
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e radhës të Komisionit Ndërministrorë për Reformën e Administratës Publikë.
Në këtë takim, ku pjesëmarrës ishin ministra, zëvendësministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: “Sikurse jeni në dijeni, në spektrin e përgjithshëm të reformës së administratës publike kemi aprovuar një mori ligjesh dhe dokumentesh zhvillimore strategjike të rëndësishme në këtë fushë. Pa lënë anash rëndësinë e ligjeve dhe dokumenteve tjera zhvillimore strategjike, ku kësaj radhe do t’i veçoja Ligjin për Administratën Shtetërore, Ligjin për Shërbimin Civil, Ligjin për Pagat e Nëpunësve Civilë, Strategjinë për Reformën e Administratës Publike dhe Planin përkatës të Veprimit.
Ligjet në fjalë kontribuojnë në ri-organizimin e institucioneve tona, në sanimin e funksioneve të punonjësve të administratës sonë dhe si element kyç, përmes këtyre ligjeve, mundësohet që për punën e njëjtë të ketë kompensim të njëjtë.
Për t’i jetësuar këto ligje dhe për t’i përkthyer fjalët e shkruara në vepra të realizuara, është nevojë e patjetërsueshme që të hartohen dhe aprovohen të gjitha aktet nënligjore që derivojnë nga to. Prandaj, ftoj institucionet përgjegjëse për hartimin e këtyre akteve nënligjore që të ngrisin shkallën e përgjegjësisë dhe që respektimin e ligjit ta konsiderojnë si obligim.
Për më tepër, Ligji për Pagat e Nëpunësve Civilë rregullon vetëm një pjesë të sistemit të pagave në Republikën e Kosovës, por shumica e pagave për kategoritë tjera të sektorit publik ende mbesin të rregullohen me legjislacion primar. Prandaj dhe me këtë rast, i ftoj institucionet përgjegjëse për rregullimin e kësaj fushe që të hartojnë propozimet rreth modaliteteve për harmonizimin e sistemit të pagave dhe të propozojnë një kornizë të qartë të këtij sistemi në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, krahas Strategjisë së Reformës së Administratës Publike, tanimë kemi aprovuar edhe Planin përkatës të Veprimit dhe Qeveria ka nxjerrë vendim edhe për strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtyre dokumenteve. Andaj, ftoj institucionet përgjegjëse për zbatim e aktiviteteve dhe konstituimin e grupeve dhe nëngrupeve përkatëse punuese – konform vendimit të Qeverisë – që të fillojnë me punën e tyre sa më parë dhe që rezultatet të raportohen sa më shpejt.
Nga ana tjetër, fuqia detyrimore që ofron legjislacioni dhe politikat zhvillimore të Qeverisë mund të rezultojnë të suksesshme vetëm në rastin kur ato monitorohen, mbikëqyren dhe raportohen në mënyrë të mirëfilltë dhe të saktë. Po ashtu ato mund të shtyhen, kur në rast të mos-respektimit të angazhimeve tona, ndërmerren masa sanksionuese në proporcion me dëmin e shkaktuar. Prandaj dhe për të mundësuar këtë proces, fusha e përgjithshme e inspektimit duhet të jetë një aks i pa-kompromis i përpjekjeve tona për shtet të së drejtës. Hapi inicial në këtë drejtim tashmë është ndërmarrur përmes inicimit të hartimit të projekt-ligjit për Inspektime dhe atij për Inspektimin Administrativ. Por, jam i vetëdijshëm se puna më e madhe mbetet ende për t’u bërë – që nënkupton se nga ne kërkohet angazhim dhe përkushtim maksimal për finalizimin e hartimit, aprovimin dhe implementimin e tyre ashtu që të kemi sistem funksional për inspektim dhe me premisa rregullative për llogaridhënie.
Por natyrisht që krahas sistemit kontrollues, duhet të shënojmë progres edhe drejt parimeve për rregullim më të mirë. Kjo nënkupton që të lëvizim nga kuantiteti në kualitet – përmes vlerësimit të impaktit rregullativ, të lëvizim nga kostoja e lartë në kosto më të ulët – përmes racionalizimit të shpenzimeve, të lëvizim nga procedurat e gjata në procedura të shkurtuara – përmes thjeshtimit të barrierave administrative, dhe efektin e këtyre masave ta masim përmes instrumenteve më bashkëkohore (si p.sh CAF-i – Common Assessment Framework).
Këto detyra shtesë por edhe shumë tjera që nuk i përmenda, por që kontribuojnë pashmangshmërisht në modernizimin e administratës sonë publike, kërkojnë përgjegjësi të reja dhe rrjedhimisht njohuri shtesë. Për t’u fituar këto njohuri nevojiten edhe trajnime përkatëse. Por, për tu siguruar që ato njohuri absorbohen nga personat përgjegjës për realizimin e detyrave përkatëse, është e domosdoshme që trajnimet të bëhen të obligueshme. Për më tepër, në bazë të trendit të zhvillimeve në administratat publike të shteteve evropiane (familje kjo që synojmë të bëhemi pjesë), ngritja e nivelit të arsimimit të një kategorie të punonjësve të administratës tonë publike po rezulton të jetë një ndër sfidat kryesore që do të duhet të përballemi në një të afërme jo edhe aq të largët. Prandaj përforcimi i rolit dhe i kapacitetit të Institutit Kosovar për Administratë Publike, nuk është më vetëm dëshirë e jona por është shndërruar edhe në domosdoshmëri.
Si qëllim tjetër drejt reformimit të administratës publike, jo më pak i rëndësishëm, është edhe luftimi i korrupsionit dhe sigurimi i etikës dhe transparencës në administratë publike. Aktualisht, në Republikën e Kosovës disponojmë me legjislacion dhe institucione mjaft adekuate për luftimin e këtyre fenomeneve. Por paralelisht ndriçimit faktik të realitetit duhet të punojmë edhe në ndryshimin pozitiv të mentalitetit. Për ta realizuar një gjë të tillë do të angazhohemi që në të gjitha institucionet e administratës publike të hartojmë planet e integritetit. Këto plane do të shërbejnë që rreziku për korrupsion të vlerësohet paraprakisht, të identifikohen qysh në faza të hershme dhe që impakti sanksionues të jetë i qartë për të gjithë. Apo thënë shkurtimisht, planet e integritetit do të na shërbejnë më shumë për parandalim se sa për konsekuencim”.