Skip to content
Fjalimi i ministrit Kuçi në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë

Fjalimi i ministrit Kuçi në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë

Prishtinë, 24/05/2011

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë që sot ju drejtohem në një solemnitet  nënshkrues me shumë rëndësi për të gjithë sistemin tonë të drejtësisë.

Dua të hap këtë ceremoni dhe të filloj sot duke iu falënderuar në mënyrën më të sinqertë Komisionit Evropian për mbështetjen e pakusht që ka dhënë deri në këtë fazë dhe që po e vazhdon edhe më tej, për të realizuar ketë mision kaq vital për sundimin e ligjit në Kosovë. Një projekt i tillë madhor, si për nga rëndësia ashtu edhe madhësia, nuk do të mund të realizohej pa ndihmën e tyre, dhe për këtë, në emër të Qeverisë, i shprehi falënderimet më të thella.

Në të njëjtën kohë, shprehi mirënjohje edhe për Ministrinë e Administratës Publike, të cilët janë përkushtuar dhe kanë shprehur vullnetin e tyre të mirë gjatë administrimit të punëve të deritanishme dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe më tej.

Është thënë se “drejtësia është interesi më i madh i njeriut në tokë. Është ajo që i bashkon qeniet e civilizuara dhe kombet e civilizuara”. Andaj, thënia vazhdon, “kudo që ngrihet “tempulli” i saj, dhe përderisa ai nderohet si duhet, aty është themeli i sigurisë së përgjithshme, lumturisë së përgjithshme dhe përparimi e përmirësimi i qenies sonë”. 

Sot, kur edhe solemnisht po zyrtarizojmë hapat tonë të parë rreth ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë, secili prej nesh i nënshkruan këto marrëveshje me bindjen më të plotë që kjo që do të ndërtojmë do të shndërrohet me të vërtetë në më shumë se godina që shfrytëzohen nga disa nga institucionet më me rëndësi për jetërat tona. Ne jemi të bindur që kjo që po nisë sot është hap drejt ndërtimit të një vendi ku do të nderohet drejtësia çdo ditë, duke filluar me mënyrën se si ajo vendoset e deri te zbatimi i saj.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës, dhe në veçanti Ministria e Drejtësisë, po përpiqet çdo ditë që të përmirësojë sundimin e ligjit në Kosovë, si sfidën kryesore të vendit tonë jo vetëm drejt rrugës sonë evropiane por edhe si fushë më me ndikim në jetërat tona, rëndësi e madhe i është dhënë përmirësimit të infrastrukturës e cila mundëson këtë. Këtu dua të theksoj se po përfshijmë dy anë të infrastrukturës: atë ligjore, dhe infrastrukturën fizike – në kuptimin e përmirësimit të kushteve të punës. 

Në njërën anë, ne punojmë çdo ditë që t’i ofrojmë qytetarëve tanë, institucioneve tona, e në veçanti Gjyqtarëve dhe Prokurorëve tanë, infrastrukturën ligjore më bashkëkohore dhe më të sofistikuar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Gjithashtu, jemi kujdesur gjatë kësaj kohe që të punojmë edhe në përmirësimin e kushteve materiale për ta, duke filluar me shtesa në paga, e veçanërisht me krijimin e mekanizmave ndihmës siç janë Agjencia për Administrimin e pasurisë së sekuestruar apo të Konfiskuar, Këshillin Konsultativ për Drejtësi, Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, e shumë mekanizma të tjerë ndihmës, misioni i vetëm i të cilëve është që t’i ndihmojnë organeve tjera me fuqi vendimmarrëse në drejtësi.

Natyrisht, rol qenësor në tërë përkushtimin tonë drejt përmirësimit të kushteve të punës për sistemin e drejtësisë luan pikërisht edhe ndërtimi i këtij Pallati të Drejtësisë. Ideja për të pasur kushte optimale për ata që kryejnë disa nga misionet më vitale për shoqërinë dhe shtetin tonë natyrisht se nuk ka lindur vonë; megjithatë, për shkak të sfidave të vazhdueshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë në elementet e tjera, ka konsumuar gjithmonë energjinë dhe investimet më të mëdha që Qeveria jonë ka mundur të ofrojë. Fatmirësisht, kjo ide ka gjetur mbështetjen më të madhe tek njëri ndër partnerët tanë më të mëdhenj për të ardhmen, dhe në këtë mënyrë, rrugës drejt sundimit të ligjit po i bashkëngjitët edhe kjo pjesë e mozaikut e munguar tash e disa vite. 

Kam besim të plotë që përkushtim maksimal në implementimin e këtij projekti, në ndërtimin e këtij pallati, partnerët tanë do të ndihmohen çdo ditë nga institucionet e Qeverisë së Kosovës, qoftë nëpërmes Ministrisë së Administratës Publike, asaj të Drejtësisë, por dhe punëtorët e qytetarët tanë, të cilët do të kryejnë punën e tyre me shumë zell, nder dhe efikasitet, në mënyrë që të arrijmë tek caku i duhur sa më shpejtë dhe në mënyrën më të mirë. 

Për fund, më lejoni të ritheksoj se vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet për vendin tonë e kjo mund të arrihet me ligje të mira, gjyqtarë profesional, të pavarur dhe efektiv, dhe me ambiente ku puna e tyre por edhe qasja e gjyqtarëve janë garanci për drejtësi. Në këtë drejtim, pallati i drejtësisë është parakusht për funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë dhe shpreh identitetin dhe krenarinë e këtij sistemi, e për këtë i jemi mirënjohës Komisionit Evropian dhe pres që nga ky pallat të dalin vendime të drejta, të ndërtohet sistemi me standarde Evropiane, me çka do të rritet besueshmëria në të drejtën dhe drejtësinë. 

Ju faleminderit! 

Foto Galeria

Skip to content