Gjatë javës së kaluar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, ka zhvilluar vizita nëpër disa komuna.
Ata kanë vizituar Komunën e Skenderajt, Shtimes, Suharekës, Gjakovës dhe Pejës, po ashtu, ata kanë vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz, disa fshatra ku kanë ndodhë masakra gjatë luftës së fundit siç janë: Reçaku, Lybeniqi, Likoshani, Qirezi e Shtutica, Shoqatën e të Mbijetuarve të Masakrës së Dubravës, të mbijetuarit e masakrave dhe familje që kanë të afërm të tyre të masakruar, ku vlen të veçohet takimi me familjen Berisha nga Suhareka dhe dëshmitarët okularë të masakrës së Reçakut.
Gjatë këtyre vizitave, përfaqësuesit e Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë kanë biseduar me udhëheqësit komunal për të evidentuar të gjitha dokumentet që ekzistojnë në komunat e tyre lidhur me masakrat dhe demet e shkaktuara nga lufta e fundit, po ashtu, kanë biseduar edhe me të mbijetuar të masakrave ku nga ta kanë mbledhë të dhëna për përjetimet e tyre.
Në të gjitha takimet e lartpërmendura u çmua lart vendimi i Qeverisë dhe i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, për themelimin e Institutit, njëherësh të gjithë bashkëbiseduesit ofruan përkrahjen e tyre të plotë për të ndihmuar në evidentimin, grumbullimin dhe vënien në dispozicion te të gjitha të dhënave dhe materialeve që do të ishin të dobishme dhe të nevojshme për punën e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.