
Sot po e bëjmë certifikimin edhe të 38 noterëve të rinj të cilët kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të tyre nga komisioni vendor dhe ndërkombëtar, për çka uroj ata dhe familjet e tyre, por edhe anëtaret e komisionit vendor e ndërkombëtar të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim kanë kryer punën e tyre.
Themelimi i noterisë është pjese e asaj që në e kemi projektuar si arkitekturë e drejtësisë në vendin tonë dhe si pjesë e asaj që ne e quajmë standarde të domosdoshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë.
Ne së bashku me partneret ndërkombëtar po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie te mëdha dhe me synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë dhe partnerëve ndërkombëtar, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim.
Ne kemi bërë shume punë në vitet që shkuan, por kemi edhe shumë punë për të bërë, nëse vitet e shkuara kanë qenë vite të ndërtimit të sistemit të drejtësisë, tani janë vite të funksionalizimit të tij, të reformimit të thellë dhe të përafrimit të tij me sistemet e vendeve demokratike.
Një shtet i ri çfarë është Kosova, mund të mos ketë aftësi konkurruese në ekonomi, politike, ushtri apo disa çështje tjera, por ka mundësi të jetë konkurrent në drejtësi, në rend dhe ligj, ngase ai buron nga ligjet e mira, nga vullneti për barazi qytetare dhe nga njerëzit që zbatojnë drejtësinë me profesionalizëm dhe integritet.
Ne kemi ndërtuar një sistem të drejtësie të bazuar në ligje demokratike, që mundësojnë një shtet modern, demokratik, të bazuar në rend dhe ligj. Ne kemi shume ligje tanimë të miratuara, por kemi edhe shumë në proces. Në Kosovë ka mbaruar periudha e nevojës që vetëm të kemi ligje, por tani po fokusohemi që të kemi ligje të mira, e ligje të mira janë ato që i respektojnë kriteret dhe standardet e BE-së, por njëkohësisht janë funksionale të ne. Me lejoni të theksojë se kemi bërë ligje që forcojnë rendin e ligjin dhe luftojnë dukuritë negative, që janë prezentë në shoqërinë tonë. Jemi në fazën finale të përgatitjes së Kodit Penal modern, Ligjin për Detyrime tanimë e kemi dërguar në qeveri, po fillojmë ta përgatisim edhe Kodin e ri të procedurës penale dhe së shpejti edhe Kodin Civil. Duhet ta pranojmë faktin se në vendin tonë ka ligje të mira, por edhe ligje që kërkojnë një harmonizim për shkak të kolizionit në mes tyre, jo-funksionalitetit të plotë apo edhe ligje që vijnë nga shkolla të ndryshme. E kur jemi këtu, dua të potencoj vullnetin tonë që vendi ynë të orientohet nga shkollat juridike të përafërta me shkollat tona dhe funksionalitetin tonë, por gjithmonë duke kërkuar përditësimin dhe modernizimin e tyre për t’ju përshtatur ndryshimeve të vazhdueshme të kohës.
Ne kemi ndërtuar një ambient të mirë politik për rend dhe ligj, ku duhet të theksohet pavarësia kushtetuese dhe ligjore, por edhe faktike e materiale e sistemit të gjyqësisë dhe barazimi faktik me degët tjera të pushtetit, si dhe asnjë rast kur dikush ka mohuar nga politika vendimet e gjyqësorit apo prokurorisë apo të ketë kritikuar vendimet e këtij sistemi publikisht. Kjo është mundësi e madhe për gjyqtarët dhe prokurorët tanë të punojnë në ambiente ku drejtësia ka primatin, por edhe përgjegjësi, që vendimet e tyre të jenë të drejta dhe të bazuara vetëm në ligj.
Funksionalizimi i sistemit të drejtësisë, rritja e efikasitetit dhe efektivitetit të këtij sistemi dhe zvogëlimi i lëndëve që do të rezultonin në besimin me të madh qytetarë, është një prej synimeve tona parësore. Ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë të zellshëm e profesionist, me integritet personal dhe guxim qytetar, por kemi nevojë të rrisim numrin e tyre dhe të përzgjidhen të rinjtë në mënyre të pavarur nga KGJK-ja dhe KPK-ja dhe sa më shpejt që është e mundur.
Me këtë qellim unë shpreh gatishmërinë që të bëjmë projekte të veçanta që mundësojnë punën shtesë edhe të shtunave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe rritjen e numrit të lëndëve të zgjidhura nga ata dhe në rritjen e përformancës se tyre në zgjidhjen e numrit të lëndëve dhe në kualitetin e zgjidhjes. Unë jam mbrojtës i parë i pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë, por po aq jam edhe kërkues i llogaridhënies dhe askush në emër të pavarësisë së sistemit nuk duhet t’i ikë llogaridhënies. Edhe Ligji për përmbarimin do të ketë qellim zvogëlimin e lëndëve, si dhe sistemi i ndërmjetësimit e arbitrazhit, si ky i sotëm i noterisë do të lirojnë gjykatat nga disa lëndë.
Kemi nevojë për rritje të besimit të qytetarëve në drejtësi dhe këtë përgjegjësi e kemi të gjithë ne, për punë edhe me efikase, me transparencë edhe më të madhe dhe me prezantim më të shpeshtë të punës sonë. Puna e madhe dhe e zellshme e shumicës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk guxon të vihet në hije të ndonjë lëshimi të kujdoqoftë. Forcimi dhe besimi në drejtësi është matësi më i mirë i forcimit të besimit të qytetarëve në shtet, por edhe besimin e të tjerëve për funksionimin e shtetit tonë.
Rendi dhe ligji është parakusht edhe për zhvillim ekonomik. Ne duhet të jemi më efikas në zgjidhjen e lëndëve të kontesteve ekonomike, në veçanti të investitorëve të huaj, ne duhet ta mendojmë ndonjë mënyre që të kemi angazhim me efikas në këtë vend.
Përveç kësaj, ne duhet të fokusohemi edhe në imazhin e sistemit të drejtësisë, por edhe të vendit tonë. Nuk duhet të pajtohemi me këtë imazh që përshkruhet sistemi i drejtësisë apo institucionet tona si më të korruptuarat ne rajon e me gjerë. Natyrisht, ne nuk duhet t’i mbyllim sytë e të themi se nuk ka dukuri të tilla, por duhet të mbrojmë me ngulm sistemin tonë dhe njerëzit e ndershëm në këtë sistem. Ne duhet të tregojmë sa shume punë kemi bërë në luftim të këtyre dukurive, edhe në, edhe institucionet ndërkombëtare, por të mos biem pre e spekulimeve apo qëllimeve të përfitimit të ndonjë projekti ose të qasjes politike-partiake ndaj institucioneve tona. Andaj, sa më efikas që është gjyqësori, sa më transparent që të jetë ai, aq më shpejtë do të arrijë t’i heq spekulimet. Ky imazh, sado padrejtësisht i raportuar shpesh, humb besimin të qytetarët për bashkëpunim dhe zvogëlon fuqinë goditëse tonën, por edhe zbeh imazhin si shtet dhe proceset integruese, si dhe tremb investitorët e huaj. Pra ta shohim gjendjen reale, ta luftojmë dukurinë, por edhe spekulimin. Gjyqësori i fortë e forcon edhe bindjen për shtetin dhe qytetarin tonë.
I ftojë sot gjyqtarët dhe prokurorët që punën e tyre ta kenë edhe mision, e jo vetëm detyre.
Ju premtojmë përkrahjen e plotë në detyrën e tyre dhe i ftoj qytetarët të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me drejtësinë, ngase e ardhmja e tyre ndërtohet mbi drejtësi dhe sistem efikas e jo në anarki. Bashkëpunimi me drejtësi sot është patriotizëm dhe ndihmë për forcimin dhe zhvillimin e shtetit dhe mbrojtjen e qytetarëve. I ftojë në veçanti qytetarët të lënë kanunin në njërën anë. Tani kemi ligje dhe shtet modern, të cilat janë thurur në atë mënyre që të garantojnë secilën të drejtë tuajën, andaj i ftoj që të lënë vetëgjyqësinë dhe odat tash kur kemi institucionet.
Unë kam besim në sistemin e drejtësisë, në të gjithë ata burra dhe gra që me profesionalizëm, integritet, përkushtim dhe guxim, punojnë në sistem të drejtësie, besoj se puna e tyre do të jetë garant jo vetëm për gjyqësor efikas dhe të pavarur, por edhe për forcim te të gjitha institucioneve dhe vendit tone. Unë dhe Qeveria do të punojmë shumë dhe me përkushtim në krijimin e kushteve për këtë qëllim. Pres që edhe bashkëpunimi me EULEX-in në këtë drejtim të jetë i plotë dhe shpreh bindjen time që së shpejti, në muajt dhe vitet në vijim do të jemi të gatshëm për transferimi e plotë të kompetencave tek gjyqtarët dhe prokurorët tanë.
Një prej qëllimeve tona është ofrimi i drejtësisë për të gjithë qytetarët tanë në mënyre të njëllojtë në tërë territorin e republikës, për çka do të punojmë me përkushtim të veçantë. Pres që në kohet që po vijnë do të krijohen kushtet që edhe gjykatat dhe prokuroritë në veri të vendit tonë të jenë funksionale, të zbatojnë ligjet e aplikueshme dhe të jenë me gjyqtarë dhe prokurorë të emëruar nga KGJK-ja dhe KPK-ja. Ky qëllim është pjesë e pandashme e punës sime dhe të qeverisë për të vendosur rend dhe ligj dhe besoj edhe të institucioneve ndërkombëtare.
Të nderuar noterë,
Pres që me përkushtim të kryeni punën Tuaj në kuadër të sistemit dhe sipas ligjeve dhe praktikave më të mira, duke ju bërë krah sistemit të drejtësisë dhe duke ofruar qytetarit shërbime cilësore. Unë do të mbështes aktivitetin tuaj, por edhe do të mbikëqyrim punën tuaj që ajo të jetë ligjore dhe cilësore.
Falënderojë partnerët ndërkombëtare për këtë dhe besoj se do të vazhdojmë në realizmin e këtij projekti dhe plotësimin sipas nevojave të qytetarëve dhe me mundësi që shpejt të kemi edhe noterët tjerë dhe të shohim mundësitë që në dhjetë mije banorë, të kemi një noter.
Urime dhe suksese në profesionin tuaj të ardhshëm!