Skip to content
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, vend i grumbullimit dhe trajtimit të krimeve të Serbisë ndaj popullit të Kosovës

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, vend i grumbullimit dhe trajtimit të krimeve të Serbisë ndaj popullit të Kosovës

Prishtinë, 04/11/2015

 Sot është organizuar ceremonia e promovimit të botimeve të përgatitura nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ku të pranishëm ishin Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Ministri i Arsimit Prof. Dr. Arsim Bajrami dhe përfaqësues të Institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. 

Gjatë fjalës së tij, Ministri Kuçi vlerësoj si tejet të rëndësishme punën dhe aktivitetin e këtij Instituti dhe njëkohësisht urojë autorët për përmbledhjet të cilat i kanë botuar e të cilat dëshmojnë dhe rikujtojnë se krimet e bëra ndaj njerëzimit nuk duhet harruar. “Kjo përvojë e qytetarëve të Kosovës duhet hulumtuar dhe mbledhur dhe publikuar si dëshmi e një kohe dhe është pikërisht përgjegjësi e Institutit të koordinojë, përcjellë dhe kryej hulumtimin e krimeve të luftës, krimet kundër paqes dhe të shkeljeve tjera të rënda të së drejtës ndërkombëtare të kryera në Kosovë”, ka thënë Ministri Kuçi.

Përkundër vështirësive me të cilat është përballur ky Institut, rezultatet nuk kanë munguar dhe këto katër publikime që po promovohen sot, dhe të tjera që do të botohen vitin e ardhshëm, janë rezultati konkret që tregon punën që po realizon Instituti në përmbushjen e qëllimit për të cilin është themeluar. 

Përveç kësaj, Instituti është duke vazhduar në grumbullimin, plotësimit dhe sistemimin e të dhënave, përpunimin, klasifikimin dhe evidentimin elektronik të të dhënave për viktimat e luftës, njëkohësisht është bërë edhe hulumtimi dhe identifikimi i lokaliteteve në Kosovë ku forcat serbe kanë kryer dhunime, mandej hulumtimi i krimeve të kryera në sferën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, etj vazhdoi më tutje Ministri Kuçi gjatë fjalimit të tij.

 Ndër të tjera, Ministri Kuçi vlerësoi lart edhe punën që ky Institut ka bërë në vendosjen e raporteve të bashkëpunimit me institucionet si motra në Rajon, duke vendosur raporte bashkëpunimi me organizata joqeveritare dhe qeveritare në vend, si dhe duke realizuar vizita në pjesët dërmuese të komunave në nivel shteti me qëllim të fillimit të bashkëpunimit. Njëherit, Ministri Kuçi ftoi qytetarët, OJQ-të dhe Institucionet tjera të bashkëpunojnë me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në drejtim të krijimit të një qendre nacionale ku do të sistemohen këto fakte për ne dhe gjeneratat e ardhshme. 

Me një fjalë rasti, të pranishmëve i`u drejtua edhe Prof. Dr. Ismet Salihu, i cili tha se jo vetëm që është një domosdo, por është edhe obligim i yni shtetëror dhe njerëzor, është obligim i yni human që t`i hulumtojmë dhe t`i publikojmë këto krime masive dhe mizore të kryera ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës. Është obligim i yni moral dhe institucional që të flasim në emër të të zhdukurve, jo më qëllim të ndjelljes së urrejtjes dhe hakmarrjes, por që në të ardhmen kurrë mos të kryhen krime të tilla, tha Profesor Salihu. 

Duke folur rreth botimit të librit të tij “Monumentet e Shkatërruara në Kosovë 1998-1999 Prof. Dr. Fejaz Drançolli ndër të tjera shtoi se në këto monografi janë paraqitur vetëm 100 monumente të shkatërruara, po ashtu kemi arritur në përfundim se qëllimi i regjimit dhe politikes serbe ishte zhbërja në tërësi e trashëgimisë, qytetërimit dhe civilizimit, humbjes së gjurmëve dhe gjuhës dhe kulturës shqiptare. 

Ndërsa autori i librit tjetër “Vrasjet në Kosovë 1998 – 1999”, Z. Ilir Ulaj theksoi se përmes këtij libri janë pasqyruar 300 raste të personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Tutje, autori shtoi se qëllimi i këtij botimi është të paraqiten personat e vrarë dhe të zhdukur, viktima të krimeve të luftës në Kosovë. 

Në fund të ceremonisë, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ndau edhe mirënjohje për personalitetet të cilët kanë kontribuuar në realizimin e punëve dhe aktiviteve të këtij Instituti. Me mirënjohje u nderun Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, si dhe mirënjohje post-mortum u nda për Akademik Pajazit Nushi.  

Skip to content