
“Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive, në pajtim me Planin Zhvillimor Strategjik, po vazhdon me reformimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Në këtë drejtim, përveç hartimit të infrastrukturës ligjore, rëndësi e posaçme i është kushtuar edhe avancimit dhe ngritjes së kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit përkatës. Në Planin Strategjik Zhvillimor 2012-2016, si dokument themelor të Ministrisë së Drejtësisë është përcaktuar përveç tjerash si objektivë strategjike: Sigurimi i parakushteve dhe administrimi më efikas i sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale dhe në këtë aspekt kemi kënaqësinë të ju informojmë se Shërbimi Korrektues (SHKK), dhe Shërbimi Sprovues (SHSK), janë avancuar në nivel të agjencive ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për funksionalizmin e plotë të këtyre institucioneve dhe për të krijuar parakushtet për punë profesionale me qëllim të arritjes së standardeve Evropiane përkitazi me ekzekutimin e sanksioneve penale duke respektuar dinjitetin njerëzor të të burgosurve dhe proporcionin e gardianëve në raport me të burgosurit, si dhe hapësirës së nevojshme për personat e ndaluar apo të dënuar në institucionet në të cilat ekzekutohen sanksionet penale.
Me miratimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, përveç eliminimit të pengesave dhe mangësive të ligjit ekzistues, harmonizimit të plotë me Kodin Penal të Kosovës, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Drejtësisë për të mitur dhe legjislacionin që ndërlidhet në çështjen e ekzekutimit të sanksioneve penale, është bërë e mundur avancimi i organizimit dhe funksionimit të dy institucioneve kryesore për ekzekutimin e sanksioneve penale: Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji SHKK dhe SHSK, do të organizohen si organe qendrore të administratës shtetërore me status të agjencisë ekzekutive.
Me avancimin e organizimit të këtyre dy institucioneve është përcaktuar statusi juridik dhe është bërë organizimi dhe sistematizim më i mirë dhe më i qartë i Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës, si dhe strukturimi dhe sistematizimi i personelit të tyre, duke marr parasysh standardet ndërkombëtare të legjislacionit për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Shërbimi Korrektues i Kosovës si organ qendror i Administratës Shtetërore, do të jetë përgjegjës për:
· Organizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe me burgim të përjetshëm;
· organizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e burgimit të të miturve dhe masave edukuese,
· organizimin e programeve që i kontribuojnë korrektimit, përgatitjes për lirim dhe mbikëqyrjes afatgjatë të personave të dënuar me burgim dhe me burgim të përjetshëm;
· Vlerësimin e rrezikut kriminogjen dhe për caktimin e nevojave për trajtim të kryerësve të veprave penale;
· udhëzimin dhe mbështetjen ndaj personave të dënuar në përfundim të dënimit të tyre;
· ndërmarrjen e masave me qëllim të arsimimit dhe aftësimit profesional të personelit civil dhe të zyrtarëve korrektues të punësuar;
· për realizimin e bashkëpunimit me institucionet përkatëse, shoqatat dhe organizatat të cilat merren me problemet e ekzekutimit të sanksioneve penale.
Shërbimi Sprovues, si organ qendror i Administratës Shtetërore do të jetë përgjegjës për;
· organizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative dhe të riintegrimit shoqëror të personave të dënuar;
· përgatitjen e anketës sociale dhe raportet para-ndëshkuese për kryerësit e veprave penale;
· vlerësimin e rrezikut kriminogjen dhe për caktimin e nevojave për trajtim të kryesve të veprave penale;
· ekzekutimin e masave të diversitetit dhe masave edukative për të mitur;
· mbikëqyrjen dhe ndihmën ndaj personave të dënuar gjatë mbajtjes së dënimeve alternative;
· mbikëqyrjen dhe ndihmën ndaj kryerësve të varur nga droga ose alkooli të cilët i nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm rehabilitues i cili mbahet në liri;
· mbikëqyrjen dhe ndihmën ndaj personave të dënuar të liruar me kusht;
· zhvillimin e programeve individuale të mbikëqyrjes;
· hartimin e raporteve për ekzekutimin e dënimeve alternative dhe personave të liruar me kusht nga burgu për prokurorit, gjykatat, Panelin për Lirim me Kusht etj.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në plotësimin e infrastrukturës ligjore për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe në këtë drejtim tanimë ka finalizuar Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të Panelit për Lirim me Kusht dhe ky projektligj pas miratimit nga Qeveria, është proceduar për aprovim në Kuvendin e Kosovës.
Duke uruar personelin e Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues, ju ftoje për angazhim të shtuar dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara duke respektuar të gjitha dispozitat ligjore që ndërlidhen me punën tuaj”.