
Propozimet për ndëshkimin penal të “fyerjes së organeve kushtetuese dhe të simboleve të shtetit” (nenet 134/C dhe 134/D), janë marrë nga Kodi Penal i RF të Gjermanisë, shtet ky i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës, dhe i cili ka një prej standardeve më të larta të respektimit të drejtave të njeriut. Dispozita penale që ndëshkojnë fyerjen e organeve kushtetuese, të shtetit dhe të simboleve të shtetit kanë edhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, siç janë: Franca, Italia, Polonia, Greqia, Lituania, Portugalia, Sllovenia, etj. Gjermania do të heq nga viti 2018 fyerjen e kryetarëve të shteteve të huaja, por jo edhe fyerjen e Presidentit Federal të Gjermanisë, e cila do të mbetet dispozitë penale.
Liria e shprehjes, duke përfshirë kritikën ndaj institucioneve shtetërore, është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe bazë e patjetërsueshme për një rend kushtetues demokratik. Në anën tjetër, respekti për organet kushtetuese dhe simbolet e shtetit kërkon që kritika të jetë e bazuar dhe jo me qëllime poshtërimi dhe ofendimi, gjë që nuk i kontribuon diskursit konstruktiv. Ministria e Drejtësisë beson se debati publik si i tillë mund të bëhet pa fyerje dhe ofendime, të cilat janë në kundërshtim me kulturën dhe traditën tonë.
Ministria e Drejtësisë i ka bërë disa propozime për plotësimin e Kodit Penal për qëllimet e debatit publik, i cili do të zhvillohet sipas rregullave të Qeverisë, për procedimin e projektligjeve. Të gjitha propozimet për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal do të bëhen publike dhe do të ofrohet mundësia për debat publik. Megjithatë, duke i marrë parasysh debatet e fundit në media, dhe para se të fillojë konsultimi publik për Kodin Penal në tërësi, Ministria e Drejtësisë bën ftesë publike drejtuar të gjitha institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale, avokatisë, shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve akademike që të ofrojnë opinionet, propozimet apo shqyrtimet e tyre lidhur me nenet si në vijim:
Neni 134/C
Fyerje ndaj Shtetit dhe Simboleve Shtetërore
Neni 134/D
Fyerja ndaj Organeve Kushtetuese
Me qëllim të transparencës sa më të madhe, nenet në fjalë si dhe opinionet, propozimet dhe shqyrtimet e pranuara do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
Nëse pas debateve shteruese mbizotëron qëndrimi se është e arsyeshme që organet kushtetuese dhe simbolet e shtetit të mund të fyhen dhe të ofendohen pa ndëshkime penale, atëherë edhe Ministria e Drejtësisë do të veprojë në pajtim me këtë qëndrim.
Ministria e Drejtësisë mirëpret çdo opinion, propozim dhe shqyrtim të neneve të propozuara, me shkrim, në adresën: zkp.md@rks-gov.net, deri më datën 15 maj 2017.