
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtimi – Çfarë lloj mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës?”, e organizuar nga ICO dhe Ministria e Drejtësisë.
Në fjalën e tij të mbajtur para pjesëmarrësve të kësaj konference, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: “Kam kënaqësinë që sot të hap këtë konferencë e cila është pritur shumë nga të gjithë ne. Ju falënderoj që sot na jeni bashkëngjitur për të diskutuar së bashku, Qeveri dhe shoqëri civile, një temë shumë të rëndësishme jo vetëm për të kaluarën tonë por shumë më tepër për të ardhmen tonë.
Ne kemi kaluar nëpër një të histori të hidhur, të vrazhdë dhe jo të drejtë. Ndonëse jemi me shumë fat që ajo ka përfunduar dhe tash e shumë vite ecim të lirë në vendin tonë, nuk duhet asnjëherë të refuzojmë që të kthejmë kokën prapa për të parë atë që ka ndodhur, si ka ndodhur, dhe më me rëndësi të zbulojmë se çfarë të bëjmë tash e tutje që kjo të mos ndodhë më asnjëherë.
Tani, shteti jonë ka ndërtuar një ambient stabil dhe përmes Kushtetutës së tij, ndër më modernet, tani garanton nivelin më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi, dhe parasheh një numër jashtëzakonisht të madh të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë. Më këtë dhe më ligjet tjera që shteti ynë nxjerrë çdo ditë si dhe zbatimin e tyre në praktikë, shteti ynë, në veçanti institucionet shtetërore, sot shihet i gatshëm për të marrë primatin për të hapur kapitujt e drejtësisë tranzicionale, duke filluar kështu si sot, me hulumtimin se çfarë mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet vendit tonë. Sot, drejtësia tranzicionale për ne, nuk është vetëm një obligim i Pakos së Ahtisarit, por gjithashtu një detyrim i vendit tonë që të garantojë mirëqenien e gjeneratave të ardhme dhe të garantojë një jo-përsëritje të së kaluarës sonë.
Megjithatë, as sot nuk është e lehtë që të hapet ky kapitull për ne. Përkundër shumë hapave që Qeveria por gjithsesi edhe shoqëria jonë në përgjithësi ka ndërmarrë për ta garantuar një stabilitet politik dhe ambient paqësor, duhet gjithsesi të kemi bashkëpunim edhe më fqinjët tanë. Barriera kryesore e cila vështirëson e nganjëherë edhe pamundëson Kosovën që të ballafaqohet me të kaluarën e saj qëndron në çështjet që kanë mbetur akoma të hapura me Serbinë. Prandaj, çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë janë ato që e bëjnë këtë proces shumë më të vështirë sesa që do të duhej të ishte. Kanë kaluar 13 vjet prej përfundimit të luftës sonë të fundit dhe Kosova akoma vazhdon të dialogojë me Serbinë për çështje teknike e më bazike siç janë librat amë. Unë mendoj se me mbylljen e këtyre çështjeve të lëna pezull, Kosova do të kishte shumë më të lehtë ballafaqimin me të kaluarën e saj dhe gjithsesi edhe Serbia, e cila vazhdimisht refuzon të hapë këtë kapitull, por edhe të kërkoi falje si akt moral.
Por Kosova nuk mund të ngelë peng i barrierave që Serbia apo kushdo tjetër ia ven asaj. Gjithsesi, Kosova nuk mund të lejë anash ballafaqimin me të kaluarën e saj, zbulimin e së vërtetës, riparimin e dëmeve të luftës, drejtësinë penale, duke pritur vullnetin e mirë të shtetit të saj fqinj. Prandaj, ne jemi mbledhur sot këtu për të dëshmuar që do të marrim në dorë këtë çështje dhe ta udhëheqim atë sa më larg që të mundemi, ndërkohë që do të përpiqemi maksimalisht që të gjejmë bashkëpunimin e vendeve të rajonit.
Për të bërë këtë në mënyrë sa më të mirë, më lejoni që sot të bëj të ditur për ju atë që para ca javësh Kryeministri Thaçi e ka paralajmëruar: Krijimin e një Grupi Punues Kombëtar për drejtësinë tranzicionale. Qeveria e Kosovës pritet që shumë shpejtë të marrë një vendim për krijimin e këtij Grupi Punues i cili do të përbëhet jo vetëm nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme qeveritare por edhe nga shoqëria civile dhe akademia. Ky grup punues do të jetë ai që do të ndërtojë një strategji nacionale për drejtësinë tranzicionale, duke paraparë se çfarë mekanizmi për hulumtimin e së vërtetës i duhet Kosovës, si të bëjmë riparimin e dëmeve të luftës në mënyrën më të mirë si dhe çfarë duhet bërë për të përmirësuar akoma më tepër drejtësinë penale në vendin tonë.
Duke u kthyer tek tema e konferencës së sotme, që është në fakt hapi i parë drejtë ballafaqimit me të kaluarën, dua të kujtoj një thënie të famshme të Eskilit, se “ajo që pëson më së shumti në një luftë është e vërteta”. Edhe në luftën tonë të fundit, përveç numrit të madh të viktimave dhe humbjeve te tjera, ajo që pësoi më shumë ishte e vërteta. Dhe pikërisht për hir të së vërtetës Qeveria jonë, Ministria e Drejtësisë, ka filluar së bashku me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil këtë nismë për t’i ri-adresuar këto tema tani.
Ajo që më së shumti na ka munguar neve si Qeveri ka qenë një qasje gjithëpërfshirëse dhe unike e jona për ballafaqimin me të kaluarën, siç sot quhet “Drejtësia Tranzicionale”. Një çështje me kaq shumë rëndësi si kjo, kërkon një qasje sistematike, të menduar mirë, dhe për më tepër përkushtim të plotë të secilit sektor qeverisës.
Pas një serie punëtorish të brendshme, sot po hapim një diskutim me ju për të parë modelet më të mira në botë për kërkimin e së vërtetës dhe për të parë se si do të mund t’i reflektojmë praktikat më të mira në vendin tonë. Secila e hallkë e këtij procesi, drejtësisë tranzicionale, është tejet e rëndësishme, andaj nuk guxojmë të lëshojmë asnjërën nga këto pa e adresuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Dua t’ju lë me një citat të Winston Churchill “Duhet guxim për t’u ngritur dhe për të folur, por duhet gjithashtu guxim për t’u ulur dhe për të dëgjuar”. Dhe pikërisht këto janë dy elementet kryesore që ne si Qeveri e Kosovës duhet t’i kemi parasysh gjatë Kërkimit të së Vërtetës: që të flasim për atë që na ka ndodhur neve, por gjithashtu të ulemi dhe të dëgjojmë atë se çfarë ka ndodhur. Vetëm kur të dëgjohen të gjithë akterët e ngjarjes, mund të gjendet e vërteta që na ka munguar kaq shumë vite.
Kam kënaqësinë që sot na janë bashkëngjitur përfaqësues nga institucionet më të larta dhe ekspertët më në zë që punojnë çdo ditë me çështje të këtilla të ndjeshme, e të cilët i falënderoj për gatishmërinë edhe kontributin e madh që kanë dhënë tashmë gjatë këtij procesi.
Prandaj, duke ju falënderuar për prezencën tuaj sot, kam bindjen e thellë që konferenca e sotme do të arrijë të hapë një temë jo fort të diskutuar më parë dhe do të hapë një diskutim të përbashkët te të gjithë neve, qeveri dhe shoqëri civile, komunitete shumicë dhe pakicë, familje dëshmorësh dhe qytetarë tjerë, për të ndërtuar kështu një të ardhme e cila do të na lejë të ecim përpara”.