
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka theksuar vullnetin dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në luftimin e krimit trans-nacional, si një ndër prioritetet e Republikës së Kosovës.
Ministrja Haxhiu tutje ka përmendur të arritura në të cilat Republika e Kosovës ka shënuar progres, në veçanti sa i përket krijimit të legjislacionit për luftimin e krimit transnacional.
Ministrja Haxhiu përmendi marrëveshjet për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike dhe në çështje penale me Konfederatën e Zvicrës sikurse edhe që janë në proces të lidhjes së marrëveshjeve me Republikën Franceze si dhe me Slloveninë, Malin e Zi dhe Kroacinë me qëllim të përmirësimit dhe plotësimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale të sistemit të drejtësisë në Kosovë në luftë kundër krimit të organizuar, në mënyrë që Kosova të jetë në pozicion që t'i përmbush obligimet e veta ndërkombëtare që të bashkëpunojë me shtete të ndryshme për të siguruar sundim të ligjit jo vetëm në kontestin kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.
Lidhur me veprimet tjera, ministrja Haxhiu tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar për të hartuar dhe kompletuar infrastrukturën ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare. Duke iu referuar aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Haxhiu tha se pas këtij procesi, përveç që pritet të procedohet më pas me Konventat që e rregullojnë fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale, Republika e Kosovës gjithashtu do të angazhohet të bëhet pjesë edhe e Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e individëve lidhur me procedimin automatik të të dhënave personale, e cila është parakusht për lidhjen e marrëveshjes me EUROJUST.
Fjalën e saj, ministrja Haxhiu e mbylli duke theksuar prioritetet e Qeverisë dhe aspiratën e Republikës së Kosovës që të zhvillojë partneritet Evropian dhe të kontribuojë tutje në afirmimin e vlerave evropiane në bashkëpunimin bilateral dhe ndërkombëtar.