
Nesër në Bruksel do të fillojë “Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit në Kosovë”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, ku në takimin e parë pikat kryesore të dialogut do të jenë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Delegacioni i Qeverisë së Kosovës i cili do të kryesohet nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në përbërjen e të cilit janë edhe Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, udhëheqës të institucioneve të drejtësisë etj., në takimet që do t’i zhvillojnë me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, Komisioneren për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom dhe përfaqësues të tjerët të drejtorive të përgjithshme të KE-së, do të dialogojnë lidhur me sfidat të cilat dalin nga fushat e lartcekura në një fazë të hershme të procesit të zgjerimit, si dhe për transformimin e misionit të EULEX-it.
Qeveria e Kosovës edhe një herë nëpërmjet këtij dialogu do të shpreh përkushtimin politik dhe afatgjatë, për t’i ndërmarr gjitha reformat e nevojshme të cilat do të sjellin edhe rezultate konkrete, po ashtu rithekson se sundimi i ligjit vazhdon të jetë top prioriteti kryesor dhe mbetët fuqimisht e përkushtuar për të arritur rezultate maksimale.
Dialogu ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, tani e tutje do të jetë i rregullt dhe do të mbahet dy here në vit, varësisht nga reformat në fushën e sundimit të ligjit.