Prania jonë e përbashkët sot këtu e tregon edhe më tej përkushtimin e secilit prej nesh ndaj detyrës që i kemi vënë përpara vetes në drejtim të arritjes së qëllimit tonë të përbashkët për sundimin e ligjit.
Gjatë ditëve të verës kemi arritur të koordinojmë dhe bashkërendojmë një sërë aktivitetesh të përbashkëta ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, EULEX-it dhe ZNKE-së, të cilat kanë sjell rezultate konkrete në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe përshpejtimin e përmbushjes së detyrave rreth procesit të integrimit Evropian.
Mirëpo ajo që vlen të theksohet janë zhvillimet e 25 korrikut për vendosjen e doganierëve dhe policëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31 e që ishte një veprim i domosdoshëm për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në ketë pjesë të territorit të Kosovës.
Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e juaja, andaj dëshiroj të shfrytëzoj rastin dhe në emër të Qeverisë së Kosovës t’iu falënderoj për mbështetjen tuaj për t’i përkrahur autoritetet vendore për të shtrire dhe forcuar vendosjen e rendit dhe ligjit, e që është prioriteti jonë i përbashkët.
Pas këtyre lëvizjeve të fundit, e sidomos ndërlidhur me temën kryesore të këtij Bordi, tani duhet të shikojmë përpara për të përmbushur pjesët tjera të mozaikut për sundimin e ligjit edhe në veri. Hallka kryesore ku duhet të fokusohemi tash e mbas, është pikërisht në funksionalizimin e gjykatave atje. Në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ne kemi deklaruar vazhdimisht se jemi të gatshëm për të filluar këtë proces, jo të lehtë, por tejet të rëndësishëm. Megjithatë, veçanërisht në këtë drejtim na duhet bashkëpunimi i ngushtë me institucionet tuaja dhe për këtë ju bëj apel edhe sot. Është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës se sundimi i ligjit në Kosovë nuk do të jetë asnjëherë i plotë pa sundimin e ligjit edhe në veri. Andaj, si institucionet më vendimmarrëse për këtë sferë, kërkoj përkushtimin tuaj të ndjeshëm në këtë aktivitet.
Në anën tjetër, e dimë se shumë shpejtë do të publikohet Raporti i Progresit i radhës dhe të gjithë ne po e presim me plotë kureshtje. Duke besuar se progresi i bërë në fushën e drejtësisë është reflektuar edhe në draftin final të këtij Raporti, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke planifikuar të organizoj një seminar, pas publikimit të Raportit, për ti ri-shqyrtuar prioritetet tona të përbashkëta për ketë viti, zbatueshmerinë e tyre si dhe për t’i identifikuar prioritetet tona më strategjike për vitin e ardhshëm në përputhje me sfidat që dalin nga Raporti i Progresit që në ketë mënyrë ta krijojmë një vizion për fushën e rendit dhe ligjit.
Andaj, është e një rëndësi të jashtëzakonshme që të gjitha institucionet që në fushë-veprimtarinë e tyre kanë rendin dhe ligjit, të ulen dhe bashkërisht të punojnë në hartimin e një strategjie sektoriale për fushën e sundimit të ligjit që do të shërbente si udhërrëfyes për t’i ndihmuar të gjitha institucioneve për ti luftuar të gjitha dukuritë negative që janë në kundërshtim me rendin dhe ligjin.
Po ashtu, njëra ndër proceset më me rëndësi, e që njëkohësisht ka gëzuar vëmendjen dhe kohën tonë të plotë është Kodi i Ri Penal. Ndonëse të gjithë që janë sot të pranishëm kanë qenë pjesë e disa stadeve të procedurës së shkrimit të këtij Kodi, nuk është e tepër të rikujtohet fakti se në përgjithësi ky proces ka qenë i gjatë dhe gjithëpërfshirës. Në fazën e fundit të shkrimit të këtij Kodi, me insistimin tim, është përshpejtuar procesi i finalizimit të tij, duke ngushtuar kështu grupin punues.
Pas draftit të fundit, i cili është bazuar në diskutime të gjata me përfaqësues nga pothuajse secili institucion, Ministria e Drejtësisë – si sponsorizues i këtij ligji, ka rishikuar edhe një herë draftin e formuluar së bashku me komentet e ekspertëve të EULEX-it dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Tani kemi arritur në një draft të fundit të Kodit Penal i cili besoj do të jetë një kompromis i mirë mes shkollave të ndryshme juridike në vendin tonë, por i pa kompromis në standardet Evropiane e praktikat më të mira botërore.
Ministria e Drejtësisë momentalisht është duke e finalizuar teknikisht këtë draft për të minimizuar problemet e mëvonshme dhe menjëherë pas marrjes së deklaratave respektive nga Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Financave, do të procedohet për miratim në Qeveri.
Ky Kod, natyrisht, lidhë drejtpërdrejtë edhe procesin e rishikimit të Procedurës Penale, i cili do të fillojë menjëherë pas përfundimit të tërësishëm të procesit të miratimit të Kodit Penal.
Dua që gjithashtu të përmend procesin e Projekt Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me Vepër Kriminale i cili është i një rendësi të madhe për të luftuar krimin dhe për të vënë rend dhe ligj në vend. Grupi i ekspertëve është duke punuar tashmë në këtë ligj dhe besoj që shumë shpejtë do të kemi draftin e tyre final i cili po punohet në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e programit të binjakëzimit të cilët i falënderojmë për bashkëpunimin e tyre.