Skip to content
KORRUPSIONI: Jo çdo gjë e hirtë është “ujk”

KORRUPSIONI: Jo çdo gjë e hirtë është “ujk”

Prishtinë, 17/12/2013

Editorial i përbashkët i Z. Bernd Borchardt, Shef i Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit dhe Z. Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë

Thonë që “faji është jetim” ndërsa “korrupsioni i askujt”. Të flasësh për korrupsionin nuk është diskutimi më i këndshëm, e aq më pak më i lehti. Nganjëherë, mund të duket më e lehtë që korrupsioni të mbetet anonim dhe të përgjithësohen gjërat dhe duke thënë se “të gjithë janë të korruptuar” dhe “çdo gjë që nuk shkon mirë është korrupsion”.

Megjithatë kjo nuk paraqet logjikën më të mirë të të menduarit meqë jo çdo gjë e hirtë është ‘ujk’. Jo çdo zyrtar publik, deputet, anëtar i qeverisë, kryetar komune, gjykatës, prokuror apo shërbyes civil është i korruptuar. Është shumë e vërtetë se ata që janë të korruptuar kontribuojnë negativisht drejt dëmtimit të imazhit të institucioneve në çdo vend të botës andaj dhe duhen ndërmarrë masa për t’i ndaluar këto aktivitete të dëmshme dhe jo të shëndosha. 

Duke thënë “gjithçka është korrupsion” dhe “të gjithë janë të korruptuar, ”nuk bëjmë gjë tjetër veç kontribuojmë drejt humbjes së shpresës së shoqërisë dhe krijojmë një inflacion retorik që patjetër se do të ketë ndikim në imazhin e mekanizmave të krijuar për të luftuar korrupsionin. Përgjithësime të tilla janë të dëmshme për shoqërinë në tërësi. Për pasojë të këtij perceptimi përgjithësues, dëshmitë e suksesit shihen si “peshq të vegjël” që bien në rrjeta përderisa deti vazhdon të mbetet përlot me “peshkaqenë që notojnë të lirë”.

Këto perceptime në vazhdimësi mund të luajnë rolin e efektit të kundërt duke zbehur  përpjekjet dhe dekurajuar institucionet në përpjekjet e tyre në luftën kundër korrupsionit. Prandaj dhe është e nevojshme që mirënjohja të ipet atëherë kur duhet por edhe llogaridhënia të kërkohet aty ku duhet. Metaforikisht, jo rrallë herë, flitet për korrupsion me “terma mjekësor” sikur ai të ishte një sëmundje e rrezikshme, fantazmë që bredh në ajër apo si ndonjë epidemi. Nuk mjafton dhënia e dorës një personi të korruptuar për t’u korruptuar; duhet pak më shumë se kaq.

Mes tjerash duhet të ekzistojë qëllimi. Korrupsioni nuk është si sëmundje që infekton pa kërkuar pëlqimin e personit përballë; përkundrazi, kërkon miratim dhe përfshirje. Korrupsioni është mjet për të bashkëvepruar me institucionet; është një alternativë e keqe e sundimit të ligjit. Është e vështirë të diskutosh për korrupsionin përderisa ekzistojnë shumë mite dhe koncepte të gabuara.

Siç thotë një fjalë e urtë shqipe, “ujku mjegull do” për ta bërë punën e tij pa u shqetësuar prej askujt. Le ta heqim mjegullën. Sa më shumë transparencë krijojmë në bashkëveprim me qytetarët dhe sa më shumë që qytetarët t’i rrisin thirrjet e tyre për llogaridhënie, aq më pak mundësi do të ketë ‘ujku’. Me t’u mësuar me dritën është vështirë t’i kthehesh errësirës. Kjo thirrje vlen për çdo qytetar. Mbani sytë hapur dhe qëndroni në dritë. Kjo është zgjedhja juaj. Mungesa e vëmendjes shpesh i krijon mundësi ‘ujqve’. Kjo ftesë vlen për të gjitha institucionet. Ndriçoni sa më shumë veprimet, vendimet dhe procedurat tuaja. Vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i ndalim ato aktivitete që mund të bëhen përmes dyerve të pasme.

Korrupsioni jo gjithmonë dallohet lehtë; nganjëherë ju duhet të shikoni më afër për ta vërejtur ujkun. Duhet të kemi kujdes ndaj ujqërve të hirtë, posaçërisht ndaj atyre që bartin gëzofin e deleve. Personat e korruptuar mund të jenë në të njëjtën kohë prindër të kujdesshëm, fqinjë të mirë, shokë të dashur apo kolegë bashkëpunues. Ju mund të mos e vëreni në pamje të parë që ata janë të përfshirë në aktivitete korruptive sepse ata zakonisht ndërmarrin masa mbrojtëse për të fshehur nga të tjerët këto veprime të dëmshme. Dhe kjo është një nga shumë arsyet pse është e vështirë që të hetohet ‘ujku’.

Pra, korrupsioni rrallë herë është bardh a zi; pothuajse çdo herë është aty në mes, i hirët. Nevojitet forcë e madhe morale për të arsyetuar kthjellët. Nevojitet ndjenjë e lartë drejtësie për të mënjanuar pëlqimet personale dhe për t’i parë gjërat nga perspektiva e sundimit të ligjit. Akti më i madh i patriotizmit nuk është pretendimi për të marrë hisen më të madhe të ëmbëlsirës në shkëmbim për ndonjë kontribut, por është dhënia e mundësisë dhe qasjes së barabartë për të gjithë. Meritokracia është mënyra e vetme për të ecur para dhe njëkohësisht mënyra më e mirë për t’i ofruar mundësi të barabartë gjithë qytetareve. 

Sundimi i ligjit është parimi i qeverisjes, ku të gjithë personat, institucionet dhe subjektet, publike dhe private i nënshtrohen ligjit. Kjo nënkupton ruajtjen e vlerave të rëndësishme dhe administrimin e mirë të institucioneve, në përputhje me të drejtat e njeriut. Nga perspektiva e sundimit të ligjit, pushteti që u besohet zyrtarëve publik nuk u takon atyre personalisht. Ata duhet t’a ushtrojnë pushtetin në mënyrë të përgjegjshme dhe brenda kufijve ligjor. Përmes kontrolleve dhe balanceve të duhura asnjë individ nuk do të jetë mbi ligjin dhe askush nuk do të mund t’i shmanget detyrimit për llogaridhënie. 

 

T’i lëmë pak ujqit e hirtë dhe të flasim sesi mundemi të punojmë bashkërisht për një Kosovë me më pak korrupsion dhe me një të ardhme më evropiane. Të luftosh korrupsionin nuk mjafton vetëm shprehja e vullnetit të mirë. Veprimi i mirë fillon duke pastruar së pari shtëpinë tuaj dhe më pas të fitosh të drejtën të tregosh me gisht nga bari në oborrin e fqiut. Prandaj, secili institucion, secili zyrtar publik të cilit i është besuar pushteti për të qeverisur apo administrimi i të mirave publike, secili punonjës dhe qytetar është përgjegjës për të identifikuar çfarëdo aktiviteti korruptiv dhe për ta raportuar atë tek institucionet përkatëse të cilat janë po aq përgjegjëse për të zbatuar ligjin dhe për të vendosur drejtësi. Një gjë është e sigurtë, vetëm bashkërisht dhe përmes qasjes së bashkërenduar ne mund të krijojmë një kulturë ku korrupsioni nuk mbijeton dot dhe kështu të bëhemi kontribuues i së ardhmës më të mirë për Kosovën. 

Bernd Borchardt 
Hajredin Kuçi 

Skip to content