
I nderuar President Thaçi,
E nderuara Znj. Apostolova,
I nderuari ambasador Delawie,
Të nderuar përfaqësues të gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë së Kosovës,
Zonja e zotërinj,
Në ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, gjendemi përballë sfidave si shoqëri dhe si institucione. Kjo dukuri është e shprehur edhe në vende shumë të zhvilluara, si Evropiane ashtu edhe botërore, përderisa sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Kosova radhitet në grupin e dytë për trafikim – vendet e grupit të dytë janë vende që nuk i përmbushin plotësisht standardet, mirëpo bëjnë përpjekje për t’i përmbushur ato, mirëpo sfidat ende mbesin. Ne mund dhe duhet të shënojmë rezultate më të mira.
Gjithashtu, është shumë e vërtetë që vit pas viti në Republikën e Kosovës është rritur interesimi, puna dhe aktiviteti për parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore. Kjo punë është e rregulluar edhe me ligjin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të Krimit në bazë të nenit të 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ministria e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave të saj, është duke punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit penal, në këtë kuadër ka sponsorizuar ligjin për kompensimin e viktimave të krimit, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, të cilën shfrytëzoj rastin ta falënderoj për ndihmën e vazhdueshme në këtë fushë.
Në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore nuk mund të dalim të vetëm, kërkon shumë institucione dhe njerëz të cilën i kanë kompetencat e ndara. Duke filluar nga Policia e Kosovës me Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke vazhduar me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial e Ministrinë e Drejtësisë, deri tek Prokurori i Shtetit, Gjykata, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave dhe Shoqëria Civile e Organizatat Jo Qeveritare.
Sot, këtu besoj se të gjithë jemi të mbledhur t’i japim një dimension tjetër Luftës Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, duke shfaqur edhe një herë interesimin tonë si human ashtu edhe institucional. Kjo çështje kërkon aksion të menjëhershëm, shumë të vendosur dhe të orientuar kah rezultatet, e kjo mund të ndodhë vetëm me respektimin e ligjit, për mbrojtjen e viktimave. Përparësia që i japim kësaj përpjekje duhet të jetë prioritet absolut.
Viktimat e trafikimit nuk njohin moshë, gjini apo nacionalitet; ata njohin një histori të njëjtë. Histori kjo që daton sa historia e njeriut. Pra, duhet ta vendosim veten në lëkurën e secilit person që ka kaluar nëpër këtë tmerr. Është krim serioz dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ka ardhur koha që t’i japim edhe më shumë zell kësaj lufte. Që zëri i të gjitha viktimave të dëgjohet. Që të vihet drejtësi për ta. Që Kosova të jetë bashkëpunëtore e denjë në luftën ndërkombëtarë kundër këtij krimi.
Së bashku me segmentet tjera për sundimin e ligjit, do të punoj drejtë eliminimit të të gjitha formave të trafikimit, duke filluar nga identifikimi i hershëm i viktimave, si dhe ndihma dhënë atyre, më pas edhe me identifikimin e metodave për bashkërendim të veprave të trafikantëve dhe për këtë do të punojmë së bashku me Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Gjykatat, Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, OJQ-të dhe të gjitha Institucionet Kombëtare dhe Ndërkombëtare.
Slogani jonë i përbashkët në këtë luftë duhet të jetë VEPRIMI. Duhet të jemi të gatshëm të marrim modele të suksesshme të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, ashtu që të jemi sa më efektiv në iniciativën që kemi marrë.
Të nderuar të pranishëm,
Unë kam marrë vendimin për Rishikim e Kodit Penal, si dhe të Kodit të Procedurës Penale, dhe synimi i jonë është fuqizimi i mëtejmë i legjislacionit të fushës penale, me qëllim të fuqizimit të luftës kundër krimit në përgjithësi, me këtë rast edhe kundër të gjitha formave të trafikimit.
Ju faleminderit!