
Para këtij adresimi, së bashku edhe me Ambasadorin, mbajtëm takim me të gjithë akterët që kanë qenë të involvuar në procesin e draftimit të Kodit Civil, të cilët shfrytëzoj rastin t'i falënderoj përsëri për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e lartë që e kanë dhënë gjatë tërë procesit.
Rëndësia e kodifikimit të domenit civil ka rëndësi imanente për sistemin tonë të drejtësisë, andaj edhe e kemi trajtuar me prioritet qysh nga dita e parë e mandatit tonë.
Është e vlefshme t'ju informoj se dispozitat dhe normat që janë përpiluar në Kodin Civil, janë tejet të avancuara dhe të harmonizuara plotësisht me linjën e standardeve më të fundit që i kanë paraparë shtetet e Bashkimit Evropian në fushën civile.
Ndihma shumëdimensionale e Zyrës së BE-së ka qenë faktor i rëndësisë së veçantë për institucionin tonë përgjatë secilës fazë të tërë procesit, për çfarë, edhe këtu para jush, dëshiroj ta falënderoj përzemërsisht Ambasadorin Szunyog.
Sigurisht se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në shumë projekte e fusha të tjera, dhe duke qenë ngushtë të bashkërenduar, jam e sigurt se do të shënojmë shumë suksese të tjera të përbashkëta."