
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim përfaqësues nga Programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore, të udhëhequr nga Brian Kemple.
Gjatë këtij takimi u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore. U diskutua për punën e bërë deri më tani në përcaktimin e shtrirjes dhe fokusit të strategjisë, me qëllim të fuqizimit dhe ushtrimit të të drejtave pronësore nga të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ministri Kuçi theksoi pesë shtyllat kyçe të çështjeve të identifikuara që do të shtjellohen përmes një dokumenti strategjik: përcaktimi i qartë i të drejtave pronësore, duke harmonizuar kornizën ligjore përmes përcaktimit të qartë të kategorive të pronave dhe të drejtave mbi ato; hartimi i politikave për përdorim të pronës në funksion të ngritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve; fuqizimi i gjykatave në njohjen dhe zbatimin e të drejtave pronësore; adresimi i çështjeve pronësore të ndërlidhura me të kaluarën; si dhe fuqizimi i të drejtave pronësore të grave.
Ministri Kuçi ceki që reforma e të drejtave pronësore kërkon përfshirje të të gjithë akterëve. Rregullimi i të drejtave pronësore është çështje e ndjeshme që prek secilin qytetar të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e reformës së të drejtave pronësore. Drejtori i Programit Brian Kemple falënderoi Ministrinë e Drejtësisë për punën dhe bashkëpunimin deri më tani, si dhe përshëndeti edhe takimet e rregullta që kanë pasuar me stafin e Ministrisë së Drejtësisë me qëllim të shtytjes përpara të politikave në dobi të qytetarëve të Kosovës.