
I nderuari Kryeprokuror i Shtetit!
I nderuari Kryetar i Gjykatës Supreme!
E nderuara znj. Hajdari!
Zonja dhe Zotërinj!
Jam i nderuar që sot bashkë me ju këtu kam mundësin të shënojmë Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, por njëkohësisht të shënojmë edhe një simbolikë të veçantë të gatishmërisë sonë si Qeveri dhe të institucioneve të vendit tonë, për të vazhduar parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, e cila dukuri fatkeqësisht është e pranishme në shumë shtete të tranzicionit, po edhe në Kosovë. Mirëpo, fakti që Kosova nuk bënë përjashtim sa i përket pranisë së korrupsionit, asnjëherë dhe në asnjë moment nuk duhet të shërbejë arsyetim as për Qeverinë e Kosovës, as për institucionet tjera që kjo nuk mund të luftohet, nuk mund të parandalohet dhe se është i mundshëm të ekzistojë në të gjitha nivelet. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse Qeveria e Kosovës e ka menduar vazhdimisht dhe e ka theksuar politiken e saj qeverisëse si zero tolerancë ndaj korrupsionit, por njëkohësisht do të thoja edhe angazhimin duke kërkuar nga të gjithë akteret jo vetëm të Qeverisë brenda për brenda, por edhe të akterve të tjerë, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por, duke e respektuar pavarësinë e secilit dhe kompetencat ligjore që i kemi në këtë drejtim.
Qeveria e Kosovës ka punuar në drejtimin e politikave kundër korrupsionit, por njëkohësisht edhe në kompletimin e infrastrukturës ligjore e cila është një prej parakushteve që mundëson parandalimin e korrupsionit. Natyrisht, në këtë drejtim e kemi një trekëndësh i institucioneve që luftojnë korrupsionin, nga ana e institucioneve ekzekutive dhe legjislative, këndi tjetër janë qytetaret e Republikës së Kosovës dhe këndi i tretë është gjyqësori, ku dua të them paralelisht që të tri këndet bashkërshit.
Ne si shoqëri duhet ta luftojmë korrupsionin, por tani është koha që t’i dyfishojmë përpjekjet tona për këtë dukuri. Problem i korrupsionit mund të jetë i pranishëm në vendin tonë, por nuk është problem i pazgjidhshëm, në këtë drejtim ne duhet të përdorim mjetet që kemi në dispozicion në respektimin e zbatimit të ligjit dhe të vendosim rrugë që si mund ta eliminojmë këtë dukuri dhe mund ta parandalojmë gjithsesi, andaj, unë besoj që kjo mund të arrihet përmes disa aktiviteteve:
• rritjes së integritetit, llogaridhënies dhe transparencës së legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, forcimit të bashkëpunimit midis këtyre institucioneve si dhe forcimit të kapaciteteve kundër-korrupsionit të institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal;
• krijimit të kushteve për një ekonomi të çliruar nga praktikat korruptuese dhe minimizimin e mundësive korruptuese në ekonomi;
• rritjes se rrolit të shoqërisë civile dhe rritjes se pjesëmarrjes dhe mbikëqyrjes se procesit nga ana e publikut mbi këtë zhvillim;
• sigurimin e zbatimit të ligjit përmes aprovimit dhe zbatimit të duhur të kuadrit ligjor kundër-korrupsionit dhe çështjeve të tjera që lidhen me të; dhe
• zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e parandalimit dhe luftën kundër-korrupsionit.
Për të arritur këto objektiva Qeveria e Republikës së Kosovës në shkurt të vitit 2011, ka krijuar Task Forcen Kundër Korrupsionit. Qeveria e Republikës së Kosovës ka inicuar dhe në të njëjtën kohë ka aprovuar një sërë projektligjesh për fuqizimin e luftës kundër korrupsionit:
• Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
• Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
• Ligji për Prokurimin Publik.
• Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.
• Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike.
• Kemi hartuar dhe proceduar në Kuvend Projekt Kodin e ri Penal.
Në Kodin e ri Penal jemi fokusuar për të sofistikuar normat që kanë të bëjnë me këtë fenomen, duke mundësuar definimin sa me korrekt dhe bashkëkohor të tij dhe gjithashtu duke u fokusuar në ngritjen jo vetëm të dënimeve, por edhe të pragut të dënimit dhe formës se tij. Natyrisht edhe të ndërtimit të politikave për Kodin e ri të Procedurës Penale, ku do të fokusohemi në ofrimin e sa me shumë mjeteve për përgjegjësin dhe eliminimin e barrierave procedural për prokuror, në mënyrë që lufta kundër-korrupsionit të ashpërsohet, gjithmonë duke u kujdesur për respektimin maksimal të drejtave të njeriut.
Tani kemi filluar edhe hartimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Kundërligjshme, apo siç është i njohur për opinion, Ligji Anti-mafi, ku në theks të veçantë i kemi vënë mjetet që kanë munguar për gjyqtarët dhe prokurorët tanë, për të luftuar korrupsionin pikërisht kur ai fillon në përfitimin material te të korruptuarve, për të eliminuar atë që e kam quajtur korrupsion pasiv në sistemin tonë edhe në drejtësi edhe kudo tjetër. Kemi tentuar që ta rrisim formën e transparencës përball opinionit publikë, duke themeluar një sistem elektronik të menaxhimit të tërë sistemeve, ku do t’ju jepet mundësi qytetarëve dhe të tjerëve që t’i shohin ballë për ballë.
Mund të kemi dhe mund të bisedojmë edhe më gjerë për këto përmbajtje të sistemit të drejtësisë në infrastrukturën ligjore, por, me lejoni të them që thelbi i luftës kundër korrupsionit ekziston në përkushtimin e shoqërisë për ta luftuar atë. E thash më herët që janë tri kënde dhe këndi gjithmonë që duhet ta theksojmë janë institucionet dhe ngritja e kapaciteteve të tyre dhe është bashkëpunimi me qytetarët.
Unë e di se asnjë rast në botë i luftimit të dukurive negative nuk kanë mundur të shkojnë deri në fund pa pas një bashkëpunim të plotë me qytetaret e Republikës tonë në këtë rast, apo edhe në raste tjera më qytetarët e vendeve respektive. Ky është një rast i mirë që t’i ftojmë qytetarët të punojnë më organet e hetuesisë për luftimin e kësaj dukurie. Natyrisht Qeveria e Kosovës do t’i japë mundësi që gjyqësori të kryej punën e vet maksimale dhe do të thoja që ky trekëndësh duhet të jetë i kujdesshëm në respektimin e drejtave të njeriut.
Unë e kam një thënie që ligji duhet të sundohet me ligj, në këtë drejtim mendoj që edhe ata që e luftojnë korrupsionin, që nga institucionet, gjyqësori, prokuroria dhe qytetaret, duhet të jenë të kujdesshëm që të respektohen lirit dhe të drejtat e njeriut dhe të drejtat e secilit, prej individit që mund të jetë i dyshuar apo në faza të ndryshme të procedurave gjyqësore.
Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës e shpreh kënaqësinë e vet që luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është një dukuri që është fuqizuar në Kosovë dhe veprimet e tilla kanë gjetur mbështetje nga qytetarët dhe nga politika e Kosovës, si dhe ka një koordinim të mirë në mes të institucioneve vendore, me qeveritë e shteteve mike dhe me institucionet ndërkombëtare që janë prezentë në Kosovë.
Me lejoni që në emër të Qeverisë së Kosovës t’ju them se ne do të vazhdojmë me angazhimet tona në luftë kundër korrupsionit, në ndërtimin e shtetit ligjor për të cilin do të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që i hapë Kosovës perspektiven për integrime evropiane. Unë besoj që sot është rast i mirë për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit, njëkohësisht për të treguar gatishmërinë tonë që kjo luftë nuk është e pamundur dhe nuk është e pa shpresë, por kërkohet një bashkëpunim dhe një fuqizim i guximit tonë në këtë bashkëpunim.
Ju faleminderit!