Skip to content
Kosova dhe Franca nënshkruajnë dy marrëveshje në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar

Kosova dhe Franca nënshkruajnë dy marrëveshje në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar

Prishtinë, 27/07/2026

Republika e Kosovës dhe Republika e Francës kanë nënshkruar sot dy marrëveshje të rëndësishme dypalëshe në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, përkatësisht Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe Marrëveshjen për Ekstradim.

Qëllimi i dy marrëveshjeve është thjeshtimi i procedurave, rritja e efikasitetit institucional dhe harmonizimi i praktikave në përputhje me standardet më të mira evropiane ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale parashikon marrjen e dëshmive përmes video-konferencës, komunikimin e drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore, si dhe bashkëpunimin në identifikimin, ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave të përfituara nga aktivitetet kriminale dhe mjeteve të përdorura për kryerjen e veprave penale.

Ndërsa, Marrëveshja për Ekstradim është në përputhje me Konventën Evropiane për Ekstradim të vitit 1957 dhe protokollet e saj shtesë. Kjo marrëveshje përcakton rregullat dhe kushtet për ekstradimin e personave të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimit, procedurat që ndiqen nga paraqitja e kërkesës deri në dorëzimin e personit, si dhe garanton respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të çdo personi të ekstraduar, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Këto dy marrëveshje do të forcojnë ndjeshëm kapacitetet e institucioneve të Kosovës dhe Francës për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të kriminalitetit ndërkufitar, duke siguruar që askush të mos gjejë strehë nga drejtësia përtej kufijve shtetërorë.

Njëkohësisht, këto marrëveshje kontribuojnë edhe në fuqizimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale të Republikës së Kosovës, duke avancuar më tej sistemin e drejtësisë dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Skip to content