Skip to content
Grupi Punues për Reformë në Drejtësi mbajti takimin e radhës

Grupi Punues për Reformë në Drejtësi mbajti takimin e radhës

Prishtinë, 31/01/2024

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i falënderoi dhe përgëzoi të pranishmit për punën, vërejtjet dhe sugjerimet e adresuara. Ajo tha së në kuptimin e zotimit dhe përmbushjes së obligimeve, Ministria ka vullnet të plotë për të proceduar tutje rekomandimet e nevojshme, të cilat rrjedhin nga deklarata e përbashkët. 

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, në fjalën e tij hyrëse foli mbi të gjeturat e planit të veprimit të deklaratës së përbashkët, veçanërisht mbi përmirësimin e efikasitetit transparencës dhe disiplinës në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, fuqizimin e mekanizmave të brendshëm për verifikim dhe kontroll të integritetit, avancimin dhe fuqizimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe forcimin e mekanizmave për deklarim të pasurisë për gjyqtarë dhe prokurorë. 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, tha se ky proces hartimi dhe finalizimi i legjislacionit është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të efikasitetit në drejtësi. Diskutimet në punëtori adresuan çështje të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, duke theksuar nevojën për ndryshime, të cilat do të rrisin integritetin dhe funksionimin e tyre. 

Gjithashtu, pjesë e këtij grupi punues ishin edhe partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Drejtësisë, të cilët kontribuan me këshilla dhe rekomandime të tyre në përmirësimin e procesit të hartimit dhe finalizimit të legjislacionit, duke shpërndarë njohuri dhe përvojë nga përvoja e tyre në këtë fushë.

Skip to content