Skip to content
Fjalimi i Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i mbajtur në Konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe USAID, me temën: Procesi i Trashëgimisë – Zvogëlimi i jo formalitetit dhe Garantimi i të drejtave pronësore të gruas në Kosovë

Fjalimi i Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i mbajtur në Konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe USAID, me temën: Procesi i Trashëgimisë – Zvogëlimi i jo formalitetit dhe Garantimi i të drejtave pronësore të gruas në Kosovë

Prishtinë, 25/10/2016

I nderuari, Ambasador Delawie,
Të nderuara deputete e deputetë 
Të nderuar të pranishëm, Zonja e zotërinj, 

Në konferencën dedikuar realizimit të të drejtave pronësore të grave, përpos në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, ju flas edhe si nënë, bijë, motër dhe grua. Dua të flas edhe si gruaja-gruas. Ajo që ju them sot këtu, grave e motrave, i them edhe vajzës sime “MOS HIQ DORË NGA E DREJTA JOTE”.

Ju keni të drejtë!

Më lejoni që t’i shpreh mirënjohje zyrtarëve të përfshirë në përmirësimin e infrastrukturës me qëllim të fuqizimit dhe garantimit të të drejtave të gruas duke përfshirë në planin legjislativ ndryshimet e ligjit me qëllim të rregullimit dhe avancimit të kësaj fushe, të ndjeshme dhe të domosdoshme. 

Mirënjohje të veçantë i shpreh edhe ish Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Kabinetit të tij, për përkushtimin rreth kësaj çështjeje.

Falënderoj po ashtu, Ambasadën e SHBA-së, Ambasadorin Delawie dhe USAID-in, që këtë temën e të drejtave pronësore të grave e trajtuan me prioritet.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një gruaje njëjtë si një burri, i garantohet e drejta në pronë, e drejta në trashëgimi. Çështje thelbësore është përgjigja në pyetjen:

Pse gruaja heq dorë nga diçka që i takon ligjërisht? 

Sipas statistikave të fundit të regjistrimit të pronës, gratë janë në numër të vogël në këto lista. Edhe pse jo të diskriminuara ligjërisht, ne sot jemi dëshmitarë të ekzistimit të pengesave të natyrave të ndryshme në trashëgimi tek gratë. Pengesat janë të natyrës kulturore, tradicionale apo edhe për mungesë të informacionit.

Kjo konferencë i dedikohet angazhimit tonë që informatat mbi dispozitat ligjore që ekzistojnë, për të cilat palët mund të mos kenë njohuri, të njihen dhe të promovohen. 

Avancimi i të drejtave të grave në pronë nuk mund të trajtohet ndaras nga fenomenet tjera sociale dhe ekonomike. 

Heqja dorë nga pasuria është e drejtë e secilit, mirëpo, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në shkëputje të grave nga kjo e drejtë, ashtu që të njëjtat, përkundër të drejtës për të qenë trashëgimtare me qëllim të respektimit të ndonjë tradite zakonore, apo me qëllim të përmbajtjes së pritjeve që mund të kenë anëtarët tjerë nga gruaja që të mos trashëgojë, ajo në një formë vetëprivohet nga trashëgimia. 

Institucionet që zbatojnë legjislacionin duhet të kenë vëmendjen e veçantë te fenomenet e këtij lloji. Institucionet shtetërore nuk duhet të promovojnë praktika të kundërta me të drejtat që u takojnë palëve që gratë në një formë apo tjetër të shtyhen apo detyrohen të heqin dorë nga trashëgimia apo nga prona për shkak të pengesave jo-formale, tradicionale apo zakonore.

Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, të barazisë dhe fuqizimin e gruas dhe të drejtave të saj, kjo fushë do të jetë një nga prioritetet e mandatit tim, andaj, jam krenare që sot po kontribuojmë bashkë me këtë aktivitet duke i shërbyer këtij qëllimi.

Gratë do të doja që ta minimalizojnë dukurinë e heqjes dorë nga prona, pa dëshirë, nga frika, nga paragjykimet, doket apo nga shkaku i faktorit traditë. Çdo grua duhet ta kuptojë se është e barabartë në pronë dhe trashëgimi. 

Të nderuar të pranishëm, 

a ligje që kanë mbet dokumente të shkruara bukur, në sirtar. Çfarë vlere kanë ligjet që nuk do të zbatoheshin në përpikëri, andaj, konsideroj se përmirësimi i legjislacionit dhe zbatimi i tij është vetëm hapi i parë drejtë arritjes së rezultateve konkrete.

Institucionet tona, përmes diskutimeve publike për legjislacionin në fuqi dhe nëpërmjet propozimeve të ndryshimeve të tyre, do të rris edukimin ligjor në vend. Këto diskutime për ligjet dhe ndryshimet cilësore do t’i mbështes duke i marrë në konsideratë rekomandimet dhe përfundimet e këtyre diskutimeve.

Në pajtim me këtë, më duhet të kujtoj fjalët e ish Sekretares Amerikane të Shtetit, Madelina Albright: “Ne duhet të përdorim opinionet tona për të hapur debate, jo për t’i përfunduar ato” – pra duke e vazhduar praktikën e mospërfshirjes së grave në trashëgimi, ne e vazhdojmë traditën e varësisë së grave nga të tjerët. 

Një shtet nuk mund të jetë demokratik, as të synojë vlerat euro-integruese nëse gjysma e popullsisë së saj përjeton padrejtësi apo detyrohet të heq dorë nga e drejta e vet.

Për mua dhe Ministrinë e drejtësisë do të jetë me shumë rëndësi të fuqizohet zbatimi i legjislacionit, ndërsa në kuptim të ndërtimit të mekanizmave ligjor mbrojtës të kësaj barazie, jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen e duhur. 

Disa nga çështjet si ndryshimi i dispozitave që kanë të bëjnë me shënimet që përfshihen në aktin e vdekjes, po ashtu periudha e njohjes së trashëgimisë në bashkëjetesë etj., do t’i kontribuojnë zvogëlimit të padrejtësisë ndaj gruas.

Rrol të rëndësishëm ka ndërveprimi institucional. Bashkëveprimi në mes të zyrave të regjistrit civil, noterisë dhe gjykatave duhet të jenë brenda sistemit të integruar dhe efektiv të shënimeve në lidhje me vërtetimin e saktësisë së informacionit lidhur me trashëgiminë. 

Si grua, nënë, bijë dhe motër, më lejoni që të theksoj se kjo temë e hapur sot si problematikë dëshmon përkushtimin tonë ndaj realizimit të barazisë për pronën, për trashëgiminë.

Në përmbyllje të kësaj fjale të rastit, po ritheksoj fjalët e kandidates së parë amerikane për zëvendës presidente të Shtetit, Geraldine Ferraro: “Kemi zgjedhur rrugën e barazisë, nuk do të lejojmë të kthehemi prapa”. 

Andaj, mos hiq dorë nga e drejta jote, jo pse ti je motra, vajza apo bija e dikujt, jo vetëm për këtë, por sepse je e barabartë para ligjit. Sepse, Ti ke të drejtë!

Ju faleminderit.

Prishtinë, më 25.10.2016 

Foto Galeria

Skip to content