
I nderuar, President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,
I nderuari, Z. Kryeprokuror i Shtetit, Z. Aleksandër Lumezi,
I nderuar ,Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Hasani,
I nderuar, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Greg Delawie,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Fillimisht do të doja të kujtoja njërën nga motot e përdorura pikërisht para 3 vitesh po në këtë aktivitet “365 ditë shërbim, 1 javë vetëdijesim”. Kjo është vetëm njëra nga 52 javët e vitit ku secili prej nesh shprehim si përkushtimin tonë institucional, ashtu edhe atë personal, për t’u solidarizuar me viktimat e krimit.
Diskutimi për një çështje të tillë përbën ndoshta njërën nga temat më të vështira dhe më ndjeshme për ta adresuar, për shkak të ngarkesës emocionale, shpirtërore dhe morale që imponon çështja e viktimave të krimit.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, përkushtimin për të kontribuar në krijimin sa më të mirë të kushteve politike, juridike dhe sociale, që të do të mund të ofronin drejtësi për viktimat e krimit, e konsideroj edhe si njërën nga detyrat me urgjente dhe më sfiduese, gjatë angazhimit tim politik si ministre në këtë dikaster qeveritar.
Është e ditur se njëri nga testet me të spikatura të një sistemi juridik mbetet mënyra se si ai i trajton viktimat e krimit në një vend. Kujdesi i duhur për secilën viktimë individuale që ndodhet në nevojë dhe kërkon drejtësi, përbën kushtin e integritetit moral të një shoqërie si dhe parqet shkallen e solidaritetit social.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të drejtat e viktimës, përbejnë korpusin juridik të atyre të drejtave që sot gëzojnë statusin e të drejtave universale njerëzore. Dhe si të tilla, ato duhet të mbrohen nga shteti. Në vitin 1958, OKB e ka miratuar Deklaratën e parimeve themelore të drejtësisë për viktimat e krimit e cila paraqet “praktikat më të mira për trajtimin e viktimave të krimit”. Janë këto të drejta universale njerëzore që promovojnë mbrojtjen, lirinë dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.
Institucionet e Republikës së Kosovës për shkak të rëndësisë që kanë këto të drejta i kanë përfshirë ato në boshtin e sistemit tonë kushtetues dhe juridik. Ndërkaq, zbatimi i tyre sa më efikas duhet të jetë një detyrë domosdoshme për të gjithë ata mekanizma juridik dhe shtetërorë që në fokus të tyre kanë mbrojtjen e ligjit.
Të nderuar të pranishëm – dihet se efektet e krimit mbi ata që e përjetojnë mund të jenë me pasoja të thella për tërë e jetën e tyre. Viktimat e krimit pësojnë vuajtje emocionale, mentale e fizike, vuajtje këto nga të cilat shumë nga ata që e kanë pësuar do ta kenë shumë të vështirë ta marrin vetën për tërë jetën. Dhe ashtu siç edhe thotë një thënie e njohur “Viktimat që kanë rënë pre e krimit nuk ka çmim që mund të paguajmë për t’ua zhbërë atë që u ka ndodhur, mirëpo për kriminelët ka çmim me të cilin do të paguajnë të bërat e tyre” – këtë të drejtë duhet t’ua mundësojmë si institucionalisht, ashtu edhe në rrafshin social; duke mos i ekskomunikuar dhe duke mos i trajtuar më ndryshe. Fundja, askush nuk zgjedhë të jetë viktimë. E në mesin e tyre ka mundur të jetë secili prej nesh.
Për shkak të këtyre vuajtjeve viktima mund edhe të izolohet, tërhiqet dhe mbyllet në vetmi me një barrë të rëndë shpirtërore. Mirëpo, krahas këtyre dëmeve me pasoja tragjike individuale, pasojat mbeten negative edhe për vetë shoqërinë, shtetin dhe politikën ku jeton viktima.
Zonja dhe zotërinj
Siç dihet, struktura institucionale dhe konstitucionale e një shteti modern demokratik ndërtohet mbi premisat e lirisë politike, autonomisë qytetare dhe barazisë individuale. Individi është sovran dhe mbartës i të drejtave të tij. Rrjedhimisht çfarëdo lloj sulmi mbi secilin individ të kësaj shoqërie dhe dhunim i të drejtave të tij përbën edhe një atak të drejtpërdrejtë ndaj vlerave që formësojnë parimet e këtij rendi. Prandaj mbetet detyrë kruciale e institucioneve, politikes si dhe shtetit tonë, që krahas luftës për parandalimin e krimeve të ndryshme që mund të cenojnë mirëqenien dhe sigurinë e individit në këtë shoqëri, të merren masa adekuate për të mbështetur dhe mbrojtur të gjithë ata individë që mund të bien pre e krimit. Sepse duke mbrojtur të drejtat e viktimave në rimëkëmbjen e tyre, Republika e Kosovës mbron frymën mbi të cilën ajo qenëson politikisht.
Prandaj edhe angazhimi për t’u dalë në ndihmë viktimave dhe për të korrigjuar padrejtësitë e bëra ndaj tyre mbetet një përkushtim i drejtpërdrejtë politik për ndërtimin e një bote më solidare, demokratike dhe të udhëhequr nga parimet e barazisë njerëzore. Para së gjithash secili individ në vend duhet të dijë që ligji nuk njeh të dobëtin apo të fortin, ligji i njeh të gjithë si të barabartë. Dhe është obligim i yni që të mos lejojmë viktimizimin e përhershëm të viktimave, por të punojmë që të mbrojmë secilin bashkëqytetar nga rreziqet që mund t’iu kanosen. Këtë gjë e garanton edhe kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Që të realizohet ky ideal i të gjithë neve, krahas masave legjislative nevojiten edhe masa praktike me qëllim që të ofrohen mjete adekuate për mbrojtjen e të drejtave të viktimave në vendin tonë.
Miratimi i Kodit të Procedurës Penale, që parasheh edhe rastin e kompensimit të viktimave, si dhe i Ligjit Nr.04L-218 për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit përbëjnë vetëm disa nga nismat legjislative në përmbushjen e kësaj detyre.
Me qëllim të përmirësimit të kësaj situate, është miratuar Ligji Nr.05/L-036 për kompensimin e viktimave të krimit, përmes të cilit viktimave u kushtohet një vëmendje më e madhe financiare.
Gjithashtu, duhet kujtuar se Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon i cili ka zyrë të veçantë për mbrojtje të viktimave, zyrë kjo e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku nëpërmjet saj Zyrtarët e kësaj zyre-je kujdesen për viktimat nga momenti i kryerjes së krimit e deri tek përfundimi i tërësishëm i procedurës.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Viktimat e krimit e kanë një shkallë të gjerë të nevojave për përkujdesje institucionale, që ndryshon nga viktima në viktimë. Për të trajtuar të gjitha këto nevoja, është e domosdoshme që të gjitha viktimat të trajtohen në mënyrë individuale. Prandaj, me qëllim të mbulimit të duhur të kësaj çështjeje, si Ministri e Drejtësisë jemi afër funksionalizimit të Komisionit për Kompensimin e Viktimave me synim shqyrtimin e kërkesave konform ligjit ne fuqi.
Të nderuar të pranishëm,
presim me padurim përfundimin e kësaj konference me qëllim që rekomandimet që dalin nga prezantimet e panelistëve, t’i bëjmë pjesë të një strategjie efikase dhe së bashku me institucionet tjera si Policinë, Gjykatat, Prokuroritë dhe akterët e shoqërisë civile, të kemi një koordinim sa më efektiv, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e drejtësisë së nevojshme për viktimat e krimit. Në ditë si kjo, shohim gjithë që është bërë dhe gjithë ç’ ka mbetur për t’u bërë nga institucionet tona, por edhe nga shoqëria, deri në përmbushjen e synimeve tona, për shtetin demokratik.
Faleminderit për vëmendjen.