
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, potencoi se qëllimi i kësaj Marrëveshje është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore në këtë fushë.
Kjo Marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile apo tregtare të personave fizik dhe juridik.
Çështjet të cilat adresohen në këtë marrëveshje, kanë të bëjnë me barazvlefshmërinë e dokumenteve të cilat lëshohen nga autoritetet e institucioneve përkatëse nga të dy republikat, siç janë gjykatat, noterët dhe autoritetet tjera të cilat janë të vërtetuara dhe posedojnë nënshkrimin dhe vulën përkatëse, po ashtu garantimin e shtetasve të palëve në mbrojtje të njëjtë juridike të të drejtave dhe qasje të lirë pranë gjykatave dhe organeve të tjera të drejtësisë.