Skip to content
Forcimi i Marrëdhënieve Juridike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Forcimi i Marrëdhënieve Juridike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Prishtinë, 18/11/2024
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në Takimin e Përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut. Në këtë mbledhje e cila shënoi takimin e dytë të të dyja qeverive, ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë, duke vënë në pah marrëveshjet ekzistuese dhe angazhimet për zgjerimin e tyre.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Haxhiu theksoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve janë reflektuar në bashkëpunimin intensiv me ministrin maqedonas të Drejtësisë, z. Filkov. Ajo kujtoi takimin e fundit të mbajtur më 7 tetor 2024 në Prishtinë, ku u diskutuan çështje të shumta me interes të përbashkët.
Ministrja Haxhiu nënvizoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar katër marrëveshje kyçe në fushën e drejtësisë:
Marrëveshjen për Ekstradim
Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar
Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në çështjet penale
Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në çështjet civile
Ndër të tjera, Ministrja potencoi se këto marrëveshje kanë treguar rëndësinë dhe suksesin e tyre përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në luftën kundër krimit, duke përmendur rastin e ekstradimit të 11 personave gjatë këtij viti, shumica e të cilëve për vepra të rënda penale.
Në fund, nga Ministrja e Drejtësisë u theksua nevoja për të zhvilluar marrëveshje të reja, përfshirë bashkëpunimin në fushën e noterisë, ndërmjetësimi dhe jurisprudencës.
Këto propozime do të kontribuonin në lehtësimin e procedurave juridike për qytetarët e të dyja vendeve, duke adresuar më mirë të drejtat e tyre.

Foto Galeria

Skip to content