
Është kënaqësi e imja të ju mirëpres sot në shënimin e ditës së drejtësisë, për herë të parë të shënuar më 22 korrik. Kemi festuar shpesh ditë të drejtësisë në Kosovë, kemi festuar në janar, kemi festuar në muaj tjerë sepse jo rrallë kemi pasur momente të rëndësishme në drejtësinë Kosovare. Kjo sepse drejtësia në Kosovë jo rrallë herë ishte mposhtur e rimëkëmbur dhe prandaj meqë çdo rimëkëmbje e saj ishte më e fuqishme se tjetra, ashtu edhe e shënonim atë si moment i rëndësishëm. Por besoj që sot të gjithë do pajtoheshit me ne se për drejtësinë kosovare nuk ka moment më kulminant e historik sesa 22 korriku i vitit 2010, kur edhe u vërtetua për herë të fundit se Kosova kishte të drejtë, se Kosova zgjidhjet e saja historike i bën në përputhje me drejtësi dhe se drejtësia mbetet kryefjala dhe përshkrimi kryesor i historisë dhe qenies sonë. Prandaj, unë sot jam i nderuar që hap manifestimin në Ditën e Drejtësisë në Kosovës. Është dashur shumë angazhim që të vijmë deri në Ditën e Drejtësisë, është dashur shumë mund e mbështetje ndërkombëtare për këtë që të fitohet e drejta jonë si popull me drejtësi na duhet edhe shumë punë që drejtësi të fitohet me të drejtën dhe atë pa ndalur për ta nderuar Ditën e Drejtësisë dhe për ta mbajtur gjallë drejtësinë si parim, si vlerë, si besim dhe si rregull të shoqërisë sonë.
Zonja dhe Zotërinj,
Qëllimi i çdo angazhimi të njerëzve të çmuar të historisë sonë ishte të ndërtojmë një vend ku njerëzit jetojnë të lirë dhe në liri, të barabartë brenda ligjit dhe rregullave që i ndërtojnë në mënyrë demokratike dhe të planifikojnë të ardhmen e vete e pa ndërhyrje nga të tjerët. Nuk ka vlerë jeta pa liri, e as liria pa demokraci të bazuar në rend dhe ligj. Prandaj, mund të themi lirshëm se ndonëse Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte punë e përbashkët e jona dhe e miqve tanë ndërkombëtarë dhe e mbështetur nga shtetet më demokratike, vlera e saj u rrit jashtëzakonisht më shumë kur trupi më i lartë gjykues i të drejtës ndërkombëtare e vërtetoi se ky ideal i yni ishte plotësisht i bazuar në drejtësi. Ne sot shprehim admirim për ato gra dhe burra që me përkushtim kanë punuar dhe kanë mbrojtur drejtësinë si vlerë të lirisë, të atyre që drejtësinë e kishin profesion dhe qëllim dhe atë jo për veten por si parim të shoqërisë dhe për të gjithë. I tillë ishte edhe heroi Sali Cekaj që mban emrin çmimi për drejtësi, të tillë janë shumë burra dhe gra që vdiqën me synim për drejtësi, ata janë heronjtë e lirisë.
Por, zonja dhe zotërinj, edhe sot Republikës sonë i duhen heronj të drejtësisë që synimet tona për një shtet modern dhe demokratik janë të gatshëm t’i mbrojnë me çdo kusht, që janë të gatshëm t’i mbrojnë ato me profesionalizëm dhe përkushtim.
Duke e lidhur rëndësinë e ditës së sotme para tri vitesh, e emëruam këtë ditë si ditë të drejtësisë dhe njeriun e parë që e dekoruam me këtë titull ishte Sir Michael Wood, i cili punën e tij profesionale dhe përkushtimin e tij të pashoq, kishte përpiluar përgjigjen më të mirë që mund të jepte Kosova për të mbrojtur pavarësinë e saj të bazuar në të drejtën.
Kështu, me këtë çmim synojmë të që vazhdojmë t’i nderojmë simbolikisht personalitetet që besojmë se lanë gjurmët më të thella në drejtësinë Kosovare. Prandaj, është kënaqësi e sot të ndajmë çmimin për drejtësi për ata burra dhe gra që hartuan Kushtetutën e shtetit te Kosovës, Kushtetutën që përligji synimet tona për një shtet modern dhe demokratik. Kjo Kushtetutë është ajo që vendosi bazat e shtetit tonë duke respektuar vullnetin e qytetarëve tanë, Kushtetutë që dha dhe kufizojë pushtete dhe që sot është pikë referente për drejtësi për secilin qytetar tonë dhe shembull i mirë dhe e vlerësuar nga institucione demokratike në botë. Secili nga ne ndihemi krenar me atë punë dhe mund që bëhej me dije, përkushtim e ndjenja të veçanta, kur sot shohim institucionet tona dhe shtetin tonë të ngritur mbi ato themele.
Të ju falënderohemi me fjalët më të mira për punën që kemi bërë bashkë nuk është e mjaftueshme, prandaj thjeshtë dua të shfrytëzoj këtë ditë sot për t’ju falënderuar për punën e përbashkët dhe respektin për secilin prej jush që treguat ndaj meje si kryetar i atij komisioni dhe të përmend në veçanti ish nënkryetaren e komisionit tanimë të ndjerën Nekibe Kelmendin. Sot ju nderoheni nga Ministri i Drejtësisë në ditën e drejtësisë. Sa më shumë kalon koha dhe ndërtohet drejtësia dhe forcohet shteti, aq më shumë do të rritet respekti për Ju dhe punën Tuaj të çmuar. E them me përgjegjësi se Kushtetuta është draftuar nga Ju të nderuar dhe është rezultat i mendjes suaj që keni sublimuar vullnetin e shprehur në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe synimet për shtetin tonë.
Sot do të nderohen edhe gjyqtar dhe prokuror që me zell ushtrojnë profesionin e tyre i cili në kohën e tranzicionit më shumë se profesion është mision. Përmes Jush ne shprehim admirimin dhe respektin për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe stafet tuaja që me aq mund, sfidë dhe përkushtim e guxim qytetare zbatojnë ligjet tona dhe mbrojnë vlerat e drejtësisë së ndërtuar nga ne. Me lejoni që të shpreh admirim për punën e madhe të gjithë atyre që bëjnë për rendin dhe ligjin në vendin tonë, edhe për Policinë e Kosovës, Agjensionin e Inteligjencës, Shërbimin Korrektues dhe Sprovues, avokatët, noterët, ndërmjetësuesit, mësimdhënësit e studentet e drejtësisë, si dhe mediat që prezantojnë punën e drejtësisë dhe ndihmojnë në çdo aspekt drejtësinë në vendin tone. Sistemi i drejtësisë që nga paslufta ka qenë i ndihmuar nga misione ndërkombëtare, fillimisht nga UNMIK dhe tani nga EULEX-i për çka jemi falënderues, për të gjithë ata që kanë ndarë kohën nga vendi dhe familjet e tyre dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e sistemit tonë ngjashëm me vendet e lira dhe demokratike. Jemi falënderues për shtete që kanë përkrahur këto misione dhe qytetarët e tyre si taksapagues për misionet në Kosovë. Ne kemi ngritur kapacitetet tona dhe proporcionalisht do të ushtrojmë kompetencat tona të plota në marrëveshje permanente me BE-në dhe me synim që çdo herë të vazhdojmë që tu ofrojmë qytetarëve tanë drejtësi të përafërt me atë të vendeve të zhvilluara.
Ne kemi ndërtuar themelet e drejtësisë funksionale e ekifase, kemi ligje të mira dhe demokratike, kemi gjyqtar dhe prokuror profesionist dhe të mjaftueshëm që kanë kushte të mira për punë të pavarur, të pa anshme dhe profesionale.
Këtu, ndër hallkat më të rëndësishme jemi pikërisht ne që jemi në këtë sallë. Ne duhet të bëjmë më shumë për të rritur besimin në drejtësi, t’i zgjidhim lendet me shpejt dhe të respektojmë në tërësi liritë dhe të drejtat e njeriut apo si them ta sundojmë ligjin me ligj. Ne kemi vullnet të mundësojmë ndryshimet ligjore që do të jenë me fleksibile për jurist të ri që të bëhen gjyqtar dhe prokuror, që të ndërtojmë struktura të reja në gjykata dhe prokurori, të bëjmë përgatitje me adekuate që nga Fakulteti Juridik përmes akademisë së Drejtësisë, që të themelojmë grupe punuese për lendet e mbetura, që të bëjmë edhe me funksional sistemin e noterisë dhe ndërmjetësimit dhe nga viti i ardhshëm edhe të përmabruseve privat.
Sot dua të rikujtoj një thënie të një autori të mirënjohur, se “mund të ketë kohë kur ndihemi të pafuqishëm për të ndalur padrejtësitë, por nuk duhet asnjëherë të ketë kohë kur dështojmë të kundërshtojë atë”. Prandaj, nuk dua që mesazhi im sot të tingëllojë sikur një përpjekje që t’ju bindë që drejtësia në Kosovë është në gjendje të përkryer, ngase këtë nuk do e bëja assesi. Mesazhi im sot është në fakt një thirrje për më tepër aktivizim gjyqësor e qytetar për të zbatuar këtë arkitekturë të mirë ligjore që kemi ndërtuar, që qytetarët të kërkojnë të drejtat e tyre që ju takojnë me këtë Kushtetutë dhe legjislacion modern e demokratik që kemi ndërtuar dhe të jemi të fuqishëm që t’i ndalojnë padrejtësitë. Ato ndodhin gjithkund në botë, por ajo që i shquan shoqëritë demokratike e funksionale është pikërisht rezistenca e shoqërisë ndaj padrejtësive, e që sot në botën moderne bëhet përmes gjykatave dhe mekanizmave tjerë që i kemi ndërtuar. Kjo lloj rezistence nuk duhet bërë vetëm nga ata që janë prekur nga padrejtësitë. Benjamin Franklin thoshte se “Nuk do të ketë drejtësi të plotë derisa ata që s’janë prekur kurrë nga padrejtësia të jenë po aq të alarmuar nga padrejtësia sa ata që janë prekur nga ajo”. Prandaj edhe dua që mesazhi im që mbetet sot me ju si profesionistë të drejtësisë të jetë pikërisht ky, që të mos presim që prekemi nga diçka e padrejtë për t’u ngritur e për të luftuar për të drejtën.
Urime Dita e drejtësisë, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, profesionistëve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të urojmë që çdo vit kjo ditë të shënohet me më tepër drejtësi dhe admirim për drejtësinë si parim i secilit prej nesh.
Ju faleminderit!