Skip to content
Inaugurohet Depoja Qendrore e AAPSK-së

Inaugurohet Depoja Qendrore e AAPSK-së

Prishtinë, 20/01/2014

Sot u bë inaugurimi i Depos Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar (AAPSK), në të cilën do të behët ruajtja dhe administrimi i  aseteve të konfiskuara ose sekuestruara nga kjo agjenci. 

Në këtë ceremoni inauguruese, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues nga Departamenti i Thesarit Amerikan, Zyra e BE-së në Kosovë, Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili tha se Ministria e Drejtësisë e ka funksionalizuar AAPSK-në, ka krijuar infrastrukturë ligjore dhe logjistike, ndërsa tani kërkohet një koordinim më i plotë i kësaj agjencie me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, doganën, Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera.

Kuçi tha se AAPSK-ja ka edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Departamentin e Thesarit Amerikan dhe Zyrën e BE-së në Kosovë.   
Kryeshefi i AAPSK-së, Rrahim Rama, tha se inaugurimi i Depos Qendrore të AAPSK-së, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, po bëhet me buxhetin e kësaj agjencie dhe qëllimi i tyre ka qenë që të orientohen në objekte shtetërore, në mënyrë që mos dëmtohet buxheti i Kosovës.

Gery Hyde nga Departamenti i Thesarit Amerikan, vlerësoi rëndësinë që ka Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar në luftimin e krimit, e po ashtu premtoi vazhdim të mbështetjes, me qëllim që sipas tij Kosova të luftojë sa më shumë krimin dhe korrupsionin.

Për rendësin që do ta ketë Depoja Qendrore në efikasitetin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë folur edhe përfaqësuesi nga Zyra e BE-së në Kosovë, Fred Newton dhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Foto Galeria

Skip to content