
Projektligji për Konfliktet Administrative ka synim ngritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë në çështjet administrative duke specifikuar të drejtat e palëve në procedurë, avancuar mjetet procedurale që mund të përdoren nga gjyqtari dhe ka bërë eliminimin e mundësisë së kthimit në rivendosje të çështjeve administrative, tha ministrja Haxhiu.
Në anën tjetër Ministrja shtoi se, Projektligji për Ekspertët Gjyqësor, për herë të parë rregullon me ligj çështjen e ekspertëve, duke përcaktuar kushtet që duhet të plotësohen për të qenë ekspert, licencimin e tyre, heqjen e licencës, disiplinimin dhe tarifat e kompensimit të tyre.
Ministrja e Drejtësisë tha po ashtu se, Evidenca Qendrore Penale tashmë do të rregullohet me ligj, i cili parasheh institucionin që mban të dhënat dhe institucionet që do të kenë qasje në vendimet përfundimtare nga Gjykatat e Kosovës. Ky projektligj do të ndihmojë qytetarët që të tërheqin certifikatën për të kaluarën penale të tyre online e po ashtu do të lehtësojë procedurat për shlyerjen e dënimeve sipas kushteve ligjore.
Komisioni për Legjislacion votoi në parim tre ligjet e propozuara.