
Me rastin e shënimit të 6-të vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si organizatorë i ceremonisë solemne dhe ish Kryetarë i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, para të pranishmëve tha:
“Jam i nderuar që sot po shënojmë 6 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës sonë me të gjithë Ju, bartës të institucioneve, njerëz që keni kontribuar shumë në arritjen e synimeve tona për shtet demokratik e me Kushtetutë moderne, personalitete vendore dhe ndërkombëtare, po e shënojmë këtë përvjetor me të gjithë në këtë sallë dhe jashtë saj që përkrahen paqen, lirinë, drejtësinë dhe demokracinë, me ju që keni kontribuar në hartimin e Kushtetutës dhe Ju që çdo ditë me punën dhe guximin Tuaj zbatoni dhe ruani Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.
Ditën e Kushtetutës së Republikës sonë e konsiderojmë si ditë të veçantë për faktin se si akti i parë dhe më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, duke bërë që demokracia, barazia, shteti ligjor, të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të pakicave, ekonomia e lirë e tregut dhe konkurrenca, të konsiderohen si vlera të shtetit tonë.
Zonja dhe zotërinj,
Jo rastësisht sot, sikur para 6-të viteve, kur e nënshkruam solemnisht draft-kushtetutën zgjodhëm këtë vend që simbolizon tempullin e dijes dhe kalanë prej nga buronin dhe mbroheshin të drejtat tona si komb dhe si njerëz. Edhe Kushtetuta jonë është produkt i gjithë asaj përpjekje për liri dhe barazi, e mendjes dhe vullnetit që kishte burim frymëzimin e brezave dhe popullit tonë për dekada. Edhe mbishkrimi 6 vjet Republike dhe Kushtetutë është në shenje respekti për zërat e shumtë që tingëllonin nga rinia studentore në demonstrata për Republikë dhe Kushtetutë. Andaj sot i kujtojmë me respekt dhe me krenaritë gjithë ata që me jetën dhe punën e tyre bën që të jemi të lirë, të pavarur dhe me perspektivë krah kombeve të lira të botes së qytetëruar. Ky synim tanimë i realizuar tregon se kemi arsye të festojë dhe se jemi brez me fat.
Popujt që mbijetojnë dhe popujt e lirë kanë dallime në shumë gjëra, por mbi të gjitha: në mënyrën e jetesës, në mjetet që i përdorin për synimet e tyre, në perceptim për jetën, në vizionin për të ardhmen, në kohëgjatësinë e veprimeve, në iluzionet dhe improvizimet e shpeshta që i bëjnë, në kohezionin nacional, por mbi të gjitha në vlerat që i ndërtojnë dhe identifikohen. Ishte viti 99-të ai që kaloj nga jo liria në liri, viti që tregoj se ne mbijetuam si njerëz dhe si komb, dhe ishte shpallja e pavarësisë me 17 Shkurt, që realizoj synimet shekullore të popullit tonë dhe ishte mu kjo Kushtetutë që normojë vlerat e ndërtimit të shtetit tonë sipas synimeve të brezave të tërë ndër vite.
Zonja dhe zotërinj,
Miratimi i Kushtetutës më shumë se një akt juridik dhe politik ishte akt i synuar dhe fisnik për vendin tonë. Para gjashtë viteve, duke qenë të privilegjuar deputetët e Kuvendit të Kosovës kur e miratuan këtë Kushtetutë kishin ndjenjën e përgjegjësisë historike të reflektimit të synimeve të vullnetit të qytetareve tanë, por edhe të ndërtimit të vizionit për të ardhmen. Ne atë kohe, ishin ndjenja të përziera për Kushtetutën ngase kishim barrën e përgjegjësisë së funksionimit të shtetit tonë të posa shpallur, obligimet e tij përballë qytetarëve të vendit dhe partnerëve ndërkombëtare, por sot jam i bindur që secili që votojë atë ditën ndihet më i lumtur dhe me krenar për punën e bërë atë ditë. Ashtu sikur forcimi i lirisë dhe pavarësisë që lartëson kontributin e secilit individ, ashtu edhe forcimi i shtetit tonë, institucioneve demokratike, i rendit dhe ligjit në frymën e Kushtetutës forcon bindjen për punën e mirë të bërë me përgjegjësi të lartë që na kishte dhënë koha.
Zonja dhe zotërinj,
Kushtetuta jonë, ndonëse e re në traditë, po dëshmon se ajo po shërben si themel i palëkundshëm i një shteti modern, i cili për prioritet ka mbrojtjen dhe garantimin e nivelit më të lartë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj.
Gjatë viteve që kaluan, Kushtetuta jonë u sfidua jo rrallë herë. Por në secilin rast, kjo Kushtetutë dëshmoi se është ndërtuar në mënyrë të tillë sa të garantojë një sistem kontrolli e barazie që funksionon pavarësisht situatave dhe matematikave politike, e që është kualiteti më suprem i një Kushtetute.
Sistemi i mirëfilltë i kontrollit dhe bilanceve që është krijuar përmes Kushtetutës sonë, ka mundësuar që pavarësisht situatave të vështira nëpër të cilat ka kaluar dhe mund të kalove vendi ynë, përgjigjja më e mirë do të jepet pikërisht nga vetë kjo Kushtetutë dhe nga vetë sistemi i balancuar që ajo ka krijuar. Këtu duhet cekur me vlerësim të lartë edhe kontributin e secilit qytetarë dhe institucion, punës e Gjykatës Kushtetuese, e cila përmes kërkesave të njëpasnjëshme të institucioneve, por sidomos të qytetarëve tanë, ka mundësuar që të zgjatet dora e drejtësisë së kësaj Kushtetute deri të çdo qytetarë.
Puna më e madhe e secilit prej nesh, e Qeverisë, e Kuvendit, e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera, e shoqërisë civile në vendin tonë edhe në të ardhmen do të jetë që të sigurohemi se të drejtat e ndërthurura në Kushtetutën tonë do të jenë të realizueshme për çdo qytetarë. Kjo nënkupton edhe ndërtimin e mekanizmave të tillë të cilët pamundësojnë keqpërdorimin e këtyre të drejtave nga njëra anë, qofte një institucion apo një individ. Duhet përpjekur maksimalisht që të garantojmë dhënien, por dhe kufizimin e kompetencave të pushteteve, transparencën e institucioneve, por pa dëmtuar besueshmërinë; të mundësojmë funksionimin e pavarur të pushteteve, pa humbur llogaridhënien e tyre, të garantojmë të drejtën e shprehjes, por pa lejuar ofendimin e shpifjet; të garantojmë liritë fetare, por pa rrezikuar sekularizmin e shtetit tonë; të garantojmë treg të lirë, por pa dëmtuar konsumatorin; të garantojmë shanse të barabarta dhe heqje të diskriminimit, por pa dëmtuar punëdhënësit; të garantojmë mbrojtje për vendin dhe qytetarët por pa rrezikuar izolim nga të tjerët.
Zonja dhe zotërinj,
Jeta e një populli dhe një vendi është me evolutive se aktet juridike. Kështu edhe zhvillimet politike të vendit tone kanë reflektuar në amandamentimin e Kushtetues këto vite, dhe ishte krejt normale dhe në përputhje me synimet tona, kështu ishte në përfundimin e pavarësisë se mbikëqyrur, kështu është edhe në transformimin e FSK-së, kështu mund te jete edhe në marrëveshjet e reja politike. Unë them, kur një ligj nuk i bie tamam një populli duhet të ndryshohet ligji dhe jo populli, kjo vlen dhe në këtë rast dhe kohet që vijnë. Por jam i bindur se vlerat bazike të vendit tone të vendosura në këtë Kushtetutë do të mbesin të tilla dhe do të rezistojnë për kohë të gjatë.
Zonja dhe zotërinj,
Në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë por edhe të ish Kryetarit të Komisionit Kushtetues, shpreh falënderimin për mbështetjen institucionale, të shpreh mirënjohjen për punën e madhe të anëtareve te Komisionit Kushtetues, për seriozitetin dhe përgjegjësinë, për mendimet profesionale dhe debatin e hapur në mes vete dhe qytetarëve në atë kohë, për punën e pandalshme në mbrojtjen e punës së bërë gjatë ketër viteve. Jam ndier me fat qe kam punuar bashke me Ju dhe këto vite kam marrë si model atë kohë dhe atë punë të përbashkët. Më duhet të shpreh dhembjen e madhe për mungesën e dy anëtarëve tanimë të ndjerë, Nënkryetaren e Komisionit znj. Nekibe Kelmendi dhe Anëtarin z. Ramadan Kelmendi.
Në Komisioni Kushtetues, kemi pasur synim që të kemi një Kushtetutë që respekton të drejtat e secilit individ duke u nisur nga premisa se asnjëherë askush nuk do të jetë vërtet i lirë derisa të gjithë njerëzit do të mund t’i gëzojnë të njëjtat liri. Kemi vendosur hapur dhe fuqishëm vlerat që duhet te sundojnë shtetin tonë që janë te krahasueshme me botën e civilizuar. Për këto 6-të vite Kushtetuta jonë është vërejtur se ndihmon demokracinë dhe atë si demokraci për mundësi te barabarta për të gjithë, për zhvillim të lirë dhe të plotë, që nuk mohon vlerat e askujt, por që ndihmon në krijimin e vlerave të përbashkëta, të planifikimit të së ardhmes për ne dhe gjeneratat që vijnë apo sikur thoshte Monteskje: “nuk ka qellim më të bukur se sa të punosh që njerëzit të cilët vijnë më pas, të jenë më të lumtur se sa ishim ne”. Besoj se këtë e kemi arritur.
Në fund, dua të ritheksoj se, respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sundimi i së drejtës nuk është detyrë vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, por është mision i gjithë qytetarëve të vendit. Respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ditët e sotme natyrisht se është më i avancuar se në vitet e para të hyrjes në fuqi të saj dhe atë për arsyet e cekura më lartë dhe si rezultat i bindjes dhe besimit të krijuar nga qytetaret. Të gjithë ne do të dëshironim që respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në përgjithësi sistemit juridik do të vinte gjithnjë e më shumë nga bindja dhe besimi ndaj tyre se sa nga aktiviteti shtetëror më qëllim të respektimit të tyre në vendin tonë.
Të besojmë në punë dhe vlerat sublime të shtetit dhe Kushtetutës sonë, t’i rrisim dhe mbrojmë ato vlera, t’i gërshetojmë me interes kombëtar dhe botën demokratike dhe të jemi pjesë e saj me identitetin tonë politik e juridik.
Urime dhe me fat dita e Kushtetutës!”