
Kam kënaqësi të veçantë të jem sot me ju në këtë promovim të shtatë publikimeve të rëndësishme në lëmin e drejtësisë, në të cilin Kosova ka më së shumti nevojë për angazhim, punë dhe rezultate. Si anëtar i Qeverisë së Kosovës, ndjehem shumë krenar për kontributin që kemi dhënë në rezultatet konkrete të punës në këtë sektor, të cilat rezultate sot po i promovon Qendra Juridike e Kosovës.
Sundimi i ligjit dhe sektori i drejtësisë në përgjithësi llogaritet të jetë fusha ku shoqëria dhe shteti i Kosovës do të ballafaqohet me më së shumti sfida. E sfidat, më së miri përballen me normatizim të dijes, me studim dhe me publikime si këto që po i promovojmë sot.
Përmbledhja e botimeve, që këtë herë po vazhdon me përmbledhjet, për pronësinë, kadastrën dhe mirëqenien sociale, janë botime të rëndësisë së veçantë, të këtyre fushave, për të cilat ka nevojë për veprime të menjëhershme, jo vetëm si kriter bazë i rrugës sonë evropiane, por së pari si fushë me ndikim të drejtpërdrejt në jetën e secilit prej nesh.
Rëndësia e një përmbledhjeje të këtillë të ligjeve shihet në Kosovë më tepër se në cilindo vend tjetër. Kjo për shkak të tranzicionit të gjatë e procesit të shtet-formimit, e i cili për të qenë i sigurt dhe i mirëqenë duhet të mbështetet në një reformë të thuktë të kornizës ligjorë në secilën fushë. Reformat e tilla, përkundër të mirave të panumërta që sjellin, lënë shpesh vakum dhe nevojë për ndihmë për të bërë sa më të lehtë hulumtimin ligjor dhe përdorimin e këtyre ligjeve nga vetë institucionet e interesuara, komunitetit të juristëve e madje edhe profesorëve e studentëve të drejtësisë.
Nisja e publikimit të manualeve për interpretimin e drejtësisë është po ashtu një hap i madh drejt hapjes së diskutimit të vlefshëm rreth interpretimit ligjor, një fushë kjo e paprekur në këso forme deri më tash.
Me shumë rëndësi, buletini i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe asaj të Qarkut të Prishtinës vë në pah punën e instancës më të lartë të sistemit të rregullt gjyqësor në vend, duke i dhënë kështu rëndësinë dhe respektin që e meriton. Përmbledhja e aktgjykimeve të zgjedhura të Gjykatës Supreme e tejkalon rolin promovues të kësaj Gjykate dhe do të shërbejë si material bazë për gjeneratat e tashme dhe të ardhme që studiojnë dhe merren me drejtësinë.
Si Ministër i Drejtësisë, kam përmendur disa herë vënien e transparencës së Gjyqësorit si prioritet dhe si një nga fillet më të mira të sundimit të ligjit. Shërbimi i praktikës gjyqësore në një formë të këtillë, të qasshme për të gjithë, ndihmon thellësisht pikërisht në këtë drejtim.
Në të njëjtën kohë, si jurist dhe si profesor i drejtësisë, shprehi mirënjohje shtesë për kontributin e veçantë që këto publike japin në edukimin e vazhdueshëm ligjor, rol ky që më së miri kryhet nga shoqëria civile me mbështetje adekuate të institucioneve të shtetit.
Veç, të tjerash sot promovojmë post mortem edhe një Doracak për të Drejtën Familjare, të kolegut tonë dhe profesorit shumëvjeçar të Fakultetit Juridik, Gani Oruçi. Kjo vepër e Profesor Oruçit do të jetë veçanërisht inkurajuese për studentët e rinj të cilët do të familjarizohen me të Drejtën Familjare, si një nga të drejtat bazike të së drejtës tonë pozitive.
Për fund, më lejoni që ta përgëzoj Qendrën Juridike të Kosovës për punën e bërë, si dhe Komisionin Evropian dhe Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e tyre dhënë kësaj nisme.
Andaj, edhe një herë dua të potencoj mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë, pikërisht në drejtim të fuqizimit të drejtësisë.