
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se nisma për marrëveshje Transferim të Personave të Dënuar ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, rregullon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore me transferim të personit të dënuar, në rastet kur personi shtetas i shtetit administrues është duke vuajtur dënimin në shtetin dënues dhe kërkon transferim tek shteti administrues me qëllim të rehabilitimit social.
Në mbledhjen e Qeverisë, ministrja Haxhiu prezantoi edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë e cila do të zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile të personave fizikë dhe juridikë.
Ministrja Haxhiu tha se është momenti i duhur që bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë ta formatizojmë me anë të kësaj Marrëveshjeje.
Dy nismat e iniciuara mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Kroacisë kanë për qëllim forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e drejtësisë.