
Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) Zëvendësministrja e Drejtësisë, Dr. Nita Shala dhe Këshilltarja e Ministres, znj. Nazlie Bala morën pjesë në tryezën diskutuese “Dhuna ndaj grave në dimensionin dixhital: njohja dhe luftimi i fenomenit”, organizuar nga Ambasada Italiane në Kosovë dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Shala konfirmoi vullnetin institucional për të parandaluar dhe adresuar rastet e ngacmimeve, kanosjeve dhe formave tjera të dhunës në platformat online.”Për fat të keq, përballemi me një situatë të informacionit të paktë për sa i takon këtyre formave të dhunës. Por, kemi informacion se ka rritje të theksuar të prevalencës të dhunës në internet, si pasojë edhe e rritjes së përdorimit të internetit në kontekstin e pandemisë Covid-19. Dhuna në platformat dixhitale është problematike dhe kërkon ndërmarrjen e nismave për ta parandaluar e adresuar. Bashkëpunimi mes institucioneve me akteret e tjerë mbetet kyç dhe vetëm përmes bashkëpunimit mund të synojmë sukseset e dëshiruara”- theksoi Dr. Shala.
Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave parasheh disa aktivitete që mund të realizohen përmes bashkëpunimit me organizata të shoqërisë civile si dhe mediat. Ndër tjera, Stratëgjia parasheh angazhimin e medias në parandalim dhe luftim të dhunës, përmes inkurajimit të mediave për të vendosur udhëzime dhe standarde vetërregulluese për të rritur respektin për dinjitetin e grave dhe për të parandaluar dhunën ndaj grave; bashkëpunimin me mediat dhe kompanitë e teknologjisë së informacionit për t'iu përgjigjur dhunës në internet dhe ngacmimeve (seksuale) ndaj grave dhe vajzave; ofrimit të informacionit për fëmijët dhe prindërit për përdorimin e sigurt të mjeteve dixhitale të komunikimit; dhe trajnimin e sektorit të medias për të raportuar mbi dhunën ndaj grave, duke respektuar parimet etike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në këtë tryezë, ekspertët ndërkombëtarë prezantuan rekomandime konkrete dhe shembuj të praktikave të mira se si të parandalohet dhe trajtohet ky fenomen. Kjo tryezë u mbyll me diskutimet e panelistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë të cilët ndanë bashkërisht idetë dhe njohuritë e tyre mbi këtë fushë.