonë të kërkojmë përgjigje për veprimet dhe mosveprimet e tyre.
Nga dokumentacioni që kemi shqyrtuar, krijohet bindja se vrasja e Arlinda Zekajt, me shumë gjasë, mund të ishte parandaluar.
Duhet të shqyrtohet edhe një pyetje tjetër: a mund të shpjegohen të gjitha këto mosveprime vetëm me neglizhencë, apo ka pasur edhe ndikime të jashtme, përfshirë ndikime të mundshme nga qarqe politike apo kriminale?
Raporti nuk përmban prova të drejtpërdrejta për një ndikim të tillë. Por përmasat dhe përsëritja e mosveprimeve e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie.
Sepse nuk mjafton të konstatojmë se institucionet kanë dështuar. Duhet të zbardhim edhe pse kanë dështuar.
Të nderuar qytetarë,
Dhuna ndaj grave dhe femicidi nuk janë dukuri të izoluara të Kosovës. Ato përbëjnë një problem serioz në të gjithë Evropën, në të gjithë botën, përfshirë shtetet me institucione edhe më të konsoliduara se sa tonat.
Por ky konstatim nuk ndihmon. Ky konstatim nuk mund të shërbejë si arsyetim për dështimet tona.
Gjatë viteve të fundit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e kornizës ligjore, në zhvillimin e mekanizmave institucional, në mbështetjen e viktimave dhe në koordinimin e institucioneve përgjegjëse.
Këto arritje duhet t’i ruajmë edhe duhet t’i zhvillojmë më tej.
Por rasti i Arlinda Zekajt është dëshmia më e mirë se as ligjet e mira, as strategjitë dhe as mekanizmat institucionalë nuk janë të mjaftueshëm, nëse zbatimi i tyre nuk kontrollohet dhe nëse moszbatimi mbetet pa pasoja.
Prandaj, duke forcuar atë që ka funksionuar, duhet të identifikojmë pa hezitim atë që nuk ka funksionuar dhe të ndryshojmë qasjen aty ku është e nevojshme.
Në këtë kuadër, do të ndërmarrim një shqyrtim të procedurave ekzistuese për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, veçanërisht të vlerësimit të rrezikut, zbatimit të urdhrave mbrojtës dhe përgjegjësive të institucioneve në secilën fazë të procedurës.
Nuk mjafton të kontrollojmë nëse një procedurë është zhvilluar. Duhet të kontrollojmë nëse ajo është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe nëse ka ofruar mbrojtjen që e kërkon ligji.
Për këtë arsye, Zyra e Koordinatores Kombëtare po shqyrton mundësinë ligjore të krijimit të një mekanizmi të posaçëm për kontrollin e rregullt të respektimit të detyrimeve ligjore dhe procedurave institucionale, përfshirë edhe rastet që institucionet i konsiderojnë tashmë të përfunduara.
Aktualisht po shqyrtojmë pra bazën ligjore dhe kompetencat e nevojshme për një mekanizëm të tillë.
Këto përfundime do të jenë të rëndësishme edhe për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore për periudhën 2027–2031.
Zyra e Koordinatores Kombëtare, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të angazhohet që strategjia e re të mbështetet në një vlerësim kritik të përvojave të deritanishme dhe në mekanizma më të fuqishëm të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.
Dua të përshëndes edhe vendimin e djeshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
E konsiderojmë këtë një hap shumë të rëndësishëm.
Siç e dini, Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca ligjore të ndërhyjë në punën e gjykatave dhe prokurorive, të kërkojë llogari drejtpërdrejt nga gjyqtarët dhe prokurorët për vendimmarrjen e tyre apo të zhvillojë hetime ndaj tyre. Po ashtu, Ministria nuk ka kompetenca hetimore mbi veprimet e Policisë.
Këto kufizime burojnë nga ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve, parime që duhet të respektohen pa përjashtim.
Pikërisht për këtë arsye, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar ka rëndësi të veçantë.
Presim që komisioni, duke shfrytëzuar kompetencat ligjore për mbledhjen e dokumentacionit, kërkimin e informacioneve dhe dëgjimin e personave përgjegjës, të kontribuojë në zbardhjen e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve institucionale.
Shpresojmë që puna e tij të na japë një pasqyrë sa më të plotë dhe të qartë të asaj që ka ndodhur në të gjitha hallkat institucionale, të identifikojë gabimet dhe mangësitë dhe të ndihmojë në përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Komisioni hetimor parlamentar do ta ketë mbështetjen tonë të plotë. Zyra e Koordinatores Kombëtare dhe Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojnë me transparencë dhe do të vënë në dispozicion, brenda kompetencave dhe detyrimeve ligjore, dokumentacionin dhe informacionet e nevojshme për punën e tij.
Qëllimi ynë është i përbashkët: të zbardhet e vërteta, të identifikohen përgjegjësitë dhe të nxirren përfundime që do të ndihmojnë në parandalimin e tragjedive të ngjashme.
Arlinda Zekaj kërkoi vazhdimisht, madje edhe disa herë në ditë mbrojtje nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo paralajmëroi se jeta e saj ishte në rrezik. Dhe megjithatë, më 25 tetor, ajo u vra.
Raporti që kemi dorëzuar dje, nuk është vendim gjyqësor dhe nuk përcakton përgjegjësi penale. Por ai evidenton mangësi serioze në funksionimin e institucioneve përgjegjëse.
Këto mangësi nuk mund të relativizohen.
Dhe përgjegjësitë që dalin prej tyre nuk mund të mbeten pa u shqyrtuar.
Mbrojtja e grave nga dhuna nuk mund të varet nga vullneti apo përkushtimi individual i një zyrtari. Ajo është detyrim ligjor i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Dhe mosrespektimi i tyre duhet të ketë pasoja serioze.
Faleminderit.

Foto Galeria

Skip to content