Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka kaluar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe pesë projektligjet që përbëjnë Pakon e Reformës në Drejtësi.
“Këto 6 ligje janë fundamenti i reformës së thellë të sistemit të drejtësisë, për të cilën jemi zotuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e vendit tonë e presin këtë prej shumë vitesh. Shteti ligjor, kudo dhe në çdo strukturë, nuk do të mbetet vetëm një premtim”, vlerësoi Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Anëtaret e këtij komisioni, miratuan Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dhe pakon prej pesë projektligjeve të cilat përfshijnë Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Kalimi në parim i këtyre projektligjeve përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit, me synim ndërtimin e një sistemi drejtësie profesional, të pavarur, efikas dhe llogaridhënës, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.
“6 projektligjet janë vetëm një hap larg Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jam e bindur se edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta mbështesë Byronë Shtetërore dhe Pakon e Reformës në Drejtësi”, tha tutje Ministrja Gërvalla.
Ndërkaq, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, u shpreh se miratimi i këtyre gjashtë projektligjeve përbën një hap të rëndësishëm dhe konkret në procesin e reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo paketë prek drejtpërdrejt fusha thelbësore të sistemit të drejtësisë, nga luftimi i pasurisë së pajustifikueshme dhe forcimi i integritetit, te përgjegjësia e gjyqtarëve e prokurorëve dhe fuqizimi i institucioneve të drejtësisë.
Pakoja e Reformës në Drejtësi është pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, të nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, gjyqësori dhe prokuroria, si angazhim i përbashkët institucional për avancimin e reformave të thella në sistemin e drejtësisë.