Skip to content
Fjalimi i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçit në konferencën shkencore “Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë 1998-qershor 1999”

Fjalimi i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçit në konferencën shkencore “Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë 1998-qershor 1999”

Prishtinë, 16/12/2011

Është kënaqësi që sot jam në mesin tuaj për t’ju dëshiruar mirëseardhje në konferencën e parë të Institutit kaq të veçantë të Ministrisë së Drejtësisë. 

Jam i lumtur që sot, një konferencë e këtillë organizohet nga një Institut i cili është i specializuar për temat të cilat diskutohen sot. Për më tepër, jam krenar që si produkt i parë i këtij instituti është një konferencë e tillë me eskpertë nga vendet fqinje dhe më larg, e që prekë një temë me kaq rëndësi për jetën e qytetarëve tanë.

Dua të filloj sot fjalimin tim mirseardhës me thënien e famshme të Eskilit: “në luftë, ajo që pëson e para është e vërteta”. 

Në mesin e shumë pësimeve që vendi ynë, por edhe gati të gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar, ka pësuar shumë edhe e vërteta. Edhe pas kaq vitesh pas përfundimit të luftërave në vendet tona, qytetarëve tanë akoma u mungon e vërteta: çka dhe pse ndodhië Si humbën ata që humbënë Ku mbetën familjarët e tyreë Si do t’ia bëjnë për të ecur përparaë  

Ndërkohë që Qeveria jonë punon çdo ditë për t’u munduar që t’i minimizojë pasojat e humbjeve që pësoi vendi ynë, qytetarët tanë, gjatë luftës sonë të fundit, ne gjithashtu po punojmë në gjetjen e së vërtetës në shumë aspekte. Këtu dua të përmend Komisionin për Personat e Pagjetur, i cili ndonëse çdo ditë përballet me sfida të reja të kësaj çështjeje shumë të ndjeshme, megjithatë punon çdo ditë që sa më shpejtë t’ua sjellë qetësinë familjeve që ende nuk dijnë për fatin e familjarëve të tyre.

Megjithatë, është thënë disa herë para nesh që historia që nuk shkruhet, nuk mbetet histori. Dhe, pikërisht për këtë ne kemi krijuar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, misioni i të cilit është pikërisht trajtimi i këtyre temave të cilat lënë gjurmë të mëdha në histori. Natyrisht, për trajtimin e tyre në mënyrën siç ato e meritojnë, nevojitet profesionalizëm, përkushtim, njohuri e thellë shkencore dhe devotshmëri, dhe unë kam bindjen time të thellë që ky Institut do të bëjë një punë po kaq të vyer sa ua kemi besuar. Ne kemi marrë modelet më të mira dhe praktikat më të shquara në rajon dhe botë për të adresuar pikërisht këtë aspekt të hulumtimit, dhe e gjithë kjo u kulmua me themelimin e këtij Insituti brenda Ministrisë së Drejtësisë. 

Unë jam i bindur se rruga e Institutit tonë për të përmbushur qëllimin e tij nuk do të jetë e lehtë. Në të vërtetë, nuk është e rastësishme që konferenca e parë e jona mban titullin “Sfidat në hulumtimin e krimeve të luftës”. është pikërisht për shkak se njihet botërisht që sfidat në këtë fushë janë të shumta, jo vetëm për nga numri por, edhe për shkak të natyrave të ndryshme. Dhe përderisa ju sot do t’i diskutoni gjerë e gjatë ato, besoj që njëri nga përfundimet tuaja do të jetë që sfida më e madhe me të cilën përballemi është ajo politike. E në politikë është vështirë të arrihet një cak pa bashkëpunim, pa mirëkuptim dhe pa hapjen e mendjeve të kyçura në të kaluarën. Për këtë, koha është vërtetë faktori kryesor, por unë gjithashtu besoj që një faktor tejet thelbësor është pikërisht nisja e komunikimit, shqyrtimit dhe promovimit të temave të këtilla në mënyrë të këtillë profesionale, qëllimi i vetëm i të cilave është hulumtimi i së vërtetës, i cili në fund do të arrijë që t’i kalojë edhe kufijtë e ngrirë politik. 

Prandaj, unë sot në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dua të shpreh hapur mirëseardhje për të gjithë që jeni sot këtu dhe të shpreh fuqishëm përkrahjen për këtë Insitut dhe për nevojën e thellë që shoqëria jonë ka për trajtimin e mirëfilltë të këtyre cështjeve kaq ndieshme dhe të rëndësishme. Më lejoni që të theksoj edhe një herë që bashkëpunimi i këtillë rajonal në baza kaq profesionale do të arrijë që të përballë çdo sfidë që ju sot e hasni në hulumtimin dhe ballafaqimin me të kaluarën. Unë uroj që bashkëpunimi në mes nesh në këtë mënyrë do të vazhdojë edhe më tej, gjithmonë me synim parësor arritjen dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, ashtu siç gjithmonë e kemi merituar. 

Foto Galeria

Skip to content