
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka pritur në takim Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me ftesë të Kryeprokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi.
Prokuroi i Përgjithshëm, z. Llalla gjatë këtij takimi ka prezantuar tё arriturat dhe reformat e ndërmarrura nё sistemin e drejtësisë duke theksuar nё veçanti luftën kundër terrorizmit dhe krimit tё organizuar. Si hap tejet tё rёndёsishёm, Prokurori i Përgjithshëm z. Llalla ka theksuar pavarësinë e sistemit tё drejtësisë nga politika, pavarësi e cila do tё ketë ndikim pёr një punë mё efektive dhe profesionale tё aktorëve relevant.
Llalla tha se bashkëpunimi në mes të dy prokurorive do të jetë efektivë me ç ‘rast do të rezultojë me një bashkëpunim më të madh institucional ku edhe do të ketë rezultate në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Ministri Kuçi, e ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm z. Llalla duke u shprehur fillimisht i kënaqur me vizitën dhe në veçanti me bashkëpunimin që kanë institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, përfshirë Gjykatat dhe Prokurorinë.
Ministri Kuçi gjatë këtij takimi i ka njoftuar të pranishmit për arritjet e deritanishme në fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë, duke theksuar njëkohësisht përpjekjet e vazhdueshme në ngritjen e llogaridhënies së sistemit të drejtësisë.
Ministri Kuçi ka theksuar se puna e Ministrisë së Drejtësisë gjatë këtij mandati po përqendrohet në konsolidimin e kornizës ligjore sipas standardeve evropiane, hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, si dhe në ngritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Ministri Kuçi tha se Kosova sot ka ndërtuar atë qё quhet arkitekturë e drejtësisë, ka ligje tё mira dhe demokratike, gjyqtar dhe prokuror profesionist qё kanë kushte tё mira për punë tё pavarur, tё paanshme dhe profesionale. Kuçi tha se gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë tani më janë të angazhuar në luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në anën tjetër Kryeprokurori i Shtetit, z. Lumezi e ka vlerësuar këtë takim shumë të rëndësishëm, duke i vënë në pah arritjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në të dyja shtetet. Gjatë kësaj vizite të delegacionit shqiptar, prokurorët do të kenë mundësinë t’i shkëmbejnë pikëpamjet për bashkëpunim të ndërsjellë me qëllim arritjen e rezultateve konkrete.