
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga!
Të nderuar zonja, zotërinj, ambasador!
Jam jashtëzakonisht i nderuar që marr pjesë dhe kam mundësi t’i drejtohem një auditoriumi kaq të respektuar për një temë të ndjeshme, por edhe të rëndësishme për vendin tonë.
Në mesin e shumë aktiviteteve që ne ndërmarrim, çështja e barazisë gjinore vazhdimisht kërkon kujdesin, vëmendjen dhe përkushtimin tonë të plotë. Dhe ndonëse nuk ka qenë asnjëherë e lehtë lufta kundër çfarë do diskriminimi, e sidomos atij në baza gjinore, megjithatë mund të themi që jemi nisur drejt një rruge të drejtë.
Si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, promovimi i kyçjes së femrave në politikë dhe në vendimmarrje në përgjithësi është një mision tejet i rëndësishëm për mua dhe Qeverinë e Kosovës. Para pak kohësh, unë morra pjesë në një eveniment të ngjashëm i cili çmonte rolin e veçantë të gruas në shoqërinë tonë, pikërisht për faktin se edhe botërisht, femrat shihen ndoshta edhe si “mjetet” më efektive të uljes së shkallës së korrupsionit në shoqëri.
Vlera të këtilla të grave, kanë qenë ndër arsyet e futjes së kuotës së 30%-shit në Kuvendit e Kosovës dhe edhe shumë dispozitave të tjera në ligjet tjera, si në atë për shërbimin civil, me qëllim të involvimit sa më të madh të femrës në secilën celulë të shoqërisë sonë.
Ajo çka e bën të gjithë këtë betejë shumë shpresëdhënëse për mua është pikërisht natyra obligative e të gjitha dispozitave të këtyre ligjeve që promovojnë barazinë gjinore dhe se kushtimisht respektimi i plotë i tyre është kusht për të vazhduar më përpara. Andaj, jo vetëm që kemi krijuar një nomenklaturë ligjesh që promovojnë standardet më të larta botërore për barazinë gjinore, por edhe implementimi i tyre po ngritët dita ditës.
Për t’u përkujdesur për këtë, ne kemi krijuar disa struktura të cilat mbikëqyrin implementimin e këtyre politikave të sofistikuara të cilat janë krijuar. Një prej këtyre strukturave, por jo e vetmja, është kjo që na ka mbledhur këtu, Agjencia për Barazi Gjinore, të cilët i çmoj shumë për punën e palodhshme që po bëjnë.
Më lejoni që, në mesin e shumë aktiviteteve që ndërmarrin institucionet tjera, në veçanti kjo Agjenci, të fokusohem specifikisht në Programin e Kosovës Kundër Dhunës në Familje.
Dua të komplimentoj këtë plan për faktin që parasheh një luftë të ashpër kundër kësaj dukurie shkatërruese të shoqërisë sonë, duke adresuar veçanërisht pika si parandalimi i dhunës, mbrojtja dhe siguria, si dhe përkrahja, trajnimi dhe riintegrimi i viktimave. Qëllimi i këtij plani, siç shihet, është që të sulmojë rrënjët dhe frytet e këtij shkatërruesi deri në zhdukjen e tij.
Është tejet tragjike për të dëgjuar fakti se gjysma e rasteve të dhunës të paraqitura në polici në fakt kanë të bëjnë me dhunën në familje. Është akoma më tragjike të dëgjohet se gati të gjitha këto raste të paraqitura kryhen ndaj grave apo fëmijëve.
Shoqëria jonë tashmë është alarmuar nga raste të shumta të kësaj dhune dhe ekziston një vullnet i përgjithshëm për ta shfarosur atë. pikënisja e gjithçkaje është pikërisht vullneti i shoqërisë për t’u nisur drejt saj. Andaj edhe sot, ndonëse ndjej keqardhjen për praninë e kësaj dukurie mes nesh, kam gjithashtu shpresën se të gjithë pjesëtarët e këtij vendi, Qeveria, shoqëria civile e organizatat ndërkombëtare janë të angazhuar për ta luftuar këtë fenomen.
Ashtu siç përmendet edhe në vet këtë plan, ne në Ministrinë e Drejtësisë kemi departamente të veçanta për mbrojtjen e viktimave, të cilat rastet më të shpeshta i kanë pikërisht nga viktimat e dhunës në familje apo të trafikimit të qenieve njerëzore. Këtu dua të veçoj pikërisht divizionin për ndihmë juridike ndaj këtyre viktimave, i cili shumë shpejtë do të jetë pjesë e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, në mënyrë që qasja e viktimave në ndihmë juridike të jetë shumë më e lehtë. Siç e dini, ndonëse vet dhuna është e dhimbshme si e tillë, më të trishta janë pikërisht rastet kur viktimat nuk kanë guximin që këto raste t’i paraqesin para organeve kompetente. Shpesh ndodhë që këtë e bëjnë edhe nga pamundësia materiale apo edhe nga mungesa e informacionit. Andaj, sot do të doja që të ndaja një mesazh tek të gjitha viktimat e krimit, e veçanërisht ato të dhunës në familje, që të paraqesin rastet e tyre tek autoritetet dhe se ekzistojnë një numër i madh i organeve të cilat janë ndërtuar pikërisht që atyre t’ju vijnë në ndihmë. Sot, viktimave në vendin tonë u ofrohet ndihmë juridike falas dhe mbi të gjitha një numër i madh i mjeteve juridike të cilat ato mund t’i shfrytëzojnë për mbrojtje.
Pikërisht për këtë qëllim, të qasjes sa më të lehtë dhe sa më frytdhënëse për viktimat e krimit si të dhunës në familje, kanë qenë arsye e ristrukturimit të këtyre divizioneve dhe rivendosja e Zyrës për Ndihmë Viktimave brenda Zyrës së
Prokurorit të Shtetit, ashtu siç është në SHBA dhe në shumë vende të tjera Evropiane. Në këtë mënyrë, viktimat e dhunës në familje do të kenë edhe përkrahjen e duhur psikike dhe juridike për t’i ndihmuar edhe Prokurorëve tanë në luftën dhe vendosjen e drejtësisë për ta. Gjithashtu, më lejoni të përmend edhe marrëveshjen e mirëkuptimit me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilët i falënderoj për bashkëpunimin, për të vendosur strehimoret në kuadër të kësaj Ministrisë, që deri tani kanë qenë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë. Pa dashur të përsëris, edhe kjo është bërë për qëllim të qasjes më të lehtë të viktimave dhe ofrimit të shërbimeve të kompletuara për qytetarët në një vend të vetëm, në mënyrë që viktimat e krimit mos të kenë barrë që të hulumtojnë për ndihmë në disa institucione të ndryshme por t’i kenë të gjitha në një vend.
Duke u udhëhequr nga politikat e Qeverisë për ndalimin e këtij fenomeni, ne kemi draftuar procedura të veçanta për të mbrojtur qytetarët tanë nga dhuna në familje. Sot, viktimat e dhunës në familje gëzojnë mundësinë që t’ju qasen procedurave gjyqësore shumë më shpejtë dhe më lehtë, të marrin në afate shumë të shkurtra urdhra të ndryshëm për mbrojtje, e mbi të gjitha përshpejtim të procedurave gjyqësore në mënyrë që të mos vonohet vënia e drejtësisë në raste të tilla.
Më lejoni gjithashtu që të cekë se në Kodin e ri Penal, i cili tashmë është aprovuar nga Qeveria dhe shpresoj se shumë shpejtë do të miratohet edhe në Kuvend, kemi paraparë edhe vepra të reja penale por, më me rëndësi, janë ashpërsuar dënimet për shumicën e veprave penale kur ato kryhen ndaj të ashtuquajturave “viktima të ndjeshme” e cila përfshinë partnerin, bashkëshortin, dhe fëmijën, e veçanërisht ndaj fëmijëve si shtresa më delikatë e shoqërisë sonë. dua të përmend veprën penale të ngacmimit, në mesin e veprave penale të reja, e cila është përfshirë në Kod kryesisht për të ndihmuar viktimat e mëparshme ose ato potenciale të dhunës, madje edhe psikike, në familje.
Për fund, me lejoni të them se angazhimi që duhet të jetë nga guximi i vetë viktimave që janë nga ky krim dhe trajtimi adekuat nga mediat dhe shoqëria jonë që ato të kthehen në shoqëri si qytetare të barabarta, paraqet një prej obligimeve tona kryesore.
Ju falënderojë të gjithëve për prezencën në veçanti të Presidentes së Republikës, që është një shembull i mirë si luftohet dhe si kemi një konsensus nacional për të luftuar këtë dukuri dhe për të arritur nivele të barabarta me shoqëritë moderne dhe demokratike. Shoqëria e Kosovës ka nevojë për një angazhim konkret dhe permanent në këtë fushë dhe Qeveria e Kosovës do të jetë bartëse e këtyre proceseve.
Ju faleminderit!