Skip to content
Fjalimi i Zëvendëskryeministrit Kuçi në Konferencën “Parimet dhe praktikat për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan”

Fjalimi i Zëvendëskryeministrit Kuçi në Konferencën “Parimet dhe praktikat për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan”

Prishtinë, 29/05/2012

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në Konferencën evropiane të lidershipit “Parimet dhe praktikat për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan”, e organizuar nga Federata e Paqes Universale dhe Federata e Grave për Paqe Botërore dhe e mbështetur nga Ministria e Drejtësisë.

Në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve të kësaj konference, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: ”Më lejoni të shpreh admirimin tim personal për të qenë pjesë e kësaj Konference, e cila para së gjithash synon promovimin e PAQES universale dhe aq të dëshirueshme nga popujt e Ballkanit. Promovimi i paqes dhe konsolidimit të saj është beteja kryesore e tërë civilizimit botëror, fakt i cili kryesisht arrihet sot përmes dy premisave themelore të saj: DEMOKRACISË dhe të DREJTAVE TË NJERIUT.

Populli i Kosovës, i cili ka denjuar t’i ketë këto dy cilësi globale përgjatë një shekulli, — ka dëshmuar tradicionalisht se nëpërmjet PAQES dhe forcimit të saj, si dhe edukimit, pajtimit e ndërtimit kryekëput paqësor të shtetësisë, do ta rrisë efektshmërinë e shtetbërjes dhe integrimin e saj drejt vlerave më sublime të qytetërimit perëndimor.

Ne si shoqëri kemi kaluar nëpër një të histori aspak të drejtë dhe të hidhur. Jemi me shumë fat që ajo ka përfunduar dhe tash e shumë vite ecim të lirë në vendin tonë, ndonëse nuk duhet asnjëherë të refuzojmë që të kthejmë kokën prapa për të parë atë që ka ndodhur, si ka ndodhur, dhe më me rëndësi të zbulojmë se çfarë të bëjmë tash e tutje që kjo të mos ndodhë më asnjëherë.

Republika e Kosovës po përballet me një fazë kalimtare aktualisht, e cila do shpijë nga pavarësia e mbikëqyrur tek ajo e një shteti plotësisht sovran.

Në këtë proces, Kosova padyshim ka nevojë për mbështetjen e miqve të saj si të fuqive të mëdha të tilla si SHBA dhe vendet e Unionit Evropian.

Megjithatë, Kosova ka nevojë për mbështetjen e njëjtë edhe nga brenda. Shtet-ndërtimi dhe fryma e demokracisë së vendit, nuk është një detyrë e lehtë, kështu që pjesëmarrja e gjithë popullit të Kosovës është një domosdoshmëri, ndërsa roli i të gjithë neve që jemi të përfshirë në ketë detyrë do të jetë me vlerën më të madhe për të ardhmen e Kosovës.

Aktualisht, shteti ynë ka ndërtuar një ambient stabil dhe përmes Kushtetutës dhe ligjeve pozitive, garanton nivelin më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi, sikur edhe që parasheh një numër tejet të lartë të mekanizmave ligjor për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, së fundi, ka vendosur që ta themelojë Këshillin për Drejtësi Tranzicionale dhe Pajtim, e cila për më tepër synon që ta rrisë nivelin e kujdesit institucional për pajtim dhe promovim të paqes ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Më këtë dhe me ligjet e tjera që shteti ynë nxjerrë çdo ditë, si dhe zbatimin e tyre në praktikë — institucionet shtetërore sot, janë të gatshme për të marrë primatin për të hapur kapitujt e promovimit të paqes së përhershme dhe të konsoliduar. Me fjalë të tjera, ne nuk jemi të obliguar të zbatojmë vetëm Kushtetutën, por detyrimi kryesor i vendit tonë mbetet — ai i garantimit të mirëqenies së gjeneratave që do të vijnë, gjë e cila do të sigurohet vetëm nëpërmjet mos-përsëritjes së të kaluarës sonë jo të drejt.

Kjo gjeneratë e shqiptarëve të Kosovës ka pasur mjaft — më shumë sesa e mjaftueshme — luftë, urrejtje dhe shtypje. Prandaj, nëpërmjet promovimit të idesë për instalimin e një paqeje të përhershme, ne do të konsolidojmë demokracinë tonë, derisa të drejtat e njeriut do t’i promovojmë si virtytin kryesor të shoqërisë dhe vlerave tona.

Dhe pikërisht për hir të së vërtetës që ka pësuar, mbetet mëse e domosdoshme që Kosova të ballafaqohet me ide të përhershme për promovimin e paqes dhe sendërtimin e saj, duke mos hequr asnjëherë dorë nga ajo, të cilën Ciceroni e kishte quajtur, historia si mësuesja e jetës. Një çështje si kjo, me kaq shumë rëndësi, kërkon një qasje sistematike, të menduar mirë, dhe për më tepër përkushtim të plotë të secilit sektor qeverisës.

Ambasadorët e paqes, të cilët u promovuan për herë të parë para më shumë se një dekade, janë një tjetër indikatorë — roli i të cilëve mbetet padyshim ai i afirmimit të një bote pa dallim kombësie, race, religjioni apo edhe kulture. Pikërisht këto ide themelore të cilat promovojnë PAQEN botërore, janë kërkesat e natyrshme të njerëzimit për një botë pa kufij dhe të globalizuar, aty ku shoqëria ndërkombëtare jeton e lirë dhe pa konflikte.

Më lejoni që për fund t’ju sjell ndërmend, atë që Presidenti amerikan John Kennedy në kulmin e Luftës së Ftohtë në vitin 1963, e kishte thënë me aq dinjitet:

“Problemet tona janë të artificiale, prandaj ato mund të zgjidhen vetëm nga njeriu. Dhe njeriu mund të jetë i madh po aq sa dëshiron ai vet. Arsyeja dhe shpirti i mirë i njeriut, i kanë zgjidhur shpesh në dukje, problemet që janë dukur të pazgjidhshme -dhe ne besojmë se mund ta bëjmë këtë përsëri.”

E fundit por, jo më pak e rëndësishme, më lejoni të UROJ Ambasadorët e rinj të PAQES, të cilët po promovohen sot në këtë ditë të shënuar, dhe pashmangshëm të falënderojë Federatën e Paqes Universale për organizimin e kësaj Konference, për të cilën Ministria e Drejtësisë shpreh konsideratën e veçantë”. 

Foto Galeria

Skip to content