Skip to content
Konferenca e përbashkët ministrore në Budva kundër terrorizmit, Ministri Kuçi vlerëson lartë përpjekjet për kohezion kombëtar kundër kësaj dukurie

Konferenca e përbashkët ministrore në Budva kundër terrorizmit, Ministri Kuçi vlerëson lartë përpjekjet për kohezion kombëtar kundër kësaj dukurie

Prishtinë, 14/04/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot po merr pjesë në konferencën e përbashkët ministrore, të ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Punëve të Brendshme të Evropës Juglindore, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Gjatë konferencës po diskutohet lidhur me luftën kundër terrorizmit, duke u përqendruar në luftëtarët e huaj që shkojnë nga Ballkani në Lindjen e Mesme, si dhe në parandalimin e trafikimit të armëve. Diskutimi është përqendruar gjithashtu në legjislacionin dhe veprimet ligjore e nevojshme për ta luftuar dhe parandaluar terrorizmin, duke u përqendruar edhe në parandalimin e financimit të terrorizmit. 

Gjatë konferencës, në mesin e ministrave të drejtësisë dhe të punëve të brendshme të Evropës Juglindore, Ministri Kuçi, ka diskutuar si panelist së bashku me Ministrin e Drejtësisë të Sllovenisë, zt. Goran Klemencic, Ministrin e Drejtësisë të Shqipërisë, z. Nasip Naço dhe Ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, z. Zoran Pazin. 

Ministri Kuçi ka theksuar hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Republikës së Kosovë drejt luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ministri Kuçi gjithashtu ka rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës që së bashku me të gjitha shtetet e rajonit të punojë drejt konsolidimit të një platforme të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse për luftimin dhe parandalimin e terrorizmit, si dhe kundër përhapjes së ideologjive radikale dhe dhunës ekstremiste.  

Lidhur me fenomenin e terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj, Ministri Kuçi tha: “I tërë rajoni është ballafaquar me këtë fenomen, pavarësisht kufijve shtetëror, gjeografik, apo politik. Është me rëndësi të ceket që të gjithë ne kemi një definicion për terrorizëm dhe kemi një kuptim të konsoliduar ndaj kërcënimeve terroriste me të cilat vendet tona përballen. Pikëpamjet tona të përbashkëta hapin edhe mundësinë për krijimin e një platforme ligjore të harmonizuar kundër terrorizmit dhe ideologjive ekstremiste. Terrorizmi nuk njeh kufi dhe, prandaj, bashkëpunimi rajonal është parakusht për luftimin e këtij fenomeni”.

Ministri Kuçi gjithashtu shtoi se, fenomeni i terrorizmit është ndihmuar nga teknologjia informative moderne, duke i jepur qasje më të lehtë atyre që t’i plasojnë ideologjitë e tyre ekstremiste dhe t’i financojnë operactionet e tyre.

Ndër të tjera, Ministri Kuçi ka përkujtuar të pranishmit që Kosova, që nga viti 2013, ka një Kod Penal dhe Kod të Procedurës Penale moderne, që janë model për të gjitha shtetet e rajonit. Me Kodin e ri Penal janë ashpërsuar dënimet, veçanërisht ndaj veprave të rënda, duke përfshirë edhe krimin e organizuar dhe terrorizmin. Kodi penal përmban dispozita të veçanta dhe të detajuara për luftimin e terrorizmit si vepër  penale ndaj rendit kushtetues të Kosovës por edhe si shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërsa me Kodin e Procedurës Penale janë lehtësuar dhe reformuar procedurat me qëllim të rritjes së efikasitetit. Ministri Kuçi ka theksuar edhe nevojën që gjyqtarët dhe prokurorët të pregaditen profesionalisht më tutje për trajtimin e rasteve që ndërlidhen me terrorizëm dhe dhunë ekstremiste. 

Ministri Kuçi gjithashtu ka folur edhe për miratimin e ligjit kundër luftëtarëve të huaj, që ndalon qytetarët e Republikës së Kosovës t’i bashkëngjiten konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.  Ministri Kuçi ka përmendur edhe përpjekjet për kohezion shoqëror kundër këtij fenomeni. Strategjia kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm është duke u hartuar nga një grup punues që përfshin të gjithë akterët kyç në adresimin e këtij fenomeni.  

Në fund, Ministri Kuçi tha: “Ne duhet të punojmë edhe më shumë, së bashku të gjithë ne që t’i adresojmë jo vetëm simptomat, por edhe shkaqet. Është përgjegjësi e jona e përbashkët për t’u bashkuar drejt forcimit të kohezionit shoqëror dhe arritjes së prosperitetit ekonomik për të gjithë qytetarët tanë, brenda kufijve shtetëror dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.”

Kjo konferencë rajonale po organizohet në kuadër të Procesit të Brdos dhe Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Qëllimi i konferencës është identifikimi i masave të përbashkëta, zhvillimi i një platforme gjithëpërfshirëse, për luftimin e terrorizmit dhe dhunës ekstremiste. Kosova është anëtare e barabartë në SEECP me të gjitha shtetet e Evropës Juglindore. 

Foto Galeria

Skip to content