
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e dytë të Këshillit Kundër Korrupsionit, temë e të cilit ishte shqyrtimi i kornizës legjislative dhe identifikimi i mënyrave për fuqizimin e kornizës ligjore ekzistuese për luftimin e korrupsionit.
Në fjalimin e tij të mbajtur para anëtarëve të këtij këshilli, Zëvendëskryeministri Kuçi tha:
Është kënaqësi e imja që sot, së bashku me bashkëpunëtorët e mi, të diskutojmë për njërën nga shtyllat kryesore të luftës kundër korrupsionit, e që është ligji.
Si Ministër i Drejtësisë dhe si Zëvendëskryeministër për Rend dhe Ligj unë besoj fuqishëm që themelet e kësaj lufte janë pikërisht ligjet e mirëfillta të cilat mundësojnë një luftë të tillë dhe pikërisht në këtë drejtim jam përpjekur që ta drejtoj Ministrinë e Drejtësisë e cila e mbanë rolin kyç në krijimin e këtyre bazave me ligje.
Në drejtim të konkretizimit të temës dhe përpjekjeve për të diskutuar thelbin e kësaj çështjeje, më lejoni që të kaloj në shtjellimin e risive kryesore në këtë lëmi për luftimin e korrupsionit.
Për fillim, më lejoni që të përmend se Ministria e Drejtësisë, deri më tani ka hartuar një pako jo të vogël të ligjeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke hartuar këto ligje të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kontribuojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit:
o Ligji për mbrojtjen e Dëshmitarëve,
o Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale,
o Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik,
o Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik,
o Ligji për mbrojtjen e informatorëve,
o Ligji për përgjegjësin penale të personave juridik.
Duke qenë se kemi pasur mundësi që të diskutojmë këto ligje disa herë më parë, unë do të fokusohem kësaj radhe në planet e Ministrisë së Drejtësisë për këtë vit në këtë drejtim, duke u fokusuar në tri ligje kryesore të cilat janë baza kryesore që sivjet pritet të vihet në luftën tonë kundër korrupsionit, dhe këto janë: Kodi i ri Penal, Kodi i ri i Procedurës Penale dhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale.
KODI PENAL
Kodi i ri penal, i cili pritet të miratohet përfundimisht shumë shpejtë nga Kuvendi, ka sjellë shumë risi dhe shumë përmirësime në drejtësinë penale në Kosovë. Për më tepër, njëra nga përpjekjet kryesore të MD dhe rrjedhimisht Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë pikërisht ashpërsimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti. Prandaj, më lejoni që të veçoj vetëm disa nga ndryshimet kryesore në Kodin e ri Penal në këtë drejtim:
Kemi shtuar nen të ri (Neni 63) i cili i detyron kryesit e veprës penale që të bëjnë kompensimin e dëmit të shkaktuar me veprën e tyre penale. Kjo do të thotë që një i dënuar në procedurë penale për një vepër të korrupsionit do të detyrohet automatikisht që të kompensojë dëmin e shkaktuar qoftë ndaj individit apo ndaj ndonjë personi juridik.
Gjithashtu, në nenin paraprak është rritur pragu për deprivimin nga e drejta për t’u zgjedhur. Nga veprat e dënueshme më së paku pesë vite burgim, tani mund të privohen nga e drejta e zgjedhjes edhe për vepra të dënuara prej dy vite e më tepër. Gjithashtu, ky privim është zgjatur në katër vite, për dallim prej tri vitesh siç ishte në Kodin e kaluar.
Konflikti i interesit tani mund të dënohet edhe me burgim deri në tri vite, apo në çështje të prokurimit edhe me dënim deri në 5 vite.
Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, përveç që është definuar shuam mirë, tani mund të dënohet me deri në 12 vite burgim, për dallim nga 10 vite siç ishte në Kodin e kaluar dhe të njëjtat ndryshime janë bërë edhe për mashtrimin në detyrë zyrtare.
Është rritur dënimi për pranimin e ryshfetit apo mitos deri në 10 vite siç ishte, tani është bërë deri në 12 vite, apo me minimum prej një viti nëse shuma e mitos është më shumë së 15,000 euro. (Neni 427) Gjithashtu edhe dhënia e mitos (jo vetëm marrja e mitos) është e dënueshme deri në 8 vite burgim.
Është futur një dispozitë e re e cila kriminalizon dhënien e ryshfetit edhe ndaj zyrtarëve të huaj- jo vendorë.
Janë rritur shumë dënime për vepra të kësaj natyre, duke përfshirë këtu Ushtrimi i ndikimit, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare, Falsifikimi i dokumentit zyrtar, Arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme etj.
(Me insistimin e Kuvendit) Është kriminalizuar edhe mosraportimi, raportimi i rrejshëm i pasurisë apo të ardhurave. Tani jo vetëm që kemi obligim ligjor që ta bëjmë këtë në mënyrë të duhur, por gjithashtu dështimi për ta bërë këtë në përputhje me ligjin është vepër penale dhe e dënueshme me gjobë apo burgim prej 6 muaj deri ne 5 vite. Gjithashtu, vlen të ceket se vlera e pasurisë e cila nuk është raportuar në përputhje me ligjin do të konfiskohet. Dhe kjo, natyrisht, ashpërson edhe më tej këtë detyrim.
KODI I PROCEDURËS PENALE
Kodi i Procedurës penale, i cili është në përgatitje e sipër pas ofrimit të një drafti tashmë nga MD e i cili po diskutohet së bashku me bashkëpunëtorët tanë. Ky Kod gjithashtu është njëri nga instrumentet më themelore i cili për qëllim kryesor ka efikasitetin e procedurës penale i cili do të ndihmojë prokurorët dhe gjyqtarët tanë që të arrijnë vënien e drejtësisë në mënyrë sa më të drejtë dhe efektive. Natyrisht, gjatë përpilimit të draftit tonë, Ministria e Drejtësisë por edhe bashkëpunëtorët tanë, përfshirë këtu kryesisht KGJK, KP, Ambasadën Amerikane dhe EULEX, janë përkujdesur që të inkorporojnë praktikat më të shquara botërore e të cilat gjithashtu garantojnë një standard të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Më lejoni që të veçoj njërin nga ndryshimet kryesore i cili pritet të bëhet me amandamentimin e ligjit për gjykata e që lidhet drejtpërdrejtë me procedurën efikase penale kundër rasteve të tilla të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të themelohen dhoma të veçanta brenda gjykatave themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë, e cila do të jetë kompetente vetëm për veprat penale nën kompetencën e Prokurorisë Speciale.
Rrjedhimisht, Prokuroria Speciale do të pasqyrohet në një model të ngjashëm por të gjyqësorit. Kjo do të mundësojë:
1. Që të rritet kualiteti i gjykimit dhe vendimeve të marra nga gjyqtarë tani të profilizuar për gjykimin e këtyre veprave të rënda penale; dhe
2. Që këto raste të trajtohen me prioritet nga secila gjykatë dhe kështu të gjykohen më shpejtë.
Ndonëse drafti i këtij Kodi nuk është final, këto janë qëllimet kryesore që kemi synuar t’i arrijmë me ndryshimet e bëra.
Kemi përmirësuar mundësinë e hetimit të krimeve të komplikuara. Kjo përfshinë rregullimin akoma më të mirëfilltë të masave të fshehta të hetimit, përgjimeve, simulimeve dhe marrjen e të dhënave financiare shumë më parë në procedurë.
Kemi përmirësuar mundësinë dhe ligjshmërinë e marrjes së dëshmive të dëshmitarëve, veçanërisht të atyre që mund të pritet se do të mungojnë gjatë gjykimit kryesor (për shembull pritet të vdesin).
Kemi mundësuar një proces për të identifikuar, bllokuar dhe konfiskuar të mirat materiale- dobitë pasurore nga vepra penale. Natyrisht, këtu do të kujdesemi që në asnjë mënyrë kjo të mos jetë në konflikt me ligjin për konfiskimin e pasurisë.
Kemi përmirësuar mundësinë e marrjes së dëshmive financiare dhe prezantimit të tyre para gjykatës. Në këtë mënyrë, do të jetë shumë më e lehtë që të vërtetohet dobia pasurore, marrja e mitos apo shpëlarja e parave.
Kemi bërë disa ndryshime në procedurën e pranimit të fajësisë e cila i shtynë, i inkurajon dëshmitarët bashkëpunues, e cila do të mundësojë prokurorëve dhe gjyqtarëve arritjen më të lehtë të provave kundër të korruptuarve.
Në përgjithësi, efikasiteti i sistemit do të përmirësohet dukshëm, që do të thotë do të kemi procedura më të shpejta penale dhe me prova më të mira kundër keqbërësve. Kjo do të thotë që edhe të korruptuarit do të ballafaqohen me drejtësinë në mënyrë më të shpejtë dhe më të drejtë.
Me zhvillimet e fundit në drejtësi në kohët e fundit, qytetarët tanë janë gjithashtu të brengosur për mundësinë e korruptimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kodi i ri Procedurës Penale ka përmirësuar gjithashtu kontrollin dhe bilancin e palëve të involvuara në procedurë në mënyrë që të sigurohet se asnjë pjesë e sistemit të mos jetë shumë e fuqishme apo shumë më e dobët se tjetra dhe kështu të eliminohet mundësia e korruptimit të ndonjërës.
PROJEKTLIGJI PËR KONFISKIMIN E PASURISË TË FITUAR ME VEPËR PENALE
Ministria e Drejtësisë është në përfundim të draftit të fundit të këtij projektligji. Për përpilimin e tij, MD ka punuar së bashku me akterët kyç në vend dhe gjithashtu ka marrë shumë për bazë mendimet e shumta të ekspertëve të Komisionit Evropian dhe EULEX-it si njohës të praktikave më moderne dhe më të suksesshme në këtë drejtim.
Meqë është kërkuar nga MD që për këtë takim të kemi fokus të veçantë në këtë ligj, unë do të përpiqem që sot të sjellë sa më shumë informata rreth bazave që ky ligj i vë, por pa u ndalur në shumë hollësi.
Së pari, vlen të ceket se barra e provës mbetet tek prokurori, duke pasur parasysh të gjithë faktorët që e bëjnë të pazbatueshëm kalimin e barrës së provës apo të provuarit e pasurisë nga qytetari duke filluar që nga regjistrat kadastrale, sistemi i trashëgimisë, etj. Prandaj, ndonëse ka pasur diskutime dhe aspirata për futjen edhe të Konfiskimit civil apo, në terme tjera, kalimi i barrës së provës tek qytetari, duke i konsideruar edhe këshillat dhe opinionet e shumë ekspertëve nga shumë vende të botës, kemi vendosur që ky ligj të fokusohet vetëm në atë penal, pra që akoma të mbetet detyrë e prokurorit që të vërtetojë veprën penale për të munduar konfiskimin. Siç është vërtetuar edhe në vendet e ndryshme të BE-së, konfiskimi civil është fazë shumë e avancuar e konfiskimit dhe tek tani është në diskutim draft direktiva që synon të përfshijë disa aspekte të konfiskimit civil. Praktikat e deritanishme kanë treguar që konfiskimi civil është zbatuar në mënyrë të duhur vetëm në sistemet dhe shtetet që kanë pasur një praktikë të konsoliduar dhe të plotë të konfiskimit penal dhe sistem stabil të gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë. Me fjalë të tjera, do të ishte barrë shumë e madhe për qytetarët tanë që me një sistem të tanishëm kadastral, ku shumë dokumente mungojnë për shkak të historisë jo të lehtë që ka pasur vendi ynë, të vërtetojnë secili prej tyre prejardhjen e pasurisë së tyre. Prandaj, do të mbetet tek prokurorët që të vërtetojnë që një person ka ardhur deri tek një dobi pasurore vetëm përmes kryerjes së veprës penale dhe pastaj konfiskimi do të mundësohet nga gjykata.
Sipas këtij projektligji, konfiskimi do të kryhet vetëm pasi që më parë të jenë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme dhe jetë provuar saktë që pasuria është përfituar me kryerjen e veprës penale ose si pasojë e veprës penale dhe që personi të jetë shpallur fajtor për veprën penale përkatëse.
Si masa të lejueshme para konfiskimit janë paraparë Masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë dhe Sekuestrimi, të caktuara nga gjykata sipas propozimit të prokurorit.
(Për çdo rast, këto janë masat para konfiskimit.
Masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë, të caktuara nga gjykata sipas propozimit të prokurorit përfshijnë masat që:
• asnjë person ose entitet nuk mund të shesë, të transferojë, të fshehë, të shkatërrojë ose të merret në mënyra të tjera me pasurinë;
• asnjë bankë ose institucion financiar nuk mund të transferojë pasurinë, të kryejë transaksione lidhur me pasurinë ose t’i lejojë qasje në pasuri nëse ajo mbahet në bankë ose në institucionin financiar;
• në rast të pronës së paluajtshme, autoritetet kompetente do të refuzojnë të vërtetojnë kontratën e shitjes ose të regjistrojnë transferin e pasurisë;
• gjykata do të autorizoj Agjencinë për të marrë kontrollin dhe për të menaxhuar me pasurinë nëse pasuria e tillë mund të krijojë të hyra, përkatësisht nëse kërkon menaxhim.
Me kërkesë të prokurorit, gjykata vendos sekuestrimin e pasurisë të fituar me vepër penale kur ekziston një dyshim i arsyeshëm që personi mund të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale dhe kur ekziston rreziku që konfiskimi i mëvonshëm i kësaj pasuri do të ishte shumë i vështirë ose i pamundshëm.)
Sipas këtij projektligji, konfiskimi i pasurisë do të bëhet me vendim të gjykatës sipas kërkesës së prokurorit.
Konfiskimi i pasurisë mund të bëhet edhe ndaj pasurive për të cilat nuk është vendosur masa e sekuestrimit.
Gjykata, duhet të vendos për konfiskim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës së prokurorit, përveç për raste komplekse.
Pasuria e fituar me vepër penale përcaktohet në aktgjykim me të cilin personi i akuzuar shpallet fajtor.
Me këtë projektligj është përcaktuar edhe Procedura e konfiskimit për raste të veçanta, siç është rasti:
• kur nuk mund të fillohet procedura penale për shkak të vdekjes së të pandehurit ose
• kur ekzistojnë rrethana të veçanta që përjashtojnë ndjekjen penale.
Kjo mund të bëhet sipas propozimit të prokurorit apo të dëmtuarit nëse besohet që pasuria e fituar me vepër penale për të cilën kërkohet konfiskimi është më së paku 1000 euro.
Megjithatë, edhe në këtë procedurë Gjykata është e obliguar që me aktgjykim të:
• vërteton që i pandehuri ka kryer veprën penale,
• vërteton që me veprën penale është përfituar pasuri duke përcaktuar llojin e pasurisë të fituar me vepër penale si dhe kundërvlerën në të holla,
• vendos që kjo pasuri ose të drejta janë pronë e Republikës së Kosovës,
Me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore e institucionale është përcaktuar që 20 % e shumës së pasurisë së konfiskuar të ndahet për financimin e ngritjes së kapaciteteve dhe punën e sistemit gjyqësor, prokurorial dhe të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar.
E nderuara Presidente, të nderuar bashkëpunëtorë e deputetë, më lejoni që të rikujtoj sot këtu para jush se unë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe si pjesë e saj edhe Ministria e Drejtësisë është gjithnjë e përkushtuar për përmirësimin deri në përsosmëri të legjislacionit në përgjithësi e veçanërisht atij i cili është i dedikuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Nga të gjitha këto të dhëna që përmenda më parë, e që përbëjnë vetëm një pjesë të punës së madhe që po bëhet në këtë drejtim, mund të shihni seriozitetin dhe rëndësinë e veçantë që i është dhënë luftës kundër korrupsionit.
Prandaj, dua që edhe sot të rikujtoj që jemi të hapur edhe për sugjerime të tjera që mund të dalin nga ky diskutim i sotëm, duke shpresuar kështu që ato të jenë sa më konkrete dhe që të mundësohet implementimi i tyre sa më i hershëm.
Ju faleminderit!